Home / Analiza / Koment – Fitorja e Erdoganit dhe politika e jashtme turke

Koment – Fitorja e Erdoganit dhe politika e jashtme turke

Analizë nga Can ACUN, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), në Ankara…

 

*Can ACUN

Turqia më 24 qershor mbajti njëkohësisht zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Në këto zgjedhje, të cilat janë monitoruar me interesim të madh nga opinioni botëror, Presidenti Recep Tayyip Erdogan fitoi në raundin e parë me 52,6 për qind dhe kështu u bë presidenti i parë i sistemit të ri, ndërsa aleanca popullore e formuar nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) fitoi shumicën e vendeve në Kuvend. Turqia së bashku me rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura bëri edhe kalimin në sistemin e ri. Pjesëmarrja në zgjedhjet e mbajtura në Turqi ka qenë në nivel 87 për qind, ndërkaq opinioni botëror ndoqi nga afër këto zgjedhje. Fitorja e Erdoganit dhe aleancës popullore është e cilësisë së “vazhdimit” të politikës së jashtme dhe të luftës kundër terrorit.

Duke shfaqur një qasje efikase dhe proaktive në politikën e jashtme Turqia ka vepruar në mënyrë shumëboshtore në drejtim të interesave kombëtare. Duke bashkëpunuar me aleatët në NATO në njërën anë dhe me Rusinë dhe Iranin në anën tjetër, ajo në të njëjtën kohë ndjek edhe një politikë të jashtme efikase në Lindjen e Mesme, Ballkan, Azi dhe Afrikë. Në mesin e elementeve më të rëndësishme që mbështesin politikën efikase të jashtme të Turqisë në pah dalin ndihmat humanitare dhe industria e mbrojtjes. Turqia, e cila ka ekonominë e 13-të më të madhe në botë, radhitet e para për nga ndihmat humanitare. Punimet e kryera në çështjen e ndihmave humanitare janë të dhënat më të rëndësishme që tregojnë vlerën që i jep Turqia njeriut.

Në anën tjetër edhe hapat që hodhi Turqia në industrinë e mbrojtjes janë tregues të rëndësishëm të rolit të saj në politikën e jashtme. Shitja e helikopterëve të tipit ATAK Pakistanit, mundësia e shitjes së autoblindave vendeve të Gjirit dhe kërkesa e madhe për dronët të armatosur dhe paarmatosur, që janë prodhim vendor, gjithashtu tregojnë të arriturat e Turqisë në fushën e teknologjisë. Rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura më 24 qershor nënkuptojnë dritën jeshile për vazhdimin me qasje të njëjtë në politikën e jashtme me në krye atë të ndihmave humanitare dhe të industrisë së mbrojtjes. Në të vërtet qytetarët turq janë “pro” vazhdimit me ndihma ndaj personave në nevojë në Somalinë.

Këto rezultate në të njëjtën kohë kanë rëndësi të madhe edhe për luftën kundër terrorit. Pas dhënies fund pranisë së organizatës terroriste DAESH në kufirin e Turqisë me anë të operacionit “Mburoja e Eufratit” edhe zona e Afrinit u spastrua nga organizata separatiste terroriste YPG/PKK me operacionin “Dega e Ullirit”. Ndërkaq mund të themi se me rezultatet e arritura në zgjedhje edhe “Operacioni i Vendosmërisë”, i cili po zhvillohet në veri të Irakut dhe me anë të të cilit synohet ndërprerja e linjave të furnizimit të PKK-së drejt Turqisë si dhe spastrimi i plotë i zonës Kandil, që është edhe qendra e organizatës terroriste, do të vazhdojë aty ku ka mbetur. Turqia në kontekstin e doktrinës së re të deklaruar në kuadër të luftës kundër organizatave terroriste nuk do të kufizohet vetëm brenda kufijve të saj, por do ti eliminojë elementët e terrorit edhe matanë kufirit. Në kontekstin e doktrinës së re Turqia me anë të tre operacioneve të ndërmarra dhe me operacionet në vazhdim, në masë të madhe ka ulur aktivitetet e terrorit brenda kufijve të saj. Me këto operacione synohet eliminimi i terrorit në burim dhe dhënia fund terrorizmit në Turqi.

Në anën tjetër në kuadër të udhërrëfyesit të dakorduar mes Turqisë dhe ShBA-së, organizata terroriste YPG do të largohet nga zona e Menbixhit dhe dy aleatët e NATO-s do të vendosin sigurinë dhe udhëheqjen vendore civile në këtë zonë. Ndërkaq udhërrëfyesi i dakorduar në kuadër të marrëveshjes së arritur para 24 qershorit dhe që është në fuqi, po vazhdon pa pengesa në saje të fitores së Presidentit Recep Tayyip Erdogan në raundin e parë të zgjedhjeve për president të parë të sistemit të ri. Në të njëjtën kohë mund të themi se edhe procesi i Astanës, i filluar dhe që vazhdon nën patronazhin e Turqisë, Rusisë dhe Iranit si vende garantuese, për të ulur tensionimin dhe për të përgatitur terrenin për vendosjen e paqes në Siri, do të vazhdojë në mënyrë të njëjtë. Pra, rezultatet e zgjedhjeve janë një zhvillim pozitiv për të gjitha marrëveshjet e arritura me Turqinë, për mënjanimin e paqartësive pas zgjedhjeve dhe për vazhdimin e stabilitetit në vend.

*Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara. 

Check Also

Arabia Saudite, Jordania dhe autoritetet palestineze, paralajmërim Izraelit kundër Turqisë

Arabia Saudite, Jordania dhe Palestina kanë paralajmëruar Izraelin mbi rritjen e ndikimit turk në Jerusalemin …