Home / Feja / SI TI MËSOJMË FËMIJËT TË USHQEHEN ME USHQIM TË SHËNDETSHËM ?

SI TI MËSOJMË FËMIJËT TË USHQEHEN ME USHQIM TË SHËNDETSHËM ?

SI TI MËSOJMË FËMIJËT TË USHQEHEN ME USHQIM TË SHËNDETSHËM ?

Ushqimi i fëmijëve është një çështje e mundimshme për shumë prindër. Përpjekjet e tyre shpeshherë ngelen të dështuara për t’i ofruar dhe mësuar fëmijët të ushqehen shëndetshëm.
Gjatë punës sime, kam takuar shumë prindër të brengosur për këtë qështje. Këta prindër bëjnë përpjekje maksimale dhe sa më shumë që ata duan dhe ofrojnë ushqim cilësor për fëmijët, ndodhë që fëmijët refuzojnë dhe përkundrazi, kërkojnë ushqime që nuk janë fare të shëndetshme, për të mos thënë janë shumë të dëmshme .
Unë besoj që derisa po shkruaj tani, shumë prindër do lexojnë me interes këshillat që do japë më poshtë, duke besuar që do e zgjidhin këtë problem me fëmijët e tyre. Shumë prindër do presin ndonjë shkop magjike për të kapërcyer këtë problem. Ndoshta edhe mund të zhgënjeheni nga ato që do lexoni.

– Si fillim duhet theksuar që nuk ka ndonjë shkop magjik apo këshillë magjike si zgjidhje e shpejtë, përmes së cilës do arrijmë që të bindim fëmijët të ushqehen shëndetshëm .
Vlenë të theksohet se megjithatë do ofrojmë disa këshilla që do ju ndihmojnë në masë të madhe që ta mësoni fëmijën tuaj të jetë më mirë në ngrënie të ushqimeve të shëndetshme. Në fakt, kjo është një seri hapash që qojnë në zakone më të mira të ngrënies dhe në përfitimin e parimeve të drejta nga aspekti shëndetësor rreth ushqyerjes. Hapa të domosdoshëm drejtë suksesit me fëmijet tuaj.

Ndiqni 10 hapat në vazhdim :

1. Bëhuni shembull për fëmijët tuaj !
Rregulli themelor dhe ndoshta edhe më i rëndësishmi është që ju të jeni shembull kur të mësoni fëmijën për ushqimin më të mirë. Këshillat që i ofroni fëmijëve tuaj së pari duhet t’i praktikoni ju si prindër.
Nuk mund ta ndalosh nga pirja e pijeve të gazuara fëmijën tuaj dhe ti shpjegosh se sa të dëmshme janë, kur ju i konsumoni çdo ditë. Kjo nuk është edhe e drejtë e as e sinqertë. Nëse ju këshilloni diqka fëmijën, por vetë e bëni të kundërten, ju keni humbur betejën ende pa filluar mirë.
Nëse një pije e gazuar apo pirja e duhanit është e dëmshme për fëmijën tuaj, është edhe për ju si prindër. Fëmija juaj do një shembull për ushqim dhe jetë të shëndetshme, bëhuni ju shembulli i parë.

2. Merrni pjesë bashkarisht në blerjen dhe përgaditjen e ushimit.
Është e rëndësishme që fëmijët të përfshihen në procesin e blerjes së gjërave të nevojshme për ushqimin si dhe më vonë në vetë procesin e përgaditjes së ushqimit. Bisedoni me fëmijët para se ti bleni ushqimet për rëndësinë e tyre, se cilat janë të shëndetshme e cilat jo. Mundësoni që edhe gjatë përgaditjes të jenë të aktivizuar edhe femijët dhe diskutoni për vlerat e ushimeve p.sh jeni duke përgaditur fruta dhe shfrytëzojeni rastin tu flisni fëmijëve se sa vitamina përmbajnë e pse janë të dobishme.

3. Lejoni fëmijët ti përgadisin si të duan format e ushqimeve.
Shpeshherë prindërit nuk u lejojnë fëmijëve të zhvillojnë imagjinatën gjatë përgaditjes së ushqimit. Për fëmijët, është shumë e rëndësishme forma e ushqimit, andaj lejoni të shprehen por edhe të marrin pjesë në përgaditje. Nësë fëmija do që ti servohet p.sh banane e prerë në copëza të vogla, ia mundësoni të ketë, nëse dëshiron që bananet të bëhen në formë rethore lejojeni edhe këtë, nëse do që një ëmbëlsirë apo një bukë integrale të bëhet më formën e një auto, bëjani edhe kështu. Ky është një proces përmes të cilit fëmijët mësojnë shumë gjëra të dobishme dhe zhvillohen edhe sa i përket imagjiantës, por edhe ju shtohet dëshira për të ngrënë. Mos i ndaloni ata në këtë zhvillim. Merrni pjesë me ta në atë. Le të bëjnë forma të ndryshme ushqimi, sepse ata kanë më shumë gjasa të hanë ushqime të tilla. Në tërë këtë proces, numëroni me ta, mësoni ngjyra, këndoni edhe këngë.

4. Realizoni me mençuri kërkesat e fëmijeve për ushqim.
Nëse një fëmijë dëshiron diçka të ëmbël, i ofrojmë atij në vend të çokolatave, një frut, hurmë, mjaltë, çokollatë e zezë etj. Fëmija do të bindet se këto janë alternativat dhe në heshtje do zgjedhë një nga këto alternativa. Le të jetë gjithmonë ushqim i shëndetshëm në tryezën tuaj.

5 Mos i impononi asnjë ushqim.
Mos i kërkoni fëmijës të dëgjojë pa kushte dhe të hajë atë që i keni dhënë atij. Mos e kërkoni me çdo kusht. I’a shpjegoni përse një ushqim është i mirë dhe tjetri është i keq. I’a shpjegoni atij se çfarë vlera ka në ushqime me mollë, banane, dardhë, spinaq, karrota, vezë etj.
Shpjegoni atë që është e dëmshme në ushqimet e shpejta si hamburger, patate të skuqura, pica etj.

6.Respektojeni ndjenjën e urisë dhe ngopjes tek fëmija juaj.
Kur një fëmijë thotë ose tregon se është i uritur apo edhe e kundërta, shumë shpesh kjo ndjenjë është e vërtetë dhe ju si prindër duhet të dëgjoni qëndrimin e fëmijës tuaj. Ndonjëherë ndodhë që fëmijët në këtë mënyrë të shmangin ushqimet që nuk u pëlqejnë, por është e rëndësishme ti dëgjosh ndjenjat e qëndrimin e fëmijës tuaj, sepse ndjenja e urisë dhe ngopjes është shumë e rëndësishme. Shpeshherë prindërit gabojnë kur fëmijën nga lindja e dëshirojnë si një robot dhe janë ata që tërësisht vendosin kur do hajë, çfarë do hajë, si do hajë etj.
Në këtë mënyrë fëmijët humbasin ndjenjën apo përceprimin për urinë dhe ngopjen, apo për pëlqimin ose jo të një ushqimi. Më vonë gjatë jetës kjo mund të qojë në obezitet dhe ngrënie të pakontrolluar, sepse fëmija nuk arrinë të mësojë kur është i uritur dhe kur i ngopur.

7.Mos i ofroni shpërblim për një vakt ushqimor.
Shpeshherë prindërit i kërkojnë fëmijës së tyre për të ngrënë p.sh nje lulelakër ose sallatë të gjelbër, do e ketë si shpërblim një çokolatë apo një kola. Kjo në esencë është një mënyrë e gabuar e edukimit të fëmijëve. Kjo ndikon direkt që fëmija ngrënjen e një vakti ta kuptojë si mundësi e shpërblimit e jo si një proces normal shëndetit apo proces i domosdoshëm për të qenë të shëndetshëm.
Pra, nuk guxoni që te fëmijën ta nxisni me shpërblimin me një ushqim të dëmshëm që të hajë një ushqim të shëndetshëm.

8.Grumbullohuni e tërë familja rreth tryezës gjatë ngrënjes.
Mos provoni asnjëherë të ushtroni forcë dhe të detyroni fëmijën të hajë diqka që nuk do apo nuk i pëlqen. Nëse do e bëni këtë, fëmija do e urrejë ushqimin në tërësi. Fëmijën uleni gjithmonë në vendin e tij edhe nëse nu ha, të qëndrojë me ju deri në fund të ushqimit. Bisedoni diqka të bukur rreth ushqimit dhe falënderojeni Zotin për mirësitë që ju ka dhënë.
Fëmija duke shikuar të tjerët duke ngrënë, mund të fillojë ti pëlqejë ushqimi edhe pa dëshirën e tij.

9.Mos i lejoni teknologjinë kur të ulet për të ngrënë.
Shpeshherë prindërit kanë një ide se po i ofruan tabletin, celularin, fëmija do hajë dhe do kapërcejnë problemin. Mbase fëmija edhe mund ta bëjë këtë, por do e bëjë pa menduar, ndërsa neve na duhet një proces normal i ngrënjes dhe vetëdijësim i fëmijës për të ngrënë. Pra, nuk ka nevojë të këtë shpërblim shikimin e tabletit derisa ha ushqimin.

10. Mos i premtoni gjera të dëmshme nëse do ta hajë ushqimin.
Në asnjë mënyrë mos bëni premtim se do i jepni një çokolatë, një tortë nëse do hajë supën ose sallaten. Premtimet e tilla do i japin shprehi negative e cila më vonë do ju kushtojë.
Le te qëndron me ju ne tavolin dhe nëse nu han,provojeni vaktin tjetër pa hequr dorë nga parimet e një iushqyerje të shëndoshë.
11. Zbrazini frigoriferin e raftet ngfa ushqimet e dëmshme.
Largoni nga shtëpia ushqimet që nuk dëshironi që fëmija juaj të hajë në shtëpi. Është thënë me të drejtë larg syve –larg shijes .Kjo vlen edhe për fëmijët .Ata rrallë do kërkojnë dic nëse nuk e shohin ,flitet ne fillim se po u mësuan gabim pastaj është më e vështirë për ti ndal në këkresat që bëjnë.
Mbushni raftet dhe frigoriferin me gjëra të shëndetshme dhe lejoni qasje fëmijëve që të zgjedhin.

12. Mos u dorëzoni- keni durim
Procesi i edukimit në ushqimin e shëndoshë është proces që zgjatë por i mundshëm për të arritur te fëmijët. Mos u dorëzoni por vazhdoni përpjekjet të cilat në fund shpërblehen. Jam i bindur se secili nga ju mund të arrijë, vetëm duhet përpjekje .Takoj me dhjetëra prindër që më thonë doktor unë i përgadis të gjitha por fëmija nuk ha asgjë, çfarë të bëj ?
Të vazhdoni përpjekjet pa u ndalur deri në arritje të suksesit.
Konsultimi me pediatër ose dijetolog për të eliminuar ndonjë shkak tjetër që mund të ndikoj indirekt në mos dëshirën e fëmijës të ngrënë në përgjithësi, apo për të ngrënë gjëra të shëndetshme është në ca raste i domosdoshëm
Zbatoni këshillat e mësipërme dhe jam i bindur se do ja dilni suksessëhm edhe pse kjo e tëra zgjatë në ca raste me javë ose muaj.
Për fëmijën e vlen ,ai është dhe ngelet thesari më i vlefshëm i cdo familjeje.

Dr.Ismail Lutolli specialist Pediater
Subspecialist Dijetolog-Nutricionist

Check Also

Janë gjetur varreza masive të 500 personave të vrarë nga ISIS-i në Rakka

Janë gjetur varreza masive të 500 personave të vrarë nga ISIS-i në qytetin Rakka të …