Home / Feja / HAXHI I KËPUCTARIT (Tregim ngushëllues për ata që ende nuk e kanë kryer haxhin)

HAXHI I KËPUCTARIT (Tregim ngushëllues për ata që ende nuk e kanë kryer haxhin)

HAXHI I KËPUCTARIT

(Tregim ngushëllues për ata që ende nuk e kanë kryer haxhin)

Transmetohet se dijetari islam Abdullah ibn Mubareku e kishte pa një ëndërr derisa po flinte në afërsi të Qabesë. Abdullah ibn Mubareku i kishte pa në ëndërr dy melekë, të cilët duke zbritur nga qielli po bisedonin me njëri-tjetrin.
Njëri melek e pyeti tjetrin: “A e di se sa njerëz kanë ardhur për ta kryer haxhin këtë vit?”

Meleku tjetër u përgjigj: “Sivjet kanë ardhur për ta kryer haxhin 600.000 njerëz.” Edhe Abdullah bin Mubareku gjithashtu atë vit kishte shkuar për ta kryer haxhin.

Meleku i parë përsëri e pyeti të dytin: “Po prej sa haxhinjve është pranuar haxhi?”

Tjetri u përgjigj: “Është në pyetje se a do t’i pranohet dikujt haxhi.”

Abdullah bin Mubareku u pikëllua shumë kur e dëgjoi këtë. Ai mendoi, “kaq shumë njerëz kanë ardhur nga vende të ndryshme; kanë kaluar shumë pengesa, lumenj, xhungla, male, bjeshkë – aq shumë kanë vuajtur dhe kanë përballuar vështirësi të ndryshme. A do të shkojë kot mundi i tyre? Allahu nuk lejon që askujt t’i shkojë mundi kot.”
Ai vetëm kaq mendoi, kur ja po e dëgjon melekun tjetër duke thënë: “Në Damask jeton një këpucëtar. Emri i tij është Ali ibn el-Mufik. Ai nuk ka ardhur në haxh, por Allahu ia ka pranuar haxhin e tij. Dhe jo vetëm që është shpërblyer për haxh, por për shkakun e tij, edhe të gjithë hanxhinjve tjerë do tu pranohet haxhi i tyre.”
Kur Abdullah ibn Mubareku u zgjua nga gjumi, vendosi menjëherë të shkojë në Damask dhe të njoftohet me atë këpucëtarin, nijeti i të cilit për ta kryer haxhin kishte qenë aq i vlefshëm.

Kur mbërriti në Damask, Abdullah ibn Mubareku pyeti se a ka dikush që e njeh këpucëtarin me emrin Ali ibn el-Mufik.

Banorët e qytetit e dërguan te një shtëpi. Abdullah ibn Mubareku e takoi atë në derën e shtëpisë së tij, i dha selam dhe e pyeti për emrin e tij. Njeriu u përgjigj: “Unë quhem Ali ibn el-Mufik.”
Abdullah ibn Mubareku e pyeti: “Me çka merresh ti?”
Ai u përgjigj: “Unë jam këpucëtar.” Pastaj edhe ai e pyeti si quhesh dhe pse po më kërkon mua. Abdullah ibn Mubareku ishte shumë i njohur dhe kur iu prezantua këpucëtarit, ky u bë shumë kurioz, se pse një dijetar kaq i njohur po e kërkonte pikërisht atë.
Kur Abdullah ibn Mubareku e pyeti Aliun nëse kishte pasur ndonjë plan për ta kryer haxhin, ai i tha: “Tash 30 vjet unë jetoj me shpresë se një ditë do ta kryej haxhin. Këtë vit, më në fund, tubova të holla të mjaftueshme për këtë, por nuk ishte vullneti i Allahut, kështu që edhe sivjet nuk e bëra.”

Abdullah ibn Mubareku ishte shumë i interesuar të di, se pse nijeti i këtij këpucëtari ishte i pranuar dhe i begatshëm për të gjithë njerëzit e sivjetmë në haxh, edhe pse ai vetë fare atje nuk kishte shkuar. Derisa po fliste me këpucëtarin, ai e ndjeu pastërtinë e zemrës së tij. Islami nuk e shpërblen pasurinë në kapital dhe në pushtet, por pasurinë në mirësi, sjellje të mira dhe në mirësi të zemrës.
Abdullah ibn Mubareku edhe më tutje e pyeti: “Po pse nuk munde të shkosh në haxh?” Duke mos dashur ta zbulojë arsyen e vërtetë, Aliu tha: “Kështu ishte vullneti i Allahut.”
Megjithatë, Abdullah ibn Mubareku ishte këmbëngulës dhe Aliu ia zbuloi arsyen:

“Një herë unë shkova në shtëpinë e një fqinjit tim. Familja e tij ishte ulur në dysheme dhe po hanin drekë. Edhe pse nuk isha aspak i uritur, mendova se fqinji do të më ofrojë të ulem dhe të ha bashkë me ta nga mirësjellja, por vura re se ishte shumë i pikëlluar për diçka, dhe përpiqej të shmanget, që të mos më thirrte për të ngrënë!

Pasi hezitoi, fqinji im më në fund më tha: “Po më vjen keq që nuk po mund t’ju ftoj për të ngrënë me ne. Ne ishim pa ushqim për tre ditë, dhe unë nuk munda të duroj më gjatë duke e shikuar familjen time të uritur dhe duke e shikuar dhimbjen e fëmijëve të mi. Dola për të kërkuar pak ushqim dhe e gjeta një gomar të ngordhur. Me dëshpërim e preva një pjesë mish nga kafsha e ngordhur dhe ia solla gruas time për ta gatuar për ushqim. Kjo për neve është hallall, për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën gjendemi, por unë ty nuk mund ta ofrojë për të ngrënë!”
Aliu e vazhdoi tregimin më tutje:

“Kur e dëgjova këtë, zemra ime qau. Menjëherë u ngrita dhe shkova në shtëpi, i mora 3.000 dinarët që i tubova për haxhin tim dhe ia dhashë fqinjit. Edhe vetë kam qëndruar i uritur deri sa i kam tubuar ato të holla, por mendova se ndihma për fqinjin tim në momente të vështira është më e rëndësishme se kjo… Megjithatë, ende unë dëshiroj të shkoj në haxh, por nëse është vullneti i Allahut… “
Abdullah ibn Mubareku u prek thellë nga ky tregim, dhe këpucëtarit ia tregoi ëndrrën që e kishte parë.
Vepra e një këpucëtari, nijeti i tij i sinqertë dhe i pastër, pastërtia e zemrës së tij, është më e vlefshme se haxhi i 600.000 haxhinjve. Kjo na kujton neve se feja jonë dhe ritualet e saj nuk janë vetëm formë, ajo është vepër, aksion … Në të vërtetë te Allahu nuk arrin gjaku dhe mishi i kurbaneve tanë dhe ritet tona të haxhit, por te Allahu arrin vepra jonë e mirë, devotshmëria jonë dhe nijeti i sinqertë, siç e kishte ky këpucëtar.
Ndihma e muslimanit në telashe është më prioritare dhe më e vlefshme se shumë ibadete me zemër të ngurtë dhe me ndërgjegje të pakujdesshme.
Vetë vizita e vëllait në fe është sikur qëndrimi në kopsht të xhenetit, madje diçka edhe më shumë se kaq; fjala e bukur, këshilla dhe kujdesi.

Një vepër e cila neve nganjëherë na duket aq larg, e vogël dhe e parëndësishme, ajo ndoshta dikën e ka bërë të lumtur dhe ia ka ndryshuar jetën nga themeli, ose ia ka rikthyer besimin tek njerëzit, ose shpresën, ose ia ka forcuar imanin, ose ndoshta ne jemi bërë shkaktar për udhëzimin e dikujt në fenë e Allahut, ose për përfitimin e dikujt, dhe ne këtë mund të mos e dimë.
Ndonjë vepër e jona mund të jetë më e vlefshme se haxhi ose kurbani i dikujt. Atë e di vetëm Allahu. Andaj, mos të dekurajohemi nëse nuk e kemi kryer haxhin apo nuk kemi therur kurban, Allahu na jep edhe shumë mundësi për ta fituar kënaqësinë e Tij.
Gjithashtu, vullneti i Allahut shpesh për ne është misterioz, por ai është i vetmi i paprekshëm, i padiskutueshëm, sepse Allahu bën atë që Ai dëshiron. Ai i di zemrat e robërve të tij, dëshirat e tyre dhe di çka ka përgatitur për robërit e Tij dhe e di se çka është e mirë për ta. Gjithçka ndodh ashtu siç dëshiron Allahu, dhe, ndonëse ndonjë herë neve diçka na duket e keqe, në të për neve mund të jetë ndonjë e mirë e madhe. Vërtetë, me vështirësinë është edhe kënaqësia, dhe vërtetë pas një nate të gjatë, na zgjon dielli i bukur me begatitë që na sjellë dita tjetër. Neve nuk ka mundur të na anashkalojë ajo që na ka goditur, e as nuk ka mundur të na godas ajo që na ka anashkaluar. Allahu e di, kurse ne i nënshtrohemi Atij.
Allahu është Mëshirues dhe Ai u jep mëshirën e Tij atyre që janë të mëshirshëm ndaj krijesave të Tij. Vepra e këtij këpucëtari aq shumë e kishte gëzuar Allahun e Plotfuqishëm, sa që jo vetëm që e shpërbleu me shpërblimin që ka një haxhi, por i shpërbleu edhe të gjithë të tjerët që atë vit kishin shkuar për ta kryer haxhin. E, haxhi është një udhëtim që e inkurajon shpirtin që ta kujtojë kohën kur u krijua dhe njeriun e bartë jashtë dimensioneve të kësaj jete në kohën kur përsëri do të takohet me Krijuesin e tij.
studiodin.blogger.ba; http://www.novihorizonti.ba//

Përshtati: Miftar Ajdini

Check Also

Çfarë fsheh admirimi i Zukerbergut për perandorin August?

Njerëzve me shumë pushtet u pëlqen të adhurojnë një figurë historike. U pëlqen të kenë …