Home / Feja / SI VEPRON ME TË TJERËT, ASHTU VEPROHET EDHE ME TY 

SI VEPRON ME TË TJERËT, ASHTU VEPROHET EDHE ME TY 

SI VEPRON ME TË TJERËT, ASHTU VEPROHET EDHE ME TY

Kjo është një këshillë e vërtetë, që na e jep një fëmijë në moshën parashkollore.

Një natë nga netët, nëna u ul me fëmijët e saj që shkonin në shkollë, që tu ndihmojë në përsëritjen e mësimeve, kurse fëmijës së saj të vogël që i kishte pas arritur të katërtat, ia dha disa fletore të vizatojë dhe mos tu pengojë në përsëritjen e mësimeve me fëmijët e tjerë.

Ndërkohë iu kujtua se kishte harruar tia dërgojë ushqimin babait të burrit të saj, i cili ishte plak dhe jetonte me një dhomë jashtë vilës, e ajo e shërbente sa kishte mundësi, kurse burri i saj ishte i kënaqur me atë shërbim që ia bënte prindit të tij, i cili nga pleqëria dhe nga shëndeti i dobët nuk dilte jashtë dhome.

Kur u kthye në dhomë të fëmijëve, e vërejti se fëmija i vogël vizatonte rrethe dhe katrore dhe në çdonjërën vendoste shenja. Nëna i tha:

– I dashuri im, çfarë po vizaton?

Iu përgjigj:

– Jam duke e vizatuar shtëpinë time ku do të jetoj kur të rritem dhe të martohem.

Nëna u gëzua nga këto fjalë dhe i tha:

– Ti ku do të flesh?

– Unë do të fle në këtë dhomë. Kjo është kuzhina. Kjo është dhoma e pritjes së mysafirëve, – kështu filloi ti numërojë të gjitha dhomat e shtëpisë. Kurse për në fund e la një katror jashtë shtëpisë.

Nëna u çudit dhe i tha:

– Pse kjo dhomë është jashtë shtëpisë dhe nuk është pjesë e dhomave tjera?

– Kjo është për ty. Do të vendosë të jetosh në këtë dhomë, ashtu si sot jeton gjyshi im.

Nëna mbeti e shtangur nga fjalët e fëmijës së saj!

Filloi ti sillet nëpër mend se a do të jetë e vetme dhe jashtë shtëpisë, se nuk do të ketë mundësi të flasë me fëmijët e saj dhe me nipat e saj. Kujt do ti flas atë ditë dhe a do jetoj e vetme mes katër mureve, pa mos ia dëgjuar zërin asnjë anëtarit të familjes? thoshte në vete nëna.

Në atë moment shpejtoi në thirrjen e shërbëtorëve dhe dha urdhër që menjëherë ti marrin mobilet e dhomës së mysafirëve, e ti shpërngulin në dhomën e plakut, kurse krevatin e tij, dha urdhër që ta vendosin në atë dhomë që konsiderohej dhoma më e mirë e shtëpisë.

Në ato momente burri u kthye nga puna dhe nga ajo që e pa u habit dhe e pyeti gruan se çfarë ka ndodhur?

Ajo iu përgjigj me lot:

– Unë e zgjodha dhomën më të mirë ku do të jetojmë unë e ti, nëse Allahu na jep jetë. Kurse dhoma e mysafirëve do të jetë jashtë vilës.

Burri e kuptoi se çfarë synon gruaja e tij, e lavdëroi për këtë vepër dhe për atë që e bëri për prindin e tij, i cili i shikonte ata dy dhe buzëqeshte i kënaqur me veprën e tyre. Kurse fëmija i vogël pas kësaj ndodhie e fshiu vizatimin dhe buzëqeshi.

Allahu i Madhëruar thotë: Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Check Also

Janë gjetur varreza masive të 500 personave të vrarë nga ISIS-i në Rakka

Janë gjetur varreza masive të 500 personave të vrarë nga ISIS-i në qytetin Rakka të …