Home / Feja / PROFETI ALEJHI SELAM DHE FAMILJA
Like faqes ne Facebook

PROFETI ALEJHI SELAM DHE FAMILJA

Pasi kishin kaluar tre vite nga fshehtësia e thirrjes islame, Profeti a.s urdhërohet që mesazhin e tij t’ua komunikojë të gjithë njerëzve dhe të parët që do të prezantoheshin me këtë mesazh, ishin pikërisht familjarët dhe gjaku i tij.

“Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm..” (Shuara, 214)

Profeti a.s i mblodhi njerëzit e gjakut që t’u flasë për mesazhin me të cilin e kishte obliguar Zoti, por xhaxhai i tij Ebu Lehebi ia prishi planet dhe takimi dështon. Sërish Profeti a.s i mbledh një ditë tjetër dhe u thotë:”Pasha Zotin! Nëse do i çoja drejt humbjes të gjithë njerëzit, juve nuk ua bëj dot diçka të tillë. Nëse do i gënjej të gjithë njerëzit, juve nuk do u gënjeja. O Safije, halla e Profetit! Bëji derman vetes nga zjarri i xhehenemit! O Abas, xhaxhai i Profetit! Bëji derman vetes nga zjarri! O Fatime, bija e Muhamedit! Bëji derman vetes nga zjarri! Unë nuk kam në dorë tu ndihmoj, por do bëj ç’mos ti ruaj lidhjet tona të gjakut.”

Nëse kjo ishte në ditët e para të mesazhit islam, ndër ajetet e fundit që iu shpallën Profetit a.s është:

“Thuaju: “Për këtë nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi tjetër prej jush, përveç respektit për hir të farefisnisë (që kemi).” (Shura, 23)

Si fillimi i mesazhit hyjnor ashtu dhe fundi, u fokusokan tek të afërmit dhe lidhjet e gjakut.

Dy djemtë e Ebu Lehebit ishin fejuar me dy vajzat e Profetit a.s, Rukajen dhe Umu Kulthumin. Si pasojë e urrejtjes dhe mllefit që ndjente për Profetin a.s, Ebu Lehebi i urdhëroi djemtë e tij ta prishin fejesën me dy vajzate Profetit a.s dhe ashtu ndodhi. Veç kësaj, Ebu Lehebi përhapi fjalë në Mekë se askush tjetër nuk mund të martohej me vajzat e Profetit a.s, edhe pse djemtë e tij e kishin prishur fejesën. Dy vajzat e Profetit a.s mbetën pa u martuar derisa Rukajen e mori Uthmani r.a, e pasi vdiq ajo u martua me Umu Kulthum.

Megjithatë, kur Profeti a.s hyri në Mekë si triumfator, pyeti:”Ku janë Utbe dhe Utejbe, dy kushërintë e mi?” Abasi i tha:”Do sjell unë o i dërguar i Allahut.” Kur erdhën, Utbe dhe Utejbe dridheshin nga frika se mos Profeti a.s do të hakmerrej. Por Profeti a.s u tha:”O Utbe dhe Utejbe! O kushërinjtë e mi! Pasha Zotin! Nëse do i çoja drejt humbjes të gjithë njerëzit, juve nuk ua bëj dot diçka të tillë. Nëse do i gënjej të gjithë njerëzit, juve nuk do u gënjeja. Nuk dua për ju veçse të mirën, prandaj unë u propozoj të konvertoheni në myslimanë.” Të dy vëllezërit dëshmuan se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s ishte i dërguari i Tij. Profeti a.s i kapi për duarsh dhe vajti bashkë me ta tek Qabja. Tregon Umeri:”E pashë Profetin a.s duke ngjitur faqen e tij për murit të Qabes dhe duke u lutur:”O Zot! Udhëzoje Utben dhe Utejben!” Sa herë që i shihja në fytyrë, më dukej sikur udhëzimi hyjnor ua ndriçonte fytyrën.”

Ditën që myslimanët hynë në Mekë, Ebu Sufjani u takua me Aliun, të cilit i tha:”Si do të dal para Muhamedit tani?” Aliu i tha:”Kur të hysh ta takosh, i thuaj ato fjalë që vëllezërit i thanë Jusufit a.s:” Ata thanë: “Betohemi për Allahun, vërtet që Allahu të ka ngritur ty mbi ne dhe ne paskemi qenë vërtet të gabuar”. (Jusuf, 91)

Ebu Sufjani që kishte qenë komandanti i ushtrisë armike, e pyeti:”Po a thua të vlejë o Ali?!” Aliu i tha:”Po.”

Me të hyrë Ebu Sufjani në dhomën ku gjendej Profeti a.s, i tha:” “Betohemi për Allahun, vërtet që Allahu të ka ngritur ty mbi ne dhe ne paskemi qenë vërtet të gabuar”. (Jusuf, 91)

Kurse Profeti a.s ia ktheu me ajetet që Jusufi a.s iu përgjigj fjalëve të mësipërve të vëllezërve:“Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është

më i mëshirshmi i mëshiruesve!” (Jusuf, 92)

Edhe pse Profeti a.s i donte dhe respektonte të gjithë sahabët, ata me të cilët kishin lidhje gjaku, ai i vlerësonte pak më shumë për hir të lidhjeve. Në betejën e Mu’te mbetën të vrarë shumë myslimanë, e bashkë me ta dhe Xhafer ibnu Ebi Talib, të cilin Profeti a.s e qau për shkak të lidhjeve të gjakut.

Në betejën e Bedrit, mbeti i vrarë dhe Ebu Ubejde ibnu Harith, kushëriri i Profetit a.s. Ai ia mori kokën në prehër dhe duke qarë thoshte:”O Zot! Ji dëshmitar se Ebu Ubejde e ka mbajtur besën!”

Kur zbuloi se në betejën e Uhudit ishte vrarë xhaxhai i tij Hamzai, Profeti a.s shpërtheu në të qara me ngashërime.

Në betejën e Hendekut, Aliu doli në dyluftim me Amr ibnul Vud, i cili nuk kishte humbur asnjë dyluftim gjer atëherë. Kur Aliu u nis për dyluftim, Profeti a.s lutej dhe thoshte:”O Allah! Ti e more Ebu Ubejde ibnu Harith, nga familja ime. O Allah ti e more Hamzanë në betejën e Uhudit, i cili dhe ai ishte nga familja ime. O Allah! Ali ibnu Ebi Talib është nga familja ime, prandaj mos më lër të vetëm!”

Në betejën e Bedrit, xhaxhai i Profetit a.s, Abasi, ishte detyruar të renditet me forcat armike të myslimanëve. Pas betejës, ai ishte marrë rob nga myslimanët. Atë natë, Profetin a.s nuk e zinte gjumi. Ai vinte e vente dhe nuk e nxinte vendi. Duke e parë në atë gjendje, dikush i tha:”Përse nuk fle o i dërguar i Allahut?” Profeti a.s ia ktheu:”Rënkimet e Abasit i kam në vesh.” Kjo, sepse Abasi qëndronte i lidhur me pranga.

Kaq shumë ishte i lidhur me familjarët dhe farefisin e tij Profeti a.s. Ai ishte i lidhur me të gjithë shokët dhe myslimanët, por me farefisin e tij pak më shumë. Po, ai ishte profet i Zotit, por ishte dhe njeri dhe si i tillë duhej të jepej më shumë pas familjarëve dhe farefisit.

A do të viheni në lëvizje pas kësaj teme me qëllim që të bashkoni familjen? Kush është i gatshëm të bëjë ç’mos derisa familjarët dhe farefisi ti rikthehen lidhjeve të forta?

Secili prej nesh do të pyetet Ditën e Kiametit çfarë kemi bërë për harmoninë në familje dhe mes farefisit.

Like faqes ne Facebook

Check Also

Video: Sot e Xhuma .. اَلْحَمْدُلِلّٰهِ️ Dita më e bukur dhe më e çmuar e javës! Zoti…

Sot e Xhuma .. اَلْحَمْدُلِلّٰهِ☝️ Dita më e bukur dhe më e çmuar e javës!🌼🌷 …