Home / Feja / “Kaq shumë persona të zhvendosur nuk ka pasur kurrë më parë”

“Kaq shumë persona të zhvendosur nuk ka pasur kurrë më parë”

Zhvillimet janë dramatike – këtë e tregojnë shifrat më të fundit të OKB-së në Gjenevë. Në të gjithë botën ka gjithnjë e më shumë njerëz që për shkak të luftës, dhunës ose përndjekjes në forma të tjera janë të detyruar të braktisin atdheun. Gjithsej vitin e kaluar, në arrati ndodheshin 68,5 milionë vetë, duke e shtuar numrin e vjetshëm me gati tre milionë vetë. Këto të dhëna publikohen në raportin më të fundit vjetor të Organizatës së OKB-së për Refugjatët, UNHCR.

Ajo që duket si një rritje e moderuar, është megjithatë shqetësuese, thotë Filippo Grandi, Komisari për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara. Ai e sheh këtë rritje si një “shenjë të keqe”, sepse shifrat edhe përpara qenë shumë të larta, shkruan DW.

“Kjo do të thotë konkretisht se konfliktet, të cilët janë shkaku kryesor për migrimin e refugjatëve dhe të të zhvendosurve, nuk janë zgjidhur. Ne jetojmë me të vërtetë në një botë në të cilën është bërë e pamundur që të vendosësh paqe”.

Vatrat e krizës nga vijnë refugjatët

Përgjegjës për rritjen e shifrave të refugjatëve kanë qenë para së gjithash kriza në Republikën Demokratike të Kongos, lufta në Sudanin Jugor dhe arratia e qindra-mijërave Rohingya nga Myanmari në Bangladesh. Dy të tretat e të gjithë refugjatëve janë nga pesë vende: Siri, Afganistan, Sudan Jugor, Myanmar dhe Somali.

Nëse do të merrte fund konflikti në vetëm njërin nga këto vende, kjo do të kishte pasoja të ndjeshme në tablonë e përgjithshme. Shumica e njerëzve zhvendosen brenda vendit, në rajone të tjera të vendit të tyre. Pjesa më e madhe e atyre që zhvendosen jashtë vendit, kërkoi mbrojtje në vendet fqinjë. Kështu Turqia, me 3,5 milionë refugjatë kryesisht sirianë, është vendi që ka pranuar më shumë refugjatë në botë. E llogaritur në numrin e popullatës, Libani është shteti që ka pranuar më shumë refugjatë.

Filippo Grandi mbështet në mënyrë të qartë kufijtë e hapur për të gjithë ata që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare. Me shqetësim të madh i ndjek Komisari i OKB-së për refugjatët diskutimet në shumë shtete evropiane për mbylljen e kufijve dhe për një ashpërsim të trajtimit të të zhvendosurve.

“Ne jemi të mendimit se Evropa duhet të jetë edhe më tej ai model për azilin, siç ka qenë për dekada, sepse e thënë hapur, po të tërhiqet Evropa, si mund t’u kërkojmë vendeve shumë më të varfëra në Afrikë, në Lindjen e Afërt, në Azi dhe në Amerikën Latine që t’i mbajnë hapur kufijtë për njerëzit, të cilët janë në arrati prej konflikteve të tmerrshme?”

Rënie e ardhjes së refugjatëve në Evropë

Në një kohë që në të gjithë botën ka gjithnjë e më shumë refugjatë, në Evropë shifrat e refugjatëve kanë rënë, edhe në Gjermani. Vitin e kaluar këtu erdhën më pak se 187 mijë azilkërkues. Në vitin 2015 qenë pesë herë më shumë. Filippo Grandi i bën thirrje Gjermanisë që të jetë edhe në të ardhmen kampion humanitar.

“Ne dëshirojmë që Gjermania të marrë në Evropë edhe më tej një rol drejtues në zbatimin e një koncepti të përbashkët të azilit dhe migrimit. Zhvillohen shumë diskutime, për fat të keq shumë të politizuara. Gjermania vazhdon të mbrojë një premisë të mbështetur në parime në këtë çështje të rëndësishme”.

Komisari i refugjatëve i paralajmëroi të gjitha shtetet që të mos i ndalojnë përpjekjet për të mbështetur personat e zhvendosur. Ai thotë: “Asnjë njeri nuk bëhet vullnetarisht refugjat. Por këta njerëz ne mund t’i ndihmojmë krejt vullnetarisht”.

Check Also

Debati për shaminë në Austri, muslimanët të shqetësuar për të ardhmen

Në Austri ka një ligj i cili ndalon mbajtjen e burkës, ndërsa me pretekstin e …