Home / Feja / Vesveset dhe tundimet e shejtanit

Vesveset dhe tundimet e shejtanit

Vesveset dhe tundimet e shejtanit
Vesveset dhe tundimet e shejtanit, Zoti i përmend në disa ajete. Shejtani nuk banonte në xhenet, por u lejua nga Zoti, që të hyjë dhe ta tundojë Ademin a.s.
Shejtani filloi t’i joshë dhe t’i tundojë që të hanin nga pema që Zoti ua kishte ndaluar.
“Ndërsa Ademit i tha: “O Adem! Bano ti dhe bashkëshortja jote në Xhenet dhe hani ç’të dëshironi, por mos iu afroni kësaj peme, se bëheni keqbërës!” (Araf, 19)
Ai u thoshte se pema që u ka ndaluar Zoti, është pema e përjetësisë dhe e pushtetit. Këtë e përmend vetë Zoti në Kuran ku thotë:
“Djalli u pëshpëriti, për t’ua zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe u tha: “Zoti juaj jua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm.” (Araf, 20)
Qëllimi i shejtanit ishte që t’i çojë drejt gjynahit dhe thyerjes së urdhrit të Zotit, si dhe t’u zbulojë pjesët e turpshme të cilat gjer atëherë i kishin të mbuluara.
Veç joshjes dhe tundimit për pushtet dhe përjetësi, shejtani filloi edhe t’u betohej se po u tregonte të vërtetën.
“Dhe iu betua atyre (duke thënë): “Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë!” Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij.” (Araf, 21-22)
E çfarë mund të ëndërronte më shumë se të jetojë në xhenet Ademi a.s?! A nuk kishte gjithçka që dëshironte?! A nuk jetonte në luks dhe i rrethuar nga të mirat?! Përse lakmoi edhe diçka të cilën ia kishte ndaluar Zoti?!
Në çastin kur ata hëngrën nga pema e ndaluar dhe thyen urdhrin e Zotit, u zhduken rrobat që kishin veshur dhe befasisht u shfaqën lakuriqë.
“Pasi e shijuan frutin, atyre iu zbuluan vendet e turpshme” (Araf, 23)
Me t’u ndodhur kjo, si Ademit a.s dhe Havasë a.s u erdhi turp. Natyra e njeriut e urren lakuriqësinë dhe nuk ndihet rehat. Kur panë se rrobat që i mbulonin u zhdukën, si Ademi a.s dhe Havaja a.s, filluan të mbulohen me gjethe pemësh të xhenetit. “dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit” (Araf, 23)
Ademi a.s nuk e përmbajti veten nga ajo që i ndodhi dhe mori arratinë, duke vrapuar ku të mundej në xhenet. Në një hadith, thuhet se kur Ademi a.s filloi të vrapojë, Zoti e thirri:”O Adem! A po arratisesh nga Unë?!” Ademi a.s i përgjigjet:”Jo o Zot! Por më erdhi zor prej Teje.”
E para që hëngri nga pema ishte Havaja a.s dhe ishte ajo që e nxiti Ademin a.s që edhe ai t’i bashkohej në këtë vepër. Kjo përmendet në një hadith të saktë, të transmetuar nga imam Buhari, sipas të cilit, Profeti a.s thotë:”Nëse nuk do të ishte Havaja, asnjë femër nuk do e tradhtonte burrin e saj.”
Nëse nuk do të ishte Havaja, Ademi a.s nuk do kishte ngrënë nga pema e ndaluar.
Pasi kishin ngrënë nga pema e ndaluar, Zoti u flet Ademit a.s dhe Havasë a.s:
“..dhe Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?” (Araf, 22)
Vallë si do të reagonte Ademi a.s dhe Havaja? Mos do të silleshin si shejtani, duke këmbëngulur në kryeneçësinë e tyre? Jo. Ata nuk do të reagojnë si shejtani, por do të pranojnë gjynahun që kanë bërë, me fjalët:”Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. (Araf, 23)
Si iblisi ashtu dhe Ademi a.s e thyen urdhrin e Zotit, por dallimi qëndron se Ademi a.s u pendua dhe kërkoi falje, kurse iblisi vazhdoi me arrogancën e tij. Dijetarët myslimanë thonë:”Nuk ka gjynahe të rënda nëse pasohen nga istigfari, por as gjynahe të vogla nëse pasojnë njëri-tjetrin.”

Check Also

Pemët që kanë shumë sheqer dhe ato që kanë pak

Mos u lodhni shumë duke zgjedhur pemët të cilat kanë pak sheqer, sepse sheqeri i …