Home / Feja / Mos u izolo nga njerëzit

Mos u izolo nga njerëzit

MENAXHOJE ARMIQËSINË E TË TJERËVE

Vetëpërmbajtja është tipar që na duhet shumë në kultivimin e raporteve me njerëz. Ajo kërkohet si në raport me dashurinë, si në raport me urrejtjen e armiqësinë. Në një hadith profetik qëndron: “Duaje të dashurin me maturi ngase nesër mund të të bëhet armik. Urreje armikun tënd por me maturi sepse nesër mund të të bëhet mik.”[1]

Dashuria dhe urrejtja zakonisht dinë të dalin jashtë binarëve të së arsyeshmes. Duke u thirrur në këtë dashuri, dikush i shpalosë të gjitha sekretet një miku a një shoku,  gjë që është gabim. Po kështu, dikë urrejtja e bën të shpërthejë në armiqësi dhe të mos shikojë pasojat. Umeri [Allahu qoftë i kënaqur me të!] ka thënë: “Le të mos jetë dashuria jote adhurim dhe as urrejtja jote shkatërrim!” Si kështu?- e pyetën. Tha: Kur ta duash dikë, jepesh pas tij sikur fëmija i pasionuar, e kur e urren, dëshiron të shkatërrohet.[2]

Shpërfillja e këtij kriteri, në radhë të parë, reflekton papjekurinë tonë.  Një njeri i urtë ka thënë: “Mos u bë i kamur (dhënë shumë) në vëllazëri e pastaj t’ia kthesh shpinën, që të njihesh kështu si i papërmbajtur gjatë vëllazërisë dhe si shpërfillës pas largimit.”[3]   Prej urtësive të Ekthem bin Sajfiut ishte edhe kjo: “Distancimi nga njerëzit provokon armiqësinë e tyre ndërsa shoqërimi i tepërt me ta për pasojë ka shoqërinë e keqe.”[4] Maverdi ka thënë: “Një shkrimtar e ka përshkruar të mençurin e ka thënë:  I mençur është ai që, kur të miqësojë, nuk kursehet nga ndihma dhe përkrahja, dhe kur të hasmërojë, vetëpërmbahet. Kështu, miku i gëzohet mendjes së tij ndërsa kundërshtari përfiton nga drejtësia e tij. Nëse i bën mirë dikujt, nuk i kërkon falënderim, ndërsa nëse dikush 

i bën keq, ose i gjen justifikim, ose e falë fare.”[5] Dikush nga të parët kishte këshilluar të birin: ‘Biri im, mos u bë i ëmbël që të përpihesh por as i hidhur që të hidhesh.’[6]

Pra, duhet të kemi kritere për dashurinë dhe urrejtjen, ndryshe, e dëmtojmë dhe veten tonë. Hasan Basriu ka thënë: ‘Doni me masë dhe urreni me masë sepse disa njerëz ra dashuria e i shkatërroi dhe të tjerë ra urrejtja e i shkatërroi. Mos kaloni kufijtë në dashuri por as në urrejtje.’[7] Ibn el-Xheuzijj ka thënë: “Nga mësimet që kam marrë nga përvojat dhe eksperiencat e jetës është që askujt mos t’i shpallësh armiqësi, sepse ku ta dish, pavarësisht pozitës që ka, të duhet. Më është dashur disa herë gjatë jetës sime t’i përkëdheli disa që kurrë nuk më ka shkuar ndërmend se do të më duhet ta bëjë atë.”[8]

Se çfarë mund të fitojmë na mëson Muhammed bin Hanefijjeh, i cili thotë: ‘Nuk është i mençur ai që nuk trajton me mirësjellje ata që patjetër duhet t’i shoqërojë derisa Allahu t’i bëjë një zgjidhje a rrugëdalje.’

Pra, nëse na duhet të kemi raporte me ta, atëherë armiqësia nuk është zgjidhja. Duhet t’i mbajmë njerëzit në kontakt, derisa Allahu të vendosë për ne ose ata.   Rebië bin Huthejmi ka thënë: “Njerëzit janë dy grupe: besimtarë (të edukuar) dhe injorantë (problematikët): besimtarët nuk i shqetësojmë ndërsa injorantët  nuk i provokojmë.”[9]

Porosia: ‘Mos u bë i ëmbël që të kapërdihesh por as i hidhur që të hidhesh!’

 

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

Video e realizuar nga: Albunion Media

[1] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e konsideron autentik. Disa këtë thënie ia atribuojnë Aliut [Allahu qoftë i kënaqur me të!] dhe mohojnë që të jetë hadith profetik.
[2] Buhariu në Edebu-l-mufred, nr. 1322.
[3] El-Muxhaleseh, 3/417.
[4] El-Muxhaleseh, 3/60.
[5] Edebu–dunja ve-d-din, fq. 27.
[6] Ibn Vehb, El-Xhamiu, nr. 475.
[7] Bejhakiu, Shuabu-l-Iman, 5/261.
[8] Sajd el-hatir, fq. 230.
[9] Imam Ahmedi, Ez-Zuhdu, fq. 460. Klasifikimi i bërë nga Rebiu është në kontekst të të udhëzuarit dhe të paudhëzuarit.

Check Also

Video: 🔸Hasbi Rabbi Salallah Allahu Allah 🔸Një ilahi Cover Nga Sami Yusuf Kenguar Nga Nje Femer 🔸Shpërndaje •Globi Islam √

🔸Hasbi Rabbi Salallah Allahu Allah 🔸Një ilahi Cover Nga Sami Yusuf Kenguar Nga Nje Femer …