Home / Bota / Kreu i OBI-t: Masakra izraelite në kufirin e Gazës është krim lufte dhe krim kundër njerëzimit

Kreu i OBI-t: Masakra izraelite në kufirin e Gazës është krim lufte dhe krim kundër njerëzimit

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), Yousef bin Ahmad al-Othaimeen, deklaroi të premten se masakrat e forcave izraelite në Palestinë janë kryekëput të papranueshme.

Al-Othaimeen mbajti një fjalim në Takimin Përgatitor të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Konferencës së Samitit Islam të OBI-t.

“Ne duam të theksojmë nga këtu se gjykatat e të drejtave të njeriut duhet të formojnë një komision hetimor. Ne duhet t’u drejtohemi gjykatave kundër këtyre padrejtësive dhe të kërkojmë të drejtat e të shtypurve”, tha ai duke nënvizuar se masakrat e bëra nga forcat izraelite në Palestinë nuk mund të pranohen në asnjë lloj mënyre.

Kreu i OBI-t tërhoqi vëmendjen mbi kasaphanën, që ushtarët izraelitë bënë në kufirin e Gazës ndaj palestinezëve, ndërkohë që këta të fundit protestonin transferimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Jerusalem.

“Unë dua të potencoj sërish këtu se sa tokë e çmuar është Jerusalemi. Duke marrë shkas nga hapja e Ambasadës së SHBA-së, Izraeli ka filluar të shkallëzojë stresin dhe të bëjë masakra ndaj myslimanëve e civilëve palestinezë në rajon”, u shpreh Al-Othaimeen.

“Populli palestinez është nën pushtim. Detyra jonë është që ta mbështesim dhe ta mbrojmë popullin palestinez. Tani, Izraeli po kryen një masakër. Dhuna izraelite gjatë protestave në kufirin e Gazës paraqet krim lufte dhe krim kundër njerëzimit”, nënvizoi sekretari i përgjithshëm i OBI-t duke shtuar gjithashtu se të gjitha vendet anëtare kanë ardhur për këtë mbledhje urgjente në Stamboll, për të treguar kundërshtimin e tyre ndaj hapjes së Ambasadës së SHBA-së në Jerusalem dhe vendosmërinë e palëkundur të tyre në lidhje me këtë vendim./ trt

Check Also

Vogëlushja që qan në kufirin amerikan, flet fotografi: më theu zemrën…

Fotografi që fiksoi imazhin që u bë viral në rrjetet sociale, ekspozoi vuajtjet nga politika …