Home / Ekonomi / Niveli i varfërisë në Kosovë ende i lartë, mbi 25 mijë familje me social

Niveli i varfërisë në Kosovë ende i lartë, mbi 25 mijë familje me social

Kosova është ndër vendet me nivel ende të lartë të varfërisë në rajonin e Ballkanit.

Ndonëse, autoritet e Kosovës vite më parë janë zotuar se do të përmbushin objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit që ka për qëllim të ulin dukshëm varfërinë e ta rrisin nivelin e edukimit, barazisë dhe shëndetësisë, prapë numri i familjeve që marrin social nga shteti mbetet i lartë.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale këtë vit janë 25 mijë e 250 familje që janë pjesë në Skemën e Ndihmës Sociale (SNS).

“Në Skemën e Ndihmës Sociale (SNS) janë: 25.259- familje përfituese me 103.094- anëtarë të familjes ndërsa shuma e mjeteve të procesuar për pagesën e këtyre familjeve është : 2,686,217.50 euro. Për çdo fëmijë të moshës 0-18 vjeç çdo familje në SNS merr edhe një shtesë prej 5.00 euro në muaj, p.sh. një familje katëranëtarëshe që ka dy anëtarë nën moshën 18 vjeç, shuma mujore që përfiton kjo familje është: 107.50 euro)”, thuhet në përgjigjen e udhëheqësit të divizionit për komunikim publik në këtë ministri, Musa Demiri për Indeksonline.

Në krahasim me muajin shtator të vitit të kaluar, këtë vit janë 213 familje më pak që marrin social.

“Pas krahasimit të të dhënave të SNS, të muajit shtator 2018, me ato të të njëjtit muaj të vitit paraprak del që këtë vit të kemi rënie për 213 familje më pak në SNS apo minus 996 anëtarë të familjes në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka theksuar Demiri.

Ndërsa, sociologu Leutrim Sahiti për Indeksonline ka thënë se numri i madh i familjeve që marrin asistencë sociale është tregues i nivelit të lartë të papunësisë në Kosovë.

“Kështu këto familje, sipas statistikave zyrtare nuk kanë arritur të dalin nga gjendja e tyre ekonomike dhe çdo vit kanë qenë ngarkesë edhe për buxhetin e Kosovës. Numri i madh i familjeve që marrin asistencë sociale është indikator i nivelit të lartë të papunësisë në vend. Asistenca sociale është dashur të orientohej në përkrahjen e familjeve që ata pas një kohe të punësohen dhe të arrijnë të bëjnë një jetë aktiv”, ka thënë Sahiti.

Tutje, sociologu Sahiti ka shtuar se politikat e asistencës sociale kanë lënë shumë persona të aftë për punë në pasivitet.

Ndërsa, ka theksuar se shoqëria dhe bizneset duhet t’i luftojnë paragjykimet dhe të pranojnë në punë edhe personat me aftësi të kufizuar.

“Politikat e asistencës sociale, shumë familje dhe persona të aftë për punë i ka lënë në pasivitet të vazhdueshëm. Familjet me ndihmë sociale, duke përjashtuar ato që nuk kanë anëtarë të aftë për punë, është dashur të përkrahen më shumë në punësim, dhe forma tjera të trajnimit, në mënyrë që ata të gjenerojnë të ardhura për familjet e tyre. Kështu do të ruhej edhe dinjiteti i tyre dhe ato nuk do të ndjenin vetën barrë për shtetin. Në fund edhe shoqëria, bizneset private duhet t’i luftojnë paragjykimet dhe të pranojnë në punë edhe personat me aftësi të kufizuara e kështu, ata që munden dhe dëshirojnë të punësohen të arrijnë të largohen nga asistenca sociale”, ka thënë mes të tjerash Sahiti.

Sa i përket politikave të Ministrisë, për familjet në kushte të rënda ekonomike, pa asnjë të punësuar, Sahiti mendon se Ministria duhet të rishikojë politikat e saj, ngase kjo politikë e përkrahjes ndaj familjeve në nevojë, nuk ka dhënë rezultatin e duhur.

Ndryshe, në vitin 2017 kanë qenë 26 mijë e 375 familje përfituese të socialit, ndërsa nnë vitin 2016 26  mijë e 302 familje.

Ndërsa në vitin 2010 kanë qenë mbi 36 familje me ndihmë sociale, raporton Indeksonline.

Sipas akteve ligjore dhe nënligjore, për të realizuar të drejtën në ndihmë sociale, të gjithë anëtarët e familjes duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, përjashtimisht edhe shtetasit e huaj të cilët:

a) kanë leje qëndrimi,
b) personat në cilësinë e azilkërkuesit,
c) personat në cilësinë e refugjatit dhe
d) personat të cilët gëzojnë mbrojtje të përkohshme dhe plotësuese

Përveç këtyre kritereve bazë,  familjet (të dy kategorive I dhe II) për të përfituar ndihmën sociale, nuk duhet të kenë në pronësi më shumë 0.5 hektarë tokë, të hyra financiare dhe të mira materiale të llogaritshme, ashtu siç është e përcaktuar me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë Skemën e Ndihmës Sociale./Indeksonline/

Check Also

Mediat në Ekuador: Si u kap banda e shqiptarit (video)

Mediat ekuadoriane kanë zbuluar pamjet e sekuestrimit të 350 kg drogë ditën e djeshme, e …