Home / Feja / Vendimi i Gjykatës së Berlinit: Mësueset nuk mund të japin mësim me shami në kokë

Vendimi i Gjykatës së Berlinit: Mësueset nuk mund të japin mësim me shami në kokë

Gjykata e Berlinit ka marrë një vendim, sipas të cilit një mësuese nuk mund të japë mësim në shkollë fillore e mbuluar me perçe. A është e drejtë kjo?

Në fakt është shumë e thjeshtë, mund të thotë dikush: Simbolet fetare mund të mbahen dhe të tregohen në institucionet arsimore publike, ose nuk mund të mbahen dhe të ndalohen. Në Francë është zgjedhur mënyra e ashpër. As mësueset as nxënëset nuk mund të mbajne perçe në ndërtesën e shkollës, edhe kippa dhe kryqi janë tabu.

Por në Gjermani gjendja është ndryshe. Ligjet sigurojnë ndarjen e shtetit nga feja- duke qenë mësuese je prezantuese e shtetit -dhe kjo vendoset përballë të drejtës themelore të lirisë së fesë dhe ndalimit të diskriminimit fetar në aksesin e institucioneve publike. Po ashtu e drejta e mësueseve për lirinë e fesë mund të përplaset me të drejtën e fëmijëve për lirinë e fesë, të cilit nuk mund t’ i shpëtojë as mbajtja e perçes si simbol fetar në orën e mësimit. Praktika e përditshme është në diskutim të nxehtë, sepse arsimi është çështje e landeve, pra çdo land federal gatuan supën e vet.

Kështu për shembull në landin e Nordrhein- Westfalen çdo rast kontrollohet “nëse nga mbajtja e simboleve fetare shkelet ligji i neutralitetit ose rregulli për sjellje të respektueshme dhe dinjitoze.” Neutraliteti është i siguruar me ligjin e landit për arsimin. Sipas tij, forcat arsimore nuk lejohen të tregojnë pikëpamje politike, fetare ose të bëjnë të ditura gjëra të ngjashme që rrezikojnë ose dëmtojnë neutralitetin e landit kundrejt nxënësve si dhe prindërve, ose që pengojnë paqen politike, fetare ose sekulare të shkollës.

Ndërsa në Berlin, në bazë të ligjit të Berlinit për neutralitetin nuk ka mësuese që të japin mësim me kokë të mbuluar në shkollat e përgjithshme publike.

Senatorja e arsimit, Sandra Scheeres thotë për këtë: “Pikërisht, sepse në shkollat e Berlinit përplasen shumë fe dhe botëkuptime të ndryshme, është e rëndësishme që mësuesit të shfaqen neutral në klasë. Nëse unë kam një mësues me kokë të mbuluar para meje, kjo nuk është neutrale”.

Gjykata e punës në Berlin ka kthyer mbrapsht në instancën e parë aktpadinë e një mësueseje myslimane. Ajo kishte hedhur në gjyq Landin e Berlinit, sepse nuk e lejonte të jepte në një shkollë fillore, mësim me kokë të mbuluar. Gjykata nuk e pa ligjin e neutralitetin në Berlin në kundërshtim me Kushtetutën. Gruaja ishte ankuar para gjykatës duke thënë se e njeh ligjin e neutralitetit.

Shoqata gjermane e mësuesve e përshëndeti vendimin. “Ne e shohim me sy kritik mbulimin e kokës nga një mësuese”, tha presidenti i shoqatës, Heinz-Peter Meidinger. Më tej thuhet se nxënëset kanë të drejtë të ushtrojnë fenë e tyre në shkollat e mëpasme. Por mësuesit, thotë Meidinger, duhet t’i përmbahen ligjit themelor të neutralitetit të shtetit, sidomos në shkollat fillore: “Aty nxënësit mund të ndikohen shumë lehtë. Mbulimi i kokës me perçe ka një ndikim të madh dhe të padëshiruar, edhe nëse mësuesja sillet në mënyrë korrekte.”

Kjo është në rregull. Por si i shikon shoqata e mësuesve kryqet që varen në shumë klasa në shkollat gjermane? Sipas qeverisë së Landit të Bavarisë, kjo është madje e dëshirueshme. Nëse një mësues ose nxënës “e kundërshton këtë duke argumentuar”, atëherë në raste të veçanta kryqi mund të hiqet nga muri. Meidinger mendon: “Ekziston ndryshim midis mësueses që mbulon kokën me shami, një figure që jep dijet, dhe kryqit që varet në qoshen e një klase dhe nuk ka penguar kërkënd, sepse kërkush nuk është ankuar. Ndikimi është i ndryshëm.”

Vildan Aytekin ka themeluar rrjetin e mësueseve myslimane dhe mendon ndryshe. Koncepti i neutralitetit të shtetit shpesh nuk kuptohet si duhet, mendon ajo. Neutraliteti i shtetit është përcaktuar kështu, që shteti, jo ata që i shërbejnë atij, duhet të nxisë njëjtë të gjitha fetë dhe botëkuptimet dhe jo të marrë anën e njërit apo tjetrit. Shamia e kokës e mësueses, duhet parë si një gjë që e ka vënë ajo, dhe jo shteti.

Sipas një punonjësi shkencor në Fakultetin pedagogjik të Bielefeldit, myslimanet diskriminohen. “Dekada me radhë këto gra janë akuzuar se nuk kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës gjermane, që nuk janë të arsimuara dhe nuk mund të futen në tregun e punës. Por, kur gratë myslimane tregojnë diplomën, atëherë nuk u hapet rruga për pozicione të caktuara të institucioneve shtetërore”.

Nga rreth 800.000 mësues në Gjermani rreth 1000 janë myslimanë. Një pjesë e tyre janë femra, dhe ato jo të gjitha e mbulojnë kokën me shami.

Check Also

Forcat Ajrore izraelite sulmojnë kufirin lindor të Rripit të Gazës

Forcat Ajrore të Izraelit ndërmorën një sulm ajror ndaj kufirit lindor të Rripit të Gazës. …