Home / Feja / Po ti, a pi në gota kristali?

Po ti, a pi në gota kristali?

Elmaz Fida

Ndër traditat e pëlqyeshme në shkollat e mesme dhe universitetet amerikane, është se nxënësit e studentët, mblidhen me njëri-tjetrin dhe me mësuesit e tyre, herë pas here, për tu interesuar për shokët, kujt prej tyre i ka ecur, kush është martuar, kush është bërë me fëmijë etj…

Në një nga këto takime të tillë mbresëlënës, studentët takohen në shtëpinë e një profesori të nderuar. Tashmë kishin kaluar shumë kohë nga vitet kur merrnin mësim nga profesori në fjalë dhe disa prej tyre ishin ngjitur në maja të larta të karrierës, ishin stabilizuar financiarisht, kishin zënë poste të lakmueshme etj…

Pasi ishin përshëndetur dhe pyetur njëri-tjetrin, filluan të ankohen për punët e shumta, presionin dhe shqetësimet e përditshme. Profesori i tyre vonohet për disa çaste dhe kur vjen, mbante në njërën dorë një ibrik të madh plot me çaj, kurse në dorën tjetër një tabaka me gota të formave dhe ngjyrave të ndryshme, gota kristali, qeramike dhe plastike. Disa gota, ishin tejet të bukura, të dizenjuara me forma dhe ngjyra tërheqëse dhe natyrisht të shtrenjta. Përbri tyre, kishte gota të lira të cilat i gjeje edhe në shtëpitë më të varfra.

Profesori u drejtohet studentëve të tij dhe u thotë:

“Urdhëroni! Secili të marrë nga një gotë dhe ti shërbejë vetes duke e mbushur me çaj!” Kur secili nga ish studentët e tij mbante një gotë në dorë, profesori foli sërish:”A e vutë re se ju të gjithë zgjodhët dhe morët vetëm gotat e bukura dhe të shtrenjta, duke lënë mënjanë ato të thjeshtat?! Është e natyrshme që ju të synoni atë që është më e mirë dhe është pikërisht kjo ndjesi ajo që u shkakton stres dhe tension. Ajo që u nevojitej, në fakt ishte vetëm çaji dhe jo gota. Megjithatë, ju të gjithë iu turrët gotave të shtrenjta dhe të bukura.

Mandej, vura re që secili prej jush, shihte gotat që kanë marrë të tjerët. Nëse jeta do të ishte çaji, mbetet që profesioni, pasuria dhe statusi shoqëror të jenë gotat. Ato janë thjesht mjete dhe enë për të mbajtur jetën. Lloji i jetës (çaji) mbetet i njëjti, nuk ndryshon. Duke u fokusuar vetëm tek gota, ne humbasim shansin për ta shijuar çajin. Prandaj, unë u këshilloj që të mos u kushtoni shumë rëndësi gotave dhe filxhanëve. Në vend të kësaj, u këshilloj ta shijoni çajin.”

Është fakt që nga kjo sëmundje vuajnë shumë njerëz, të cilëve nuk u bie ndërmend ta falënderojnë Zotin për të mirat që kanë. Sado sukses që të korrë, ai nuk e shijon pasi i mban sytë të ngulur tek suksesi dhe të mirat e të tjerëve. Ai martohet me një grua të bukur dhe dinjitoze, megjithatë mendon dhe beson se të tjerët janë martuar me gra me të mira se e shoqja. Ai ulet bashkë me shokë në restorant dhe porosit një ushqim të caktuar. Me t’ia servirur kamerieri, ai hap sytë nga pjatat e miqve të tij, duke mos e shijuar ushqimin që ka porositur. Teksa sheh ushqimin në pjatat e të tjerëve, sikur thotë: Ah sikur të kisha porositur edhe unë të njëjtën menu!”

Check Also

OKB-ja publikoi raportin mbi gjenocidin ndaj myslimanëve të Arakanit në Mianmar

Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi se ushtria e Mianmarit ndaj myslimanëve të Arakanit ka …