Home / Troje Shqiptare / Kosova / Recension: Kemal Karpat, “Trashëgimia osmane dhe nacionalizmi në Ballkan”

Recension: Kemal Karpat, “Trashëgimia osmane dhe nacionalizmi në Ballkan”

Shkruan: Murat M. Aliu, Prilep

Për dallim nga liberalizmi, marksizmi dhe ideologjitë e tjera, nacionalizmi nuk ka ndonjë emër ose emra të caktuar të mendimtarëve ose ideologëve, të cilët mund të llogariten themelues të tij. Ky fakt në shkencat sociale akoma sot e kësaj ditë paraqet një problematikë metodologjike në kuptimin se studiues të ndryshëm akoma nuk kanë gjetur një konsensus të përbashkët në lidhje me përkufizimin e temave, siç janë nacionalizmi, kombi, shteti komb etj. Por, edhe përkundër kësaj, është e sigurt se me lindjen e nacionalizmit morën fund perandoritë tradicionale, të cilat për nga struktura shoqërore, ekonomike dhe organizimi politik dallonin shumë nga shtetet kombe, të cilat u formuan pas lindjes së nacionalizmit si ideologji politike.

Në këtë kontekst as Perandoria Osmane, e cila për shekuj të tërë ishte njëra nga perandoritë më të mëdha në botë, nuk arriti t’i mbijetojë ideologjisë nacionaliste, e cila gjatë gjithë shekullit XIX paraqiste një sëmundje kancerogjene për perandoritë – për faktin se i shkatërroi të gjitha strukturat tradicionale, të cilat e kishin përjashtuar elementin etnik si element konstituiv të organizmit politik, social dhe ekonomik.

Nëse do të ishim bazuar në tipologjinë e Anthony Smith mbi nacionalizmin, del në pah se, për nga anatomia dhe natyra, nacionalizmi në shtetet/shoqëritë ballkanike dallon nga ai në shtetet të Evropës Perëndimore pikërisht sepse elementi etnik përbën bërthamën e nacionalizmit në shtetet/shoqëritë “jashtë-perëndimore”, përfshirë këtu edhe Ballkanin. Këtë lloj të nacionalizmit Smith-i e emërton si “nacionalizëm etnik” kundrejt “nacionalizmit civil”, i cili është karakteristik për shtetet/shoqëritë e Evropës Perëndimore.

Librit në fjalë i historianit turk Kemal Karpat, në fakt, është një anti-tezë ose negacion i diskursit të shumë intelektualëve nacionalistë ballkanikë, të cilët e mbështesin teorinë primordialiste të kombit. Thënë ndryshe, pothuajse shumica e intelektualëve dhe studiuesve ballkanikë të nacionalizmit, krijimin e shteteve-kombe dhe kombin e tyre mundohen ta paraqesin si vazhdimësi që nga kohërat antike. Lashtësia dhe “rrënjët e thella” historike në këtë rast paraqesin fondamentin legjitimues për këto shtete, të cilat u krijuan në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Përkundër kësaj, Kemal Karpat-i është i mendimit se shtetet-kombe në Ballkan u themeluan fill pas Marrëveshjes së Berlinit dhe me ndihmën e Britanisë, Francës, Rusisë dhe Perandorisë Austro-Hungareze, të cilat qëllim të vetmin e kishin shpërbërjen e Perandorisë Osmane. Në këtë kuptim, sipas tij, asnjë nga shtetet e krijuara në Ballkan nuk bazohej në një “kombësi të vërtetë”, e cila e ruante vazhdimësinë historike nga kohërat më të lashta. Pas Marrëveshjes së Berlinit në vitin 1878, sipas autorit, detyra kryesore e udhëheqësve ballkanikë ka qenë që, duke rishkruar historinë kombëtare, ta ndërtojnë kombin, i cili në esencë asnjëherë nuk ka ekzistuar më parë. Pas vitit 1878 ka filluar rishkrimi (shpikja) i historisë për të gjithë popujt të cilët jetonin në Ballkan dhe ky konstrukt imagjinativ konsistonte në atë se këto shtete (sapo të krijuara) që nga kohërat antike e ruajnë vazhdimësinë e tyre dhe se historia e tyre e lashtë e legjitimon qenësinë e tyre në këto hapësira gjeografike. Nga këto qëndrime e shohim qartë se historiani Karpat e përvetëson qasjen moderniste, e cila e shpjegon lindjen e kombit, shtetit-komb dhe nacionalizmit. Historiani Eric Hobsbaem dhe studiuesi Ernest Gellner, si dy përfaqësuesit më të përfolur mbi nacionalizmin, janë të mendimit se nacionalizmi është produkt i modernizmit (kohërave moderne), përkatësisht i zhvillimeve dhe transformimeve kruciale, të cilat u shpërfaqën në rrafshin politik, filozofik,shoqëror, ekonomik dhe teknologjik. Kësisoj teza themelore e këtyre dy autorëve konsiston në atë se idetë nacionaliste janë të privuara nga një sociologji reale dhe se këto ide janë mbjellë ndër masat e gjëra në mënyrë vertikale (autoritare) nga lart poshtë. Pra, thënë ndryshe, elitat intelektuale dhe klasa politike janë ato që një popullit të caktuar ia kanë imponuar identitetin kombëtar, rrjedhimisht edhe idetë mbi shtetin-komb dhe kombin në përgjithësi. Ndërkaq diskursi nacionalist nuk është tjetër, veçse “shpikje” dhe “imagjinatë” për qëllime të caktuara.

Karpat-i thekson se popujt e Ballkanit në asnjë periudhë historike nuk kanë pasur vetëdije kombëtare, rrjedhimisht as edhe shtete (kombe) të bazuara në elementin etnik. Sipas tij, në vitet (1361-1369), kur osmanët erdhën në Ballkan, popujt vendas akoma ishin në fazën e organizimit fisnor dhe të jetuarit në fise e pamundësonte lindjen e vetëdijes kombëtare. Tendencat e bullgarëve që shtetin e parë bullgar, të krijuar në bregdetin perëndimor të Detit të Zi në vitin 681 dhe shtetin e dytë bullgar të krijuar në vitin 1186 nga Ivan dhe Peter Asen, ta paraqesin si shtet kombëtar, për autorin në fjalë janë të papranueshme, sepse, sipas tij, shkaku i krijimit të këtyre shteteve nuk kishte të bëjë më vetëdijen kombëtare dhe solidarizimin e pjesëtarëve të grupit etnik, por këto shtete janë krijuar për qëllime ekonomike, financiare. Ndërkaq shteti i cili është krijuar nga Car Dushani, me të cilin sot klasa politike dhe qarqet akademike serbe mundohen ta legjitimojnë etatizmin dhe nacionalizmin serb, sipas autorit, ishte një lloj perandorie multietnike. Ndërkaq shkatërrimi i këtij shteti të parë serb brenda natës (pas vdekjes së Car Dushanit) është argumenti më i qëndrueshëm se ky shtet nuk kishte asnjë bërthamë etnike, madje as edhe politike, thekson Karpat-i. Kësisoj gjithë diskursi, me të cilën nacionalistët në Ballkan disa fakte dhe ngjarje historike dëshirojnë t’i paraqesin nën petkun kombëtar, për autorin në fjalë janë vetëm pjesë e propagandës ideologjike dhe inxhinieringut social, i cili filloi në fund të shekullit XIX për të krijuar shtetet e tyre monoetnike në Ballkan, kjo me qëllim të shkatërrimit të Perandorisë Osmane. Madje, autori – në disa raste – me theks të veçantë e nënvizon karakterin racist dhe politikat raciste të këtyre shteteve (Bullgarisë dhe Serbisë), të cilat i ushtronin ndaj pakicave tjera, veçmas ndaj popullatës myslimane.

Autori, në vijim, fokusohet në rolin dhe ndikimin e Rusisë në stimulimin e nacionalizmit ndër popujt ballkanikë, veçmas ndër të krishterët ortodoksë, përkatësisht serbët, bullgarët dhe malazezët. Sipas autorit, perandori rus Pjetri i Madh luajti një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, sepse ai gjatë gjithë kohës paraqitej si “shpëtimtari” i të krishterëve ortodoksë në Ballkan. Kontributi themelor i Rusisë në zhvillimin e nacionalizmit në Ballkan përgjatë shekullit XIX ka ndodhur atëherë kur krishterimi ortodoks u shndërrua në një ideologji politike. Ndër të tjera me ideologjizimin e krishterimit ortodoks Rusia synonte provokimin e ndjenjave anti-myslimane të të krishterëve ortodoksë. Në këtë drejtim në fillim Rusia, me qëllim të fuqizimit të qarqeve anti-osmane (myslimane) në Ballkan, një pjesë të madhe të studentëve ortodoksë u ndante bursa për t’u edukuar dhe arsimuar në Rusi. Më pas në emër të vëllazërisë sllave janë themeluar një numër i konsiderueshëm i shoqatave dhe organizatave bamirëse dhe të tjera me karaktere të ndryshme. Ndërkaq kisha ortodokse, sipas autorit, u shndërrua në aparatin kryesor politik për stimulimin dhe ushqimin e ndjenjave nacionale të popullatës native, ndërsa më vonë këto kisha morën epitetin “kisha nacionale”. Ndërsa pika përbashkuese e këtyre kishave nacionale ortodokse në Ballkan ishte armiqësia kundër popullatës native myslimane dhe turqve, thekson Karpat-i.

Në pjesën e fundit të librit autori flet mbi pansllavizmin dhe panortodoksizmin, si dy rryma politike, dhe ndikimin e këtyre rrymave në krijimin e shteteve kombëtare në Ballkan, veçmas krijimin e shteti serb dhe bullgar. Sipas autorit, pas vitit 1878, pra pas Marrëveshjes së Shën Stefanit dhe Marrëveshjes së Berlinit, identiteti kombëtar i shteteve të sapokrijuara në Ballkan bazohej në themele të forta fetare, ndërsa gjuha dhe historia qëndronin në plan të dytë. Qëllimi kryesor i Rusisë ishte që, nëpërmjet këtyre dy rrymave, kulturalisht dhe politikisht, të krijojë shtete homogjene në Ballkan. Ndërkaq në të njëjtën kohë nëpërmjet pan-sllavizmit dhe panortodoksizmit dobësohej Perandoria Osmane. Rusia pas vitit 1774 filloi ta stimulojë dhe përforcojë imazhin e “gardianit të popujve të krishterëve ortodoksë” në Ballkan dhe, në këtë fushë, ajo shënoi një sukses të konsiderueshëm, thekson Karpat-i. Sepse, sipas tij, ajo arriti që pjesën më të madhe të klasës intelektuale të ortodoksëve të krishterë brenda Perandorisë ta ndikojë me idetë nacionaliste. Përbashkimi i pansllavizmit me ortodoksizmin e krishterë ndodhi pas vitit 1856 dhe ky bashkim i dha rezultatet e para atëherë kur, si pasojë e këtyre dy rrymave, shumë intelektualë filluan kërkesat për autonomi dhe pavarësi të shteteve të tyre.

Pas Luftës Ruso-Turke (1877-1878) dhe pas Marrëveshjes së Shën Stefanit dhe të Berlinit, në Ballkan u rrënua sistemi i miletit, që në esencë ishte një sistem me një strukturë multietnike dhe multifetare. Shtetet e sapokrijuara në Ballkan, të ndikuara nga panortodoksizmi dhe pansllavizmi, përvetësuan ideologji racore dhe kësisoj ato u formësuan si shtete monoetnike dhe monofetare. Por, për hir të së vërtetës, edhe pse autori në librin e tij në asnjë rast nuk e përmend, me duhet të them se, përveç këtyre dy rrymave, në formimin e shteteve kombëtare dhe në “shpikjen” e kombit në Ballkan kanë ndikuar edhe rryma të tjera perëndimore, siç ishte romantizmi gjerman dhe idetë e Herderit.

Sidoqoftë, duke mos kaluar shumë kohë, shtetet e sapokrijuara në Ballkan filluan të largohen nga diskursi vëllazëror dhe filluan të zhvillojnë një diskurs përjashtues të bazuar në nacionalizmin etnik kundrejt të tjerëve. Thënë ndryshe, Marrëveshja e Berlinit nuk e shkatërroi vetëm sistemin multietnik dhe multifetar, të krijuar nga Perandoria Osmane, por kjo marrëveshje iu kthye si bumerang më pas edhe Rusisë, sepse shtetet nacionale në Ballkan, duke mos kaluar shumë kohë pas krijimit të tyre, si pasojë e politikave nacionaliste dhe ekspansioniste, i harruan idetë “vëllazërore” të pansllavizmit dhe panortodoksizimit, thekson Karpat-i./ shenja

Check Also

Çfarë është e premte e zezë? Çfarë ndodh në ketë ditë

Çfarë është e premte e zezë? Çfarë ndodh në ketë ditë? Dhe a i lejohet …