Home / Feja / Dorën ia fali Kosovës, jetën misionit të pajtimit: Hoxhë Fatmir Latifi, njeriu që askush nuk e ka refuzuar në konakun e tij (Foto/Video)

Dorën ia fali Kosovës, jetën misionit të pajtimit: Hoxhë Fatmir Latifi, njeriu që askush nuk e ka refuzuar në konakun e tij (Foto/Video)

Dora e mbuluar me xhemperin e tij, në të cilën vërehet menjëherë mungesa e shuplakës, është ndër gjërat e para që të bien në sy, sapo të jesh ulur përballë tij. Invalidi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), derisa flet për dramën e tij jetësore, tregon se si u kthye nga vdekja pas komës e cila zgjati për tri javë.

Imami i xhamisë së Shipolit, Fatmir Latifaj, në një intervistë për Telegrafin, tregon se si në moshën 18 vjeçare ishte bërë pjesë e UÇK-së, në Zonën Operative të Drenicës, me ç’rast ai në një pritë të forcave serbe plagoset keq, duke u detyruar më pas që ta amputojë shuplakën e dorës së djathtë.

Duke e vazhduar rrëfimin e tij, ai ka sqaruar për mënyrën se si ishte plagosur – kur me urdhër të eprorëve të tij, si i ngarkuar me përcjellje të disa detyrave ushtarake deri në Junik, niset nga zona e Drenicës për në zonën e Dukagjinit, ku edhe bie në një pritë të forcave serbe.

Tregimi i 37 vjeçarit, i cili me krenari thotë se “dorën ja fala Kosovës dhe prapë do ta bëja të njëjtën”, vazhdon të rrëfej për vështirësitë që i dolën pas këtij aksidenti.

Hoxha Fatmir Latifi – misionari i pajtimit
“Kam qenë në koma për tri javë, dhe nuk më kujtohet asgjë. Ajo që e mbaj mend, është se kur i kam hapur sytë, kam qenë i shtrirë në një spital në Turqi. Diku 70 për qind të trupit e kam pasur jashtë funksionit. Vetëm Zoti e di sa e rëndë ka qenë adaptimi me rrethanat e reja. Kisha probleme me nofullën, e ajo që më shkaktonte problemet më serioze, ka qenë dëmtimi i gjëndrave pështymore, ku nuk kisha mund ta kontrolloja pështymën”, ka theksuar ai.

Latifaj tregon se edhe mjekët kishin hequr dorë dhe i kishin thënë “se duhet të pajtohesh me faktin se nuk mund të kthehesh përsëri në gjendje normale”.

“Më kujtohet si sot, se gjatë asaj kohe pata vendosur ta bëjë Umren – vizita e vendeve të shenjta (Meka dhe Medina) – ku iu pata lutur të Plotfuqishmit Zot, me thellësinë e zemrës, me këto fjalë: Ose do të më shërosh, ose unë nuk do të largohem nga ky vend. E, Krijuesi i gjithësisë, më pranoi lutjen, sa që kur shkova për vizitën e radhës të mjekët të cilët e trajtonin problemin tim, më thanë se nuk ka mundësi të ndodhë ky rikthim. Për njerëzit nuk ka mundësi, për Allahun asgjë nuk është e vështirë”, ka thënë ai.

Ai sqaron për Telegrafin se kthimi në Kosovë ishte me dilema, për arsyen e vetme “se nuk e dija si do të reagonin prindërit e mi kur do të më shohin në këtë gjendje”.

“Ata nuk e dinin se i biri i tyre do të ishte në një gjendje tjetër nga koha kur ishte larguar nga shtëpia. Ishin bërë muaj kur unë nuk isha parë më familjen. Dhe, kur u ktheva, nuk ka qenë aspak e lehtë për ata të më shohin me një mori telashesh. Besoj atë ndjenjë vetëm një prind mund ta di”, ka shtuar Latifaj.

Ai ka theksuar se në këtë kohë kishte edhe momente të gëzueshme: “unë po merrja trajtimin mjekësor, kur mora një lajm tepër të gëzueshëm, që ishte pranimi në Universitetin Islamik të Medinës, duke e forcuar rrugën time për tu bërë hoxhë”.

Ai vazhdimisht flet e sqaron situata dhe ndodhi që e kanë përcjellë atë, por me theks të veçantë dhe me doza të larta falënderimi flet për bashkëshorten, e cila sipas tij, është një heroinë për të.

“Unë në vitin 2002 jam martuar. Ka qenë moment tepër me rëndësi në jetën time, për arsye se nuk isha sikurse të gjithë të tjerët. Mungonte diçka, po flas në aspektin fizik. Por, mrekullia e Zotit është se ai më begatoj më një grua fisnike dhe burrërore, e cila nuk kishte ngurruar që ta pranoj një bashkëshort me ‘mungesa’ si unë. Unë shpeshherë e them metaforiksht se ajo është ‘Shota ime’”.

Imami i Xhamisë së Shipolit – invalid i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)

Invalidi i UÇK-së, duke folur për periudhën e luftës, e përmend me lot në sy, dëshmorin e kombit, Ilaz Kodra – komandant i tij, për të cilën thotë se “pak nana lindin asi burra”.

Imami Latifaj, dramën e luftës – pavarësisht dhimbjeve – thotë se e kujton me krenari, dhe se dashurinë për vatanin në periudhën e paqes, e ka transformuar në një mision të cilit ai thotë se do t’i shërbej deri në frymën e fundit.

“Ata që më njohin, kryesisht në qytetin tim, e dinë se ‘Mulla Fatmiri’, është adresa ku drejtohen njerëzit që kanë ngatërresa, gjaqe e probleme ndërnjerëzore. Unë bëj përpjekje me autoritetin tim si hoxhë – i cili ende respektohet në shoqërinë tonë – t’i zbusë zemrat e t’i pajtoj shqiptarët”, ka theksuar ai.

Imami nga Mitrovica thekson se “në një klimë aspak të këndshme, të gjendjes së rëndë sociale dhe ekonomike, e dalldisë së rinisë tonë pas disa ‘vlerave’, që nuk janë tonat”, sipas tij, “na është shtuar edhe një brengë, ajo e vëllavrasjes, gjakmarrjes dhe e ngatërresave për motive banale”.

“Fatkeqësisht na ka humbur orientimi, dhe pasojat po i shohim dita–ditës, dhe kam drojën se do të jetë vonë nëse nuk i parandalojmë disa fenomene që na kanë pllakosë si shoqëri”, ka shtuar ai.

Latifaj thekson se nga paslufta në vend, janë rreth 1 mijë raste të vrasjeve, duke përfshirë gjakmarrjen, vrasjet për arsye të ulëta, etj.

Një nga shumë procesverbalet, ku evidentohet pajtimi i dy familjeve që ishin në gjak

“Shkurt e shqip, këtu një shqiptar e ka vrarë një shqiptar tjetër. E tmerrshme. Problem social i cili është barrë që nuk mund ta durojë kjo shoqëri”, ka theksuar ai.

Ai ka thënë se e falënderon Zotin për frymëzimin që ia ka dhënë, që ai të jetë ura lidhëse që shumë familje të pajtohen, e shumë ngatërresa të zgjidhen, duke shtuar se burim frymëzimi i ka fjalët e Allahut, porositë e profetit Muhamed, dijetarëve e imamëve të mëdhenj, duke përfshirë këtu sipas tij, edhe hoxhallarët shqiptarë, “të cilët u grinë, u prenë, e u treten në shërbim të kësaj toke”.

“Mjafton si kujtim Mulla Idriz Gjilanin, që ka qenë halë në sy për Jugosllavinë dhe komunistët. Luftëtar që se ka pasë shokun. Hoxhë Idriz Kokrrukin, njeri i urtë e pajtues i madh. Do të më mjaftonte t’i ngjasoja atij”, ka theksuar Latifaj.

Ai thotë se “e ka nisë këtë mision për hir të Zotit, e beson fuqishëm se nuk do të zhgënjehet”. “Unë dua ta sqaroj se jam ‘pajtues’ dhe jo person i cili merr vendime ekzekutive, sepse ato i kryejnë organet gjegjëse. Unë vetë jam krah i institucioneve të vendit”, ka shtuar Latifaj.

Imami i xhamisë së Shipolit, ka thënë se frymëzimi i mbjellur prej Zotit dhe puna e vazhdueshme në këtë drejtim, kanë bërë sipas tij, që ky angazhim të mos i shkaktojë lodhje dhe mërzi.
“Nuk është e lehtë të bisedosh me personat që kanë humbur të birin, babanë, vëllaun, etj, e aq më tepër të kërkosh të falin, ta shtrijnë dorën e pajtimit me ‘vrasësin’”, ka theksuar ai.

Latifaj ka thënë se “nuk e mban mend ndonjë rast që dikush ta ketë refuzuar në konakun e tij, kur ka shkuar që ta inicioj pajtimin”.

“Ka ndodhur të thotë që nuk mund ta falë, dhe se i duhet kohë. Por, të më kthej prapa, asnjëherë. Nga ajo që kam vërejtur respekti për pozitën time si shërbyes fetar dhe për ‘hatër të kësaj dore’, është shumë i madh, dhe rrjedhimisht kjo bën që fjala ta ketë peshën e vet. Asnjë rast që e kemi ndërmjetësuar, nuk ka dështuar apo thënë më shkurt nuk i kanë rënë pishman. Unë besoj se kjo punë po bëhet për hir të Zotit, dhe fuqishëm besoj se po për këtë arsye këto pajtesa do të jenë të gjata sa të ekzistojë bota”, ka shtuar ai.

Imami tregon se “janë me dhjetëra në mos me qindra procesverbale të pajtimeve që kanë kaluar nga dora e tij, e ku prezent (dëshmitarë) kanë qenë edhe figura të rëndësishme të jetës fetare, politike dhe sociale në vend”.

“Pajtesat zakonisht bëhen në xhami, për arsye se është vendadhurim i Zotit, ku njerëzit gjejnë prehje dhe qetësi. Arsyeja tjetër është se kemi të bëjmë më një numër të madh të pjesëmarrësve që janë prezent – dëshmitar të atij akti”, ka sqaruar ai.

Latifaj me entuziazëm tregon se mundin e tij për pajtesa, nuk e ka kursyer edhe kur është bërë fjalë për pjesën veriore të Kosovës.

“Dua ta theksoj se pajtimet i kemi bërë edhe në pjesën veriore. Kemi hyrë ne mesin e strukturave paralele, të cilat kanë tentuar të orekstrojnë vëllavrasje në mesin shqiptarëve në atë pjesë, dhe kemi arritur ta parandalojmë një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Sipas tij, secili rast dallon nga tjetri, për shkak të specifikave se si është zhvilluar problemi.

“Për këtë zakonisht konsultohem me njerëz që janë të urtë, qofshin të më rinj ose më të moshuar se unë. Mendimi i atij që ka përvojë jetësore, ose njohje me familjen dhe rrethanat si ka ndodhur problemi, është ndonjëherë gjysma e punës. Duke e ditur ndikimin e madh në shoqëri të disa kolegëve, jam në konsulta të vazhdueshme me myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Sabri Bajgora, imamët: Ekrem Avdiu, Enis Rama, Shefqet Krasniqi, Enes Goga, Llokman Hoxha, etj”, ka theksuar ai.

Latifaj ka thënë se nga krejt veprimtaria e tij – për më tepër se një dekadë – janë dy raste që i janë ngulitur thellë në memorien e tij.

Pajtimi në mes dy familjeve, ku prezent ishte edhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK)

“Rasti i pari është pajtimi në mes familjes Morina dhe Kajtazi. Familja Morina e kishte humbur djalin e tyre, pas një zënke në komunikacion, e cila është përcjellë deri në vrasjen e Fisnik Morinës. Rrëqethem kur po e kujtoj rastin, kur kam shkuar në të pame dhe thash se ai që falë për Allah, falë sa më parë. Dikush aty më tha, hoxhë, mos është pak herët, unë iu përgjigja: Nëse e kemi për Allah, jemi vonuar, nëse e kemi për diçka tjetër, jemi herët. Erdhi kryefamiljari dhe më tha “hoxhë tuboj burrat, në namazin e xhumasë do ta falim gjakun”. Ju betohen në madhërinë e Sunduesit të gjithësisë, që duhet kurajo e madhe dhe shpirtgjerësi me falë”, ka theksuar ai.

Invalidi i UÇK-së, tregon se prekës dhe i veçantë ka qenë edhe falja e gjakut nga ana e familjes Syla për familjen Hyseni, ku Arsim Sylës i ishte vrarë i biri, pas një përleshje në shkollë.

“Unë prezantova në të pame, dhe duke biseduar me Arsimin i thashë, djalin e ke humbur në këtë botë, e ke rastin që ta takohesh në botën tjetër me të. Ai duke qajtur më tha: E qysh hoxhë?, – i thashë fale gjakun për hatër të Allahut, e mbylle derën e hakmarrjes. Kështu ai vendosi që ta bëj një vepër të burrave të ndershëm”, ka theksuar ai.

Procesverbali i faljes së gjakut të një familje nga Mitrovica për familjen nga Peja

Imami nga Mitrovica, për dashurinë që e ushqen ndaj heroit të Kosovës, Adem Jashari, djalit të tij njëvjeçar ia ka vënë emrin Ademjashar, duke theksuar se është i pari dhe i vetmi në Kosovë që e ka këtë emër.

“Do të shpresoja që nuk do të jetë i fundit. Unë i kam edhe dy djem tjerë, Omerin 14 vjeçar dhe Salaudinin 12 vjeçar. Të tretë kanë emra të burrave, luftëtarëve dhe sakrifikuesve të mëdhenj, që tash janë pjesë e historisë botërore. E lus Allahun e madhërishëm që biografia e atyre burrave që i mbajnë emrat të jetë pishtar ndriçues dhe orientues në jetët e tyre. Punoj vazhdimisht më ta, dhe shpresoj të rriten si besimtar e atdhetar të ndershëm”, ka theksuar ai.

Imami Latifaj ka thënë se ai është këtu në mesin e popullit të tij çdo ditë, dhe duke u ballafaquar me brengat e përditshmërisë, “i gatshëm për t’i shërbyer pajtimit, me qëllim që në mesin e vëllezërve dhe motra të mija të ketë harmoni dhe respekt”./Telegrafi/

 

Check Also

Video: A vlen te merzitesh per furnizimin tend _new__ #shperndajeni

A vlen te merzitesh per furnizimin tend _new__ #shperndajeni