Home / Feja / “Nga ajo që më ka ndodhur”

“Nga ajo që më ka ndodhur”

“Nga ajo që më ka ndodhur”
Autor: Ali Tantavi – (kujtimet e Tantaviut)
Unë jam një njeri të cilin lexuesit e imagjinojnë të madh, më të madh se ç’jam realisht. Po pse t’ua prezentoj fizikun tim unë atyre? Për çfarë t’u flas atyre, kur që, bisedat e mia janë shumë, e çfarë më ka ndodhur mua në jetë, i mbushin librat pafund!
Pastaj thashë: Përse të mos flas për këtë… për realitetin tim ndaj vetes sime dhe për fizikun tim imagjinar tek lexuesit e mi?
Unë në këtë kapitull kam një ngjarje qesharake tepër të çuditshme. Shkruaj më shumë se njëzet vite nëpër revistat e Sirisë e në gazetat e Egjiptit.
Lexuesit mua më kanë parafytyruar një njeri me flokë të thinjura, plak të lodhur, të kërrusur. Fillimisht nuk pata dëshirë që t’ua rrëfej këtë që më ka ngjarë, paj, sepse nuk ka për t’iu bërë dobi lexuesve, po edhe në qoftë se ata kënaqen me të. Por stacioni deshti që t’u rrëfej lexuesve e dëgjuesve çfarë më ka ngjarë mua në jetë. Qoftë qesharake apo jo. S’ka gjë, sepse e qeshura i bën dobi trupit, e përshpejton qarkullimin e gjakut dhe e shton oreksin.
Më erdhën njëherë tri njerëz të huaj, nuk më pëlqeu pamja e tyre e as nuk më gëzuan fjalët e tyre. Mbeta në derë. Po i shikoj ata, por fizionomia e tyre më jipte të kuptoj se ishin karaktere të rënda. I shikoj e më shikojnë. Por ata më shikonin mua sikur po shihnin një fëmijë. Nejse. M’u drejtuan me pyetjen:“A është kjo shtëpia e Ali Tantaviut”? Me hezitim u thashë: “Po!” Pastaj më pyetën: “Prindi a është aty”? U thashë: “Jo!” Më thanë: “E ku mundemi që ta takojmë atë”? “Tek varrezat Dehdae, në të njëjtën linjë me lumin me anë nga jugu!” – u thashë. Më pyetën: “Ka shkuar t’i vizitoj të vdekurit e tij ë”? U thashë: “Jo!” “Po atëherë” – kërceu njëri prej tyre? U thashë: “Ai është që vizitohet atje, e nuk është vizitues!” Piskati njëri prej tyre në fytyrën time me një piskamë që më futi tmerrin. Më tha: “Ka vdekur?!!! E si paska vdekur?!” U thashë: “Shumë thjeshtë, i erdhi caktimi dhe vdiq!” Më tha: “Ua shtoftë Zoti shpërblimin tuaj! Të Tij jemi dhe te Ai do të kthehemi. Oh humbja e letërsisë!” Ndala pakëz dhe i thashë: “Më fal, babai im ishte studioz e dijetar, e nuk ka qenë letrar!” Më thanë: “Oh o i gjorë, ti s’e paske njohur fare babain tënd!”
Nejse. Shkuan. E mbylla derën. E ia plasa të qeshurit në vetmi, njëjtë siç qeshin të çmendurit. Qesha sa qesha. Këtë çështje e konsiderova çështje të përfunduar më.
Pas një kohe, një natë, çuditshmërisht mbërritën disa njerëz dhe u ulën rreth meje dhe rrinin heshtur, e dikur më thanë:“Çka është ky rrëfim plotë tallje”? U thashë: “Cili rrëfim”? Kur njëri prej tyre e nxorri gazetën e m’u drejtua duke më pyetur: “Këtë a do ta injorosh”?! E morra atë gazetë dhe po lexoja në të këto fjalë:“Vdekja e Ali Tantaviut…!”
Përktheu: Agron Islami

Check Also

Prodhuesit më të mëdhenj të armëve, Rusia i zë vendin…

Rusia ka spostuar Mbretërinë e Bashkuar duke zënë vendin e prodhuesit të dytë më të …