Home / Feja / A e do fëmijën tënd?

A e do fëmijën tënd?

A e do fëmijën tënd?

Vëllezër dhe motra, selam alejkum ue rahmetullahi ue bereketuhu…

Jemi të kënaqur që takohemi së bashku në këtë trajtesë të re të emisionit tuaj, ku po flasim mbi artin e edukimit produktiv të fëmijës përmes hapave të edukimit pozitiv.

I nderuar prind edukator, lërmë të të pyes nëse ke apo jo një makinë që do ta ndërrosh, po mobilje apo plaçkë që dëshiron ta ndërrosh…? Mund të më thuash po…

Tani më lejo të të pyes, nëse ke një fëmijë në shtëpi, të cilin do që ta ndërrosh? Me siguri që do më përgjigjesh me “Jo, nuk mund ta ndërroj fëmijën tim!”.

Përderisa ti nuk mund ta ndërrosh fëmijën tënd, atëherë çfarë duhet të bësh?

Në vijimësi të idesë që dua të përcjell, na vijnë në ndihmë pyetjet në vijim, të cilat përbëjnë në fakt boshtin e kësaj bisede. Këto pyetje janë tepër të rëndësishme dhe vlerësohen si pyetje qendrore në artin e edukimit pozitiv të fëmijëve.

Këto pyetje janë:

A të pëlqen fëmija yt? A e do fëmijën tënd? Si mund të arrijmë ta duam faktikisht fëmijën tonë?

Këto pyetje u duhen shtruar shpesh prindërve. Kur në seminaret apo sondazhet e ndryshme, prindërve u shtrohet pyetja:

A të pëlqen fëmija yt? A e do fëmijën tënd? – të pranishmit reagojnë të habitur dhe hezitues. Ata e gjejnë veten të vendosur përballë një pyetjeje, që as u ka shkuar nëpër mend se do t’u drejtohej. Për prindërit, dashuria e fëmijës është një realitet, i cili as që mund të jetë objekt diskutimi.

A e dua unë fëmijën tim? A më pëlqen mua fëmija im?

E ç`është kjo pyetje, ku e ka qëllimin ajo?  Kjo s’është veçse një pyetje naive.

Në përgjithësi përgjigja e këtyre prindërve është e formave mohuese apo hezituese. Ato u përgjigjen pyetjeve në fjalë me buzëqeshje dhe habi.

Më së fundi vjen përgjigja. E si nuk e dashkam fëmijën tim?!

 

Në fakt qëllimi i psikologëve që e shtrojnë këtë pyetje është që nga prindi, nëna apo babai, të dëgjojnë përgjigjen:

Ky është fëmija im, është një un nga unë, është një pjesë e imja dhe sigurisht që unë e dua shumë atë.

Më pas psikologu tenton të hyjë me ta në kuptimet e dashurisë, që lidh prindin me fëmijën.

Janë pikërisht këto kuptime, ato që po zbehen dhe shpërbëhen në rutinën e përditshme të jetës dhe palat e saj të mbushura me lodhje, tension, kohë të pakët, barra dhe situata të shumta…

Këto gjëra dhe të tjera të sojit të tyre e kanë vështirësuar procesin aktiv dhe konstruktiv të komunikimit dhe raportit midis anëtarëve të familjes. Prania gjithmonë e më e pakët e babait me fëmijën për shkak të qëndrimit të tij gjithmonë e më tepër jashtë familjes, por edhe prania gjithmonë e më e pakët e nënës për shkak të punës së saj jashtë shtëpisë, angazhimit të saj të tepruar me punët e shtëpisë, etj, ka bërë që raportet prind-fëmijë të shndërrohen në raporte të mërzitshme, të brejtura, që e kanë humbur vlerën dhe kënaqësinë e tyre në jetën e prindërve.

Shtoi kësaj përshtypjen apo mendësinë e gabuar, që ka dominuar në kokën e prindërve, se interesimi i tyre për fëmijët e tyre në moshën e tyre të mitur nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. E rëndësishme është ajo që vjen pastaj, e rëndësishmja fillon në të ardhmen. Sipas tyre, me kalimin e viteve fëmija do bëhet tjetër njeri.

Kurrsesi nuk duhet të mendohet kësisoj. Ky është një mendim tërësisht i gabuar dhe i hedhur poshtë shkencërisht. Nuk është e saktë të mendohet për moshën e hershme të fëmijës, se ajo është thjesht një periudhë kalimtare, që do kurorëzohet me periudhën e pjekjes që vjen më pas. Faktikisht periudha e fëmijërisë duhet të konsiderohet shumë e rëndësishme, sa i përket tërë jetës së fëmijës sonë. Në të formohen dhe trajtësohen normat, treguesit, kriteret dhe kandarët e ardhshëm personal të njeriut. Ato janë themelet, të cilat do mbajnë dhe përballojnë ndërtimin e periudhave të ardhshme të jetës së njeriut.

Në bisedat e kaluara kemi bërë fjalë sesi aspektet e personalitetit të fëmijës strukturohen në një përmasë prej 90 % në shtatë vitet e para të jetës së tij.

Kështu pra i nderuar prind edukator, interesimi për fëmijën është i një rëndësie të veçantë. Interesimi për atë ecuri të fëmijës tënd me të cilën ti je i kënaqur, duhet të fillojë nga mituria e tij, në shtatë vitet e para. Nuk duhet të vonohemi duke thënë: “E rëndësishme është të mbillet njëherë bima dhe në të ardhmen do bëhet siç dua unë, doktor, inxhinier, mësues etj”. Vlerësimi i fëmijës tënd, moraleve, vlerave, dhuntive dhe aftësive që ai perfeksionon, metodologjisë së tij të jetës, metodologjisë së tij të arsimimit, etj, duhet të jetë në qendrën e vëmendjes tënde, sidomos përgjatë gjithë shtatë viteve të para të jetës së fëmijës tënd.

I nderuar prind edukator, nisur nga kjo që thamë, na del si detyrë që të interesohemi dhe ta vlerësojmë fëmijën në kuadrin e të qenit të tij fëmijë, jo në kuadrin e të qenit të tij burri që të do jetë në të ardhmen. Unë si prind nuk duhet ta vlerësoj dhe përllogaris fëmijën tim në konturin e doktorit të ardhshëm, por duhet ta vlerësoj dhe çmoj atë në konturin e fëmijës momental që ai është.

Një tjetër pyetje që del, është pyetja nëse ne si prindër e ndihmojmë apo jo fëmijën tonë që të vlerësojë dhe pranojë veten e tij? A e kryejmë ne rolin tonë siç duhet në mësimin e fëmijës sonë, se si ai ta çmojë, pranojë dhe respektojë veten e tij?

Kjo pyetje nuk është me më pak vlerë se pyetja e parë që shtruam në fillimin e kësaj bisede, e cila na pyeste: Nëse jemi apo jo të kënaqur dhe vlerësues të fëmijës sonë?; pasi ajo përbën anën tjetër të medaljes, pra: A është fëmija jonë i kënaqur me ne, me dy prindërit e tij?; gjë që varet në mënyrë direkte në faktin, se si e trajtojmë ne fëmijën tonë, si bisedojmë dhe kontaktojmë me të?

Kësisoj ne gjendemi para një pyetje të rëndësishme, të kompletuar, ku  njërën anë e përbën fakti se: A gëzojmë ne simpati dhe admirim për fëmijën tonë? Dhe anën tjetër të kësaj pyetje shumë të rëndësishme e përbën fakti se: A gëzon fëmija yt simpati dhe vlerësim për ty, a është ai i kënaqur me ty? Me fjalë të tjera: Nëse fëmijës tënd do t’i drejtohej në kushte speciale pyetja: A të pëlqen prindi yt, babai yt, mamaja jote?, cila do të ishte përgjigja e tij?Pikërisht kjo është pyetja strategjike, të cilës i duhet kushtuar një rëndësi e veçantë.

Pra para se të pyesim veten tonë si prindër nëse: Fëmija im po më kënaq apo jo mua, nëse sjellja e tij, niveli i tij, personaliteti i tij, më kënaq mua?; para se të pyes mbi këtë, më duhet si prind edukator të pyes pyetjen e anasjelltë: A po e kënaq unë fëmijën tim?

Me lejen e Allahut, në bisedat e ardhshme do të flasim mbi konceptin e modelit apo shembullit. Tani do themi vetm disa gjëra, lidhur me konceptin e shëmbëlltyrës.

Lidhur me modelin, disa kanë përshtypjen, se ai presupozon qenien model të prindit për fëmijën, me kuptimin të jesh baba apo nënë, një prind i mirë, i vlefshëm, pararojë, i rregullt e tjerë.

I nderuar prind edukator, ky nuk është parametri për të qenë shembull apo model. Nuk mjafton të jesh i vlefshëm për të shërbyer si model për fëmijën tënd. Mund të jesh njeriu më i mirë dhe më i vlefshëm dhe fëmija yt mos të të marrë ty për model, por të marrë dhe të imitojë dikë tjetër. Mund të jesh nga njerëzit më të mirë, që falesh natën, që agjëron shumë vullnetarisht, por megjithëkëtë fëmija yt nuk të ndjek dhe nuk të merr për model?

Nga këtu lind pyetja: Si mund të arrish që fëmija yt të të marrë për model ty si prind? Si do arrish të bëhesh shembulli më i arrirë dhe më i mirë për fëmijën tënd?

Kjo rrugë konsiston në hapat në vijim:

Hapi i parë: është të fitosh simpatinë dhe admirimin e fëmijës tënd. T’i pëlqesh atij, apo thënë ndryshe që fëmija yt të të pëlqejë ty, në kuptimin që personi yt të gëzoj një personalitet, i cili është i pëlqyeshëm për fëmijën tënd. Nga këtu merr kuptim pyetja, që konsiston në pëlqimin që përbën ti për fëmijën tënd apo që fëmija yt gëzon për ty. Nëse ti i pëlqen fëmijës tënd, ky është dhe hapi i parë drejt dashurisë reciproke midis teje dhe atij, drejt qenies tënde si shembull ideal për të. Kur fëmija yt gëzon simpati dhe admirim për ty, ai automatikisht gëzon dashuri për ty dhe kur ai të do, atëherë ai do të të imitojë dhe do të të marrë për model.

Njeriu ka një natyrë të tillë, që imiton vetëm atë që dashuron dhe dashuron vetëm atë që i pëlqen dhe admiron.

Kësisoj, që të jesh modeli dhe shembulli më i lartë për fëmijët e tu, të duhet që të gëzosh respektin dhe pëlqimin e tyre, pra duhet që ti të gzosh dashurinë dhe respektin e fëmijëve të tu.

Por pyetja lind, se kur dhe si arrijnë ata të gëzojnë admirim dhe pëlqim për ty? A të pëlqejnë ata ty, sepse ti falesh natën dhe agjëron ditën, sepse bën bamirësi, jep lëmoshë dhe je njeri i sinqertë? Përgjigja është “jo”, kjo nuk mjafton që ti të fitosh admirimin dhe pëlqimin e fëmijëve të tu. Fëmijët e tu do të të pëlqejnë vetëm falë një fakti, i cili është që ti të jesh një person i arrirë dhe i lartë në raportin dhe komunikimin tënd me të. Niveli i lartë shembullor në komunikimin tënd me fëmijën, e bën atë që të ketë admirim dhe vlerësim për ty.

Mua si person dhe po kështu edhe fëmijës tënd, nuk na intereson nëse ti je një njeri i vlefshëm dhe i mirë, por ajo që na intereson është që komunikimi dhe raporti yt me mua të jetë i rregullt dhe dinjitoz. Nëse je prej atyre që falen natën, agjërojnë ditën dhe e përmendin Allahun pa ndërprerë, këtë e ke për vete. Ajo që i intereson të tjerëve nga ti, është që kur të të japin një borxh t’ua kthesh, kur të udhëtojnë me ty, të sillesh me ta sipas moraleve të larta islame, kur të qëndrojnë dhe kuvendojnë me ty, të mos marrësh askënd nëpër gojë… Pra ajo që më intereson mua dhe të tjerëve prej teje, është komunikimi yt i denjë. Kjo vlen edhe për fëmijët e tu. Pra ajo që i vendos kufijtë e raporteve të tua me ta, është fakti nëse raportet e tua me ta janë dinjitoze, të mbushura me dashuri, dhembshuri, butësi dhe ndjesi atërore. A bisedon me fëmijët e tu, a i dëgjon ata me vëmendje dhe përkushtim, a ua vë veshin fjalëve të tyre, a konsultohesh me ta, a i kupton synimet e tyre…?  Këto janë gjërat, që i bëjnë përshtypje fëmijës tënd dhe e bëjnë atë të gëzojë simpati dhe admirim për ty.

Pra pëlqimi apo admirimi është prej rrugëve themelore të modelit dhe shembullit të lartë. Pastaj vjen direkt dashuria.

Përgjigjen e vetme faktike për pyetjen: A e do fëmijën tënd?, – mund ta japë në fakt vetëm fëmija yt, pra mund ta japë vetëm pyetja: A të do ty fëmija yt?

Pyetje që duhen shtruar çiltërsisht dhe duhet të marrin përgjigje natyrshëm, janë pyetjet:

A është progresiv komunikimi yt me fëmijën tënd? A është metoda e komunikimit tënd e tillë, që e bën fëmijën tënd të gëzojë admirim dhe dashuri për ty, apo ajo ndikon negativisht dhe e bën fëmijën tënd të distancohet dhe të largohet prej teje?

A je ti prej atyre, që e kanë bërë traditë komunikimin me: “Mos prek!”, “Ha!”, “Marsh në gjumë!”, “Të kam thënë se ti nuk bëhesh gjë, je i paaftë, je dështak!”, “S’ke punë jashtë!”. A komunikon ti me fëmijën tënd përmes këtyre toneve? Nëse ti përdor këtë gjuhë diktuese në mësimin dhe orientimin e fëmijës tënd, sidomos në moshën tre deri pesë vjeç, atëherë faktikisht ti po ndjek një metodë negative për edukimin e fëmijës tënd, prandaj pikë së pari: fëmija yt nuk do gëzojë admirim për ty; së dyti: fëmija yt nuk ndjen se ti e do atë; së treti: fëmija yt nuk të do; së katërti: të gjithë domethëniet e besueshmërisë janë zhveshur prej fëmijës tënd…  Kështu pra, mënyra e komunikimit tënd me fëmijën përcakton raportet e tua me të. Ndaj dhe kur flasim për sekretet e raporteve të suksesshme midis nesh si prindër, baballarë dhe nëna, me fëmijët tanë, bëjmë fjalë për një progres në komunikim, flasim për prindin, që përdor programimin pozitiv, që largohet nga metodat e gabuara në komunikimin me fëmijët, siç janë: bërtitja, kritika, krahasimi, tallja, etj.

I nderuar prind edukator, fjalët që dalin nga gojët e të rriturve, të cilave në përgjithësi as që u kushtohet vëmendje dhe as që sillet ndër mend ndikimi serioz që lënë ato në personalitetin e fëmijës, të konsideruara si “antivlera pa pagesë” që rrënojnë moralin e fëmijës, i ushqejnë fëmijës bindjen, se ai është një person i paaftë, i pavlerë, duarlidhur dhe i ngathët për të reaguar dhe menaxhuar situatat. Nga këtu fëmijët rriten pa besim në vetvete dhe duke u ndjerë të mangët sa i përket aftësive të tyre personale. Mesazhi që nxë fëmija përmes këtij të foluri përçmues dhe poshtërues, është e kundërta e asaj që synojnë të arrijnë prindërit. Pra ne si prindër na del për detyrë të kuptojmë anën e brendshme të fëmijës dhe përmes procesit të reflektimit, të bindemi se si i ka arritur mesazhi ynë fëmijës, si i kupton ai pozicionimet edhe direktivat tona. Kjo bëhet me qëllim që të mos prishim punë, në një kohë që dëshirojmë të rregullojmë.

Hapi i dytë i nderuar prind edukator është gjuha e kontaktit human që kupton fëmija. 7 % të saj e përbën të folurit, 38 % toni i zërit, 55 % gjuha trupore në tërësi. Pra efekti më i madh i mundshëm, 55 %, ushtrohet tek fëmija përmes gjuhës trupore. Këtë mund ta provosh me një fëmijë tepër të vogël, për shembull tre mujor. Nëse do të komunikosh me të, do gjesh se ai nga fjalët gjuhësore nuk mund të kuptojë asgjë. Por nëse ti i kërcënohesh, ai ka për të qarë dhe nëse e llaston, ka për të qeshur. Ai arrin të bëjë dallimin midis sharjes dhe lavdërimit, jo përmes fjalëve të pranueshme dhe atyre të papranueshme, por përmes plastikës së gjuhës trupore dhe tonit të zërit. Nga këtu arrijmë në konkluzionin, se gjuha më e mirë të cilën mund të kuptojë fëmija i mitur, është gjuha trupore. Të jesh i sigurt, se gjuha më e rëndësishme që kupton fëmija, është gjuha trupore, kryesisht gjestet dhe toni i zërit. Ndërsa fjalët apo shprehitë që i thuhen fëmijës, në përgjithësi përbëjnë thjesht ca zëra e asgjë tjetër. Ajo që fëmija arrin të përthithë dhe kapë fuqishëm, është gjuha trupore e përbërë nga gjestet, lëvizjet, toni i zërit, mimika e fytyrës, reagimi yt kundrejt tij. Kështu për shembull goditja e dorës së fëmijës kur ai do të marr diçka, është një mesazh prindëror që për fëmijën përbën poshtërim, shenja që i bëhet fëmijës që të heshtë teksa ai do që të flasë, detyrimi i tij të qëndrojë për një kohë të gjatë pa lëvizur, shtrembërimi apo ngrysja e fytyrës; që të gjitha këto janë mesazhe, simbolet e të cilave fëmija yt i dekodon apo zbërthen sikur ti po i thua atij: “Unë nuk kam besim tek ti, ti je i paaftë për t’i bërë këto gjëra, unë nuk të pëlqej”. Që të gjitha mesazhet që burojnë prej teje si prind, sidomos ato përmes të folurit dhe gjesteve, pa dyshimin më të vogël arrijnë tek fëmija yt.

Bëj kujdes që të mos biesh në gabimin e madh të mendësisë: “Si argument se ti e do fëmijën tënd mjafton statusi yt prindëror, qenia jote babai apo nëna e fëmijës”.

Disa herë ne prindërit instinktivisht e duam fëmijën tonë, por gjuha e realitetit apo situatës sonë përcjell mesazhe të tjera, përcjell mesazhet negative se ne nuk i duam fëmijët tanë.

Si të sillemi me egoizmin e fëmijës?

Kjo arrihet pikë së pari duke ditur faktin kategorik, se fëmija nga vetë natyra e tij është egoist dhe mendon vetëm për vete. Nisur nga ky fakt, psikologët bëjnë thirrje, që prindi ta nxisë dhe stimulojë sa më shumë egoizmin e fëmijës. Kjo bëhet, për shkak se egoizmi në fillimet e veta është pozitiv. Ai e njeh fëmijën me veten e tij, si të vetëveprojë, si të kuptojë çështjet private, si ta respektojë veten e tij, si ta mbrojë veten e tij… Kësisoj, është vërtet një naivitet, që egoizmi i fëmijës të luftohet. Në këtë stad, nuk ka kuptim, t`i kërkosh fëmijës që të tregohet fisnik në aktet dhe sjelljet kyçe të tij, sidomos kur fëmija është dy deri tre vjeç.

Si të sillemi me egoizmin e fëmijës?

Egoizmi i fëmijës në shtatë vitet e para të jetës së tij apo në periudhën e miturisë, ka nevojë për një raport dhe sjellje të shëndoshë, që nuk ndërtohet mbi papranueshmërinë e egoizmit fëmijëror. Duhet ta pranojmë egoizmin e fëmijës, nën konsideratën se ajo është një nevojë personale, mbi të cilën ndërtohen shumë prej koncepteve, botëkuptimeve, vlerave dhe kapaciteteve humane, sikurse koncepti i edukimit, përgjegjësisë, respektimit të privatësive të të tjerëve, respektimit të vetvetes, konsolidimit të vetvetes, vetëmbrojtjes, etj. E përgjithshmja është, që egoizmi duhet të konsiderohet sjellje kalimtare, sikurse sjelljet e tjera të cilat më pas në rritje e sipër veniten dhe zhduken.

Pra ajo që lypset prej nesh, është që të kuptojmë dhe stimulojmë, në vend që të gjymtojmë; të orientojmë në vend që të përjashtojmë, refuzojmë dhe zemërohemi.

Kjo përbën një nga mësimet e jetës që të mëdhenjtë duhet ta mësojnë prej të vegjëlve. Fëmija nuk jep para se të marrë dhe nuk mëson para se të mësohet. Ky në fakt përbën mësimin më kompleks të mësimeve të kësaj jete, të mësuarin sesi të marrësh që më pas të japësh.

Si të arrijmë t’ia shprehim fëmijës dashurinë që kemi për të?

Nisur nga këtu, i nderuar prind edukator, lejomë të të drejtoj një pyetje të rëndësishme dhe themelore, të përsëris pyetjen që shtruam në fillim të kësaj bisede: A e do fëmijën tënd? S’ka dyshim, se përgjigja e të gjithëve do të jetë: “Patjetër që i duam fëmijët tanë”.

Një pyetje që hedh dritë rreth përgjigjes mbi pyetjen në fjalë, është pyetja: Sa prindër nga rrethi shoqëror i shoqërisë ku ne jetojmë, i duan realisht fëmijët e tyre? Sa? Do nxitosh të më thuash “100%”.

Si do të reagosh, kur të të them se realiteti qëndron se ata që i duan fëmijët e tyre në shoqërinë ku ne jetojmë nuk i kalojnë 10% e prindërve, ndërsa 90% e tyre faktikisht nuk i duan fëmijët e tyre. Ç`mendim ke lidhur me këtë? Dije pra, se ky është një realitet edhe pse ai është i hidhur. Kjo statistikë, kjo shifër nuk është një shifër e supozuar, por bazohet në sondazhe shkencore të standardizuara. Falë një sondazhi të bërë me treqind gra-nëna, indekset hodhën dritë, se dashuria reale për fëmijën në mesin e tyre shënonte vetëm 10%. Kur ky sondazh u zhvillua në një grup prej 36 grash elitare, që të gjitha profesoresha, edukatore dhe përgjegjëse në borde edukativë, kjo përqindje ndaloi në 33%. Gjithsesi sondazhi i dytë nuk përbën mostrën standarde për problematikën në fjalë. Mostrën për këtë çështje e përbën në fakt grupi prej 300 nënash i sondazhit të parë, ku përqindja e dashurisë së nënës për fëmijën e saj doli vetëm 10%.

A bëjmë ndonjëherë verifikim, nëse i duam apo jo faktikisht fëmijët tanë? Apo ne ia shprehim fëmijës sonë dashurinë, vetëm kur ai ndjen ngrohtësinë e dashurisë që e lidh atë me prindërit e tij, ose kur ai na pushton me dashurinë e tij? A mos vallë dashuria jonë për fëmijën tonë vjen, vetëm kur fëmija sillet siç neve na pëlqen, kur na e dëgjon fjalën etj? Kjo nuk përbën dashurinë tënde për fëmijën, por përbën dashurinë e fëmijës për ty…

Dashuria jote faktike për fëmijën kërkon prej teje, që ti ta pëlqesh atë siç është, të kënaqesh me të, t’ia vësh veshin fjalëve të tij, duke i kushtuar atyre vëmendjen tënde maksimale… Mënyra sesi ti e përkëdhel fëmijën tënd, sesi duart e tua e prekin, si e përfshin prehri dhe përqafimi yt prindëror; që të gjitha këto përbëjnë dashurinë faktike prindërore për fëmijën.

Para se dashuria prindërore origjinale për fëmijën të jetë thjesht një ndjenjë e brendshme instiktive, ajo është fjalë dhe akte. Dashuria për fëmijën është shprehi e ndjesive të vazhdueshme të pëlqyeshme dhe të kthjellëta, që nuk duhet të turbullohen me sjelljet e shumta kontradiktore me fëmijën.

Cili është kuptimi i dashurisë tënde si prind për fëmijën tënd, kur thjesht pse ai po loz dhe bën diçka që i pëlqen, i kthehesh atij duke e sharë, goditur, bërtitur, duke e konsideruar atë thjesht zhurmues dhe shkatërrues në shtëpi? Kjo sjellje prindërore a ka brenda saj prova faktike, se ti si prind e do fëmijën tënd?

Sërish pyetja gjigande vjen dhe pyet çdo prind:

A je ti nga ata që i duan me prova dhe me fakte fëmijët e tu?

Para se ta japim këtë përgjigje, duhet të kthjellohemi dhe meditojmë paksa… Është pikërisht sjellja, komunikimi, kontaktimi dhe raporti yt me fëmijën tënd, ai që e jep më së miri përgjigjen e kësaj pyetje gjigande…

Fillimisht raporti yt me fëmijën tënd kërkon prej teje, që ti si prind të riformatohesh, duke e kthyer shiritin e jetës tënde në një periudhë të mëparshme të jetës tënde, në periudhën e fëmijërisë tënde, kjo periudhë tepër serioze e jetës. Medito mbi këtë periudhë tënden dhe shtroja vetes pyetjen: A veproje dhe reagoje ti atëherë, ashtu siç pret të veprojë dhe reagojë fëmija yt sot, a ishe ti atëherë, ashtu siç po kërkon të jetë fëmija yt sot? Ndoshta ti silleshe edhe më me egoizëm sesa fëmija yt, mendoje vetëm për vete dhe për askënd tjetër, ishe për prindin edhe më problematik se ç`është fëmija yt sot për ty.

Përse pra i kërkon sot fëmijës tënd një sjellje, që ti vetë nuk munde ta kryesh kur ishe në moshën e tij?

Mendësia që ne po synojmë të bëjmë me dije për të mëdhenjtë, është fakti se fëmijët janë të vegjël dhe është krejt normale, që ata të sillen si të vegjlit. Një fëmijë nuk është një burrë apo grua në miniaturë. Një djalë i vogël nuk është një burrë i vogël dhe po kështu një vajzë e vogël nuk është një grua e vogël. Çdo prind i mençur duhet ta ushqejë këtë mendësi, ta brumosë dhe ta ketë mirë parasysh në raportet e tij me fëmijën e vet.

I nderuar prind edukator! Fëmijët e tu janë të vegjël dhe është krejt normale, që fëmijët e tu të vegjël të sillen si të vegjël dhe jo si të rritur. Ne duhet t’u japim atyre shanse dhe mundësi, ta jetojnë fëmijërinë e tyre nën përkujdesjen dhe mbikëqyrjen tonë prindërore.

Ky është një realitet, mbi të cilin duhet medituar mirë…

Herën e ardhshme me lejen e Allahut të Lartësuar do e trajtojmë më tej këtë koncept themelor, konceptin e dashurisë për fëmijët, se si t’i duam fëmijët tanë.

Dashuria e fëmijëve është një çështje vendimtare në komunikimin tonë të suksesshëm prindëror me fëmijët tanë dhe është nga çështjet më të çmuara në suksesin e raporteve tona me ta.

I nderuar prind edukator! Përpara nesh dalin një sërë pyetjesh: A e do fëmijën tënd? A të pëlqen fëmija yt? Po ti a i pëlqen fëmijës tënd? A të do fëmija yt?

U përpoqëm që këtyre pyetjeve t`iu përgjigjemi në përputhje me konceptet dhe normat edukative, duke synuar ndërtimin progresiv të sjelljes me fëmijët.

Ndër pyetjet e shtruara, që shpresojmë që ende të tingëllojnë në mendjen prindërore, është pyetja: A e do fëmijën tënd?

Ilustruam faktin, se sondazhet shkencore tregojnë, që vetëm afërsisht 10 % e prindërve i duan me një dashuri faktike fëmijët e tyre, fakt ky që ngre një pikëpyetje vërtet të madhe lidhur me këtë realitet…

Pyetja sfiduese tanimë merr formën: A e perfeksionojmë ne si duhet ushtrimin e dashurisë për fëmijët tanë?

Ne besojmë në faktin, mbi të cilin japin verdiktin e tyre vetë shkencëtarët e zhvillimeve njerëzore, se njerëzit kanë nevojat e tyre, të cilat kanë vendosur pushtetin e tyre tek njeriu dhe sjelljet e tij. Prej këtyre nevojave, më e rëndësishmja është nevoja për dashuri, e konsideruar po kështu nga nevojat kryesore të fëmijës. Nevoja e fëmijës për të ndier dashurinë dhe ngrohtësinë e atyre që e rrethojnë, sidomos prindërve të tij, është një nevojë shpirtërore dhe humane, që i konkretizon dhe i garanton fëmijës sigurinë dhe qetësinë, që ngop instinktet e tij personale, me të cilat e ka brumos Allahu i Lartësuar.

Pra nevoja e fëmijës për dashuri nuk është më e vogël, sesa nevoja e tij për të ngrënë, ndaj edhe njeriu përgjatë gjithë periudhave të moshës së tij, hulumton për të ndërtuar raporte njerëzore, që i sigurojnë dhe përmbushin atij nevojën e dashurisë dhe përkatësisë, përmes të cilave njeriu ndjen se është i pranuar në mesin e të tjerëve dhe se ata e duan.

Ndjesia e përkatësisë shfaqet tek fëmija që nga fillimi i mendimit të tij dhe bëhet evidente vetëm kur i shfaqim dashurinë atij. Ai ndihet se i përket familjes së tij, atëherë kur ndjen se ai është një person, që duhet dhe pranohet në familje, kur i sigurojmë atij një atmosferë qetësie dhe prehjeje brenda familjes. Themi brenda familjes, sepse familja është qeliza e parë njerëzore, ku jeton fëmija dhe përmes saj ai e përmbush përkatësinë e tij humane.

Pyetja serioze dhe e famshme, që e shtroj sërish për ty i nderuar prind edukator, është:

A e do fëmijën tënd?

Përgjigja e natyrshme është “Po, e dua fëmijën tim”.

Por i nderuar prind edukator, lërmë të përjetojmë së bashku këto momente, që të kuptosh se ku qëndron sekreti i vetëm 10 % të prindërve, që i duan realisht fëmijët e tyre.

Kur shtrohet pyetja: A e do fëmijën tënd?, e reja është se rëndësia nuk qëndron në këtë pyetje të kësaj trajte shabllone, por tre pyetjet e rëndësishme që njëtrajtësojnë këtë pyetje janë:

E para, është pyetja e konsideruar si shumë e rëndësishme, sa i përket raporteve tona me fëmijët tanë, pra pyetja: “A ia shpreh fëmijës tënd dashurinë me gjuhë, me të folur?”

Kjo është pyetja e parë: A ia shpreh fëmijës tënd dashurinë tënde me fjalë?”

Disa prindër, kur u ngrihet kjo pyetje, reagojnë duke thënë: Unë e dua fëmijën tim dhe fjalët në këtë dashuri që unë gëzoj për të nuk përbëjnë rol qendror. E rëndësishme është sjellja, çfarë i jap fëmijës tim e si sillem me të.

Në realitet ky arsyetim nuk qëndron. E para rrugë për t’i shprehur fëmijës tim dashurinë që kam për të, është që t’ia shpreh atë me gjuhë. Realiteti i çdo gjëje brenda meje, i çdo atributi të brendshëm tek unë, është se ai para se të jetë atribut konkret shpirtëror brenda meje, duhet të jetë atribut që ka rrjedhur në gjuhën apo të folurin tim dhe pastaj shndërrohet në atribut praktik, që veprohet.

Për të qenë mysliman, a mjafton që ta kesh besimin në zemër dhe kaq?! Dihet se çelësi i parë, me të cilin hyhet tek rrethi i besimit, është thënia me gojë e dëshmisë së besimit islam. Besimi është ajo çfarë është rrënjosur në zemër, e thotë goja dhe e konkretizojnë veprat.

Dashuria është shprehi ndjenjash.

Allahu i Lartësuar i ka krijuar ndjesitë që të flasin. Nuk mjafton që t`i duash fëmijët e tu vetëm me zemër, por duhet doemos t’ua shprehësh atyre dashurinë tënde me fjalë. Profeti Muhamed [a.s] na i ka mësuar këto standarde shpirtërore në raportet njerëzore, duke ua shprehur vazhdimisht dashurinë e tij, qoftë familjarëve të tij, qoftë nipërve të tij, qoftë shokëve të tij, qoftë njerëzve mbarë…

Profeti Muhamed [a.s] ishte kulm në inteligjencën emocionale. Kur atij i erdhi një person, i cili i tha: O i Dërguar i Allahut unë e dua filanin, Profeti [a.s] iu përgjigj: “A i ke treguar atij?” I tha: “Jo”. Profeti ia ktheu: “Tregoi pra!”

Gjithashtu Profeti [a.s] na ka mësuar, që atij që na shpreh dashurinë për hatër të Allahut me fjalët “Të dua për hatër të Allahut”, t’i përgjigjemi: “Të dashtë Allahu për hatër të të Cilit ti më do”. Urtësia e kësaj konsiston në faktin, që ne si muslimanë duhet ta përhapim kulturën e dashurisë midis nesh, duke e shprehur atë me gjuhë.

Një herë në një takim një psikolog musliman i drejton të pranishmëve pyetjen:

Kur ka qenë hera e fundit, që i ke thënë fëmijës tënd shprehimisht me gojë se e do?

Njëri prej të pranishmëve, thuajse i vetmi që ngriti dorën, u përgjigj: “Unë profesor, hera e fundit kur i kam thënë fëmijës tim fjalët “të dua shumë”, ka qenë në Festën e Bajramit të kaluar, pasi imami mbaroi ligjëratën e festës…”.

Pra as që bëhej fjalë për shpejt, nuk bëhej fjalë t’i kish thënë fëmijës “të dua shumë” as në ditën në fjalë dhe as atë të djeshmen…

Por a është në fakt e mjaftueshme për fëmijën tim, që ai ta dëgjojë prej meje thënien: “Unë të dua”, vetëm një, dy apo tre herë në vit. Absolutisht jo. Lypset që fëmija yt ta dëgjojë këtë shprehje prej teje gjashtëdhjetë herë në ditë, që në fakt është minimumi i mundshëm. Edhe sikur dhjetë fëmijë të kesh dhe i thua secilit gjashtëdhjetë herë “Të dua shumë”, nuk është diçka e vështirë, pasi gjashtëdhjetë herë në ditë do të thotë vetëm gjashtëdhjetë sekonda kohë, pra vetëm një minutë. A po tregohesh koprrac me fëmijën tënd, për t’i dhënë atij qoftë edhe një minutë kohë përgjatë gjithë ditës, në të cilën t’i thuash me gojë: “Të dua shumë”.

Shprehja e ndjenjave është një tipar pozitiv i personalitetit human. Disa burra mendojnë, se të shprehurit gojarisht mbi ndjesitë që ke, përbën një mangësi dhe brejtje personaliteti dhe burrërisë të personit.

A mos njerëzit e tillë janë më burrërorë se Profeti i Allahut?! Ai i shprehte me gojën e tij, në prani të njerëzve, ndjesitë e dashurisë për gruan, familjarët, nipat dhe shokët e tij. Është e njohur historia e Amër ibnul A’sit [r.a], i cili kishte qenë komandant i një çete dhe pas një beteje kishte zënë një plaçkë lufte prej më të mirave. Ai mendonte, se duke i treguar Profetit [a.s] për suksesin e skuadriljes së tij, do ta shfrytëzonte rastin ta pyeste atë për një pyetje të rëndësishme, përmes së cilës synonte të merrte një dëshmi në favorin e vet. Ai ishte i bindur në vetvete se kur t’ia drejtonte Profetit [a.s] pyetjen se: Cili është njeriu më i dashur tek ti?, përgjigja e Profetit [a.s] do të ishte: “Amër ibnul A’si”, pasi ai kishte ardhur me një sihariq të madh. Realisht Profeti [a.s] u gëzua me lajmin që i dha Amri dhe fytyra e tij vezulloi si hënë. Amër ibnul A’si nxitoi të thoshte fjalën, për të cilën mendoi të shfrytëzojë rastin. Ai i tha: “O i Dërguar i Allahut, cili është njeriu më i dashur tek ti?” Profeti [a.s] u përgjigj aty për aty, pa u menduar: “Aishja”. Ky ishte komandanti i përgjithshëm, udhëheqësi i shtetit, Profeti, Modeli. Në sytë e të gjithëve, ai përmendi pa asnjë hezitim, se njeriu më i dashur tek ai, ishte gruaja e tij, Aishja [r.a]. Profeti [a.s.] gjithmonë ua shprehte dashurinë vajzës së tij Fatimes [r.a], bijve të tij dhe nipërve të tij, madje krenohej shumë me ta.

Kështu pra, shprehja me gojë e dashurisë që gëzon për fëmijën tënd, është hapi i parë për të arritur dashurinë faktike të ndërsjellë me fëmijët. Nëse ti i përket atyre, që tregojnë koprraci në fjalët që i shprehin gojarisht dashuri fëmijës, atëherë dije se ti hyn tek 90% i atyre, që nuk i duan faktikisht fëmijët e tyre. Po, ti e do fëmijën tënd, por dashuria jote për të është e mangët, përderisa ti nuk i shpreh me gjuhën tënde fëmijës tënde dhjetëra herë në ditë, se ti e do atë. Asnjë njeri nuk bezdiset ta dëgjojë fjalën “Të dua”. Burri ka dëshirë ta dëgjojë këtë fjalë nga gruaja e tij. Po kështu edhe gruaja ka shumë dëshirë ta dëgjojë këtë fjalë nga burri i saj, pasi kjo fjalë është një fjalë që të gjallëron, të jep kurajë, mbjell dashamirësi dhe kthjellon prezencën faktike të dashamirësisë dhe lidhjes së zemrave.

Pra pyetja e parë që shtrohet për t’i dhënë përgjigje pyetjes: “A e doni apo jo fëmijën tuaj?”, është pyetja: A ia shpreh gojarisht dashurinë fëmijës tënd, a i thua atij “Të dua”, për çdo ditë, të paktën gjashtëdhjetë herë? Kjo është rruga e parë e rrugëve, përmes të cilave do arrijmë t’ua shprehim fëmijëve tanë faktikisht dashurinë që ndjejmë për ta, me gojën tonë, duke u thënë atyre të paktën gjashtëdhjetë sekonda, një minutë në ditë, “Të dua”. Nga këtu të mbetet ta pyesësh veten nëse je apo jo ti prej atyre, që ua shprehin fëmijëve të tyre dashurinë me gojë.

Pyetja e dytë i nderuar prind edukator, në vazhdën e mënyrës se si t’ia shprehim fëmijës sonë dashurinë është: “Si ia paraqet ti dashurinë fëmijës tënd?” Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme. Pra: “Si ia paraqet fëmijës tënd dashurinë që gëzon për të?”

Disa thonë: “Unë ia paraqes fëmijës tim çdo ditë dashurinë që gëzoj për të për, duke i vënë në dispozicion para për të blerë çdo gjë që dëshiron, dhurata etj. I kam bërë atij një dhomë enkas për të, ku ia kam vënë në dispozicion gjithçka që sa ai dëshiron dhe i duhet. Ia kam siguruar atij çdo gjë.

I nderuar prind edukator! Lejomë të të them, se të gjitha këto gjëra që ti ia siguron fëmijës tënd, si dhoma e dedikuar për të dhe gjithçka që e mbush këtë dhomë prej aparaturave dhe sendeve të tjera që i janë vënë në dispozicion kohës së fëmijës tënd, si dhe gjithë shpenzimet që ti bën për fëmijën tënd qofshin këto para, dhurata, etj; që të gjitha janë realisht argument, se ti nuk gëzon një dashuri faktike për fëmijën tënd. Mundet ky realitet të të befasojë dhe godasë, por ai mbetet një realitet.

Mund të më pyesësh se si qenka e mundur, që komoditeti i cili unë i kam siguruar fëmijës tim me mund të madh, qenka argument se unë nuk e dua fëmijën tim?

Përgjigja është: Ti e ke preokupuar fëmijën me këto gjëra, për t’u çliruar vetë nga ai. Kuptimi i kësaj i përcillet fëmijës tënd nga gjuha e realitetit, e cila i thotë atij: Unë si baba nuk kam kohë të ta dedikoj ty o fëmija im. Ti ke dhomë tënde. Kaloi aty dhjetë orët e ditës. Aty ke televizor, aty ke lodrat, aty ke “play station”, aty ke kompjuterin etj etj. E rëndësishme është të mos kesh të bësh me mua, pasi unë nuk kam kohë të lirë që të merrem me ty. Fakti se ti po i siguron atij çdo gjë, s’është gjë tjetër veçse argument, se ti çështjen e edukimit të fëmijës tënd po e zgjidh pa qenë vetë prezent, pasi ti nuk ke kohë për t’i dhënë fëmijës tënd.

Si t’ia shpreh fëmijës tim faktin se unë e dua?

Mund t’ia shprehësh dashurinë tënde përmes sjelljeve të tua, duke e dëgjuar me vëmendje, duke e ndjekur, duke i buzëqeshur, duke e përqafuar, duke e prekur, duke e marrë në prehër, duke e llastuar, duke lozur me të; që të gjitha këto janë hapa praktikë dhe faktikë, përmes të cilëve ti i shpreh fëmijës tënd me gjuhën e fakteve, që ai e kupton shumë mirë, se ti e do faktikisht atë. Me lejen e Allahut në vazhdën e bisedës do të njihemi edhe me hapa të tjerë, që na afrojnë tek dashuria me fëmijën tonë.

Një pyetje tjetër që duhet ta ngresh është:

Pyetja e tretë: A e di fëmija yt, a mendon ai se ti e do atë?

Kjo pyetje është shumë e rëndësishme: A e di fëmija yt se ti e do atë? Pyete fëmijën tënd, ose para se ta pyesësh fëmijën tënd, pyete fëmijën e fqinjit tënd apo të të afërmve të tu: “A je i sigurt se prindi yt të do ty?”

Nëse fëmija përgjigjet shpejt dhe pa hezitim: “Po, babai im më do mua”, atëherë qetësohu. Ndërsa nëse fëmija pushon për një farë kohe, luhatet, apo thotë: “Ma përsërit edhe një herë këtë pyetje pasi nuk të kuptova”, kjo tregon se faktikisht ai nuk ndjen, se prindi i tij e do ashtu siç duhet. Fëmija thjesht po merr kohë në dhënien e përgjigjes, që të ta bëjë qejfin.

Drejtoja këtë pyetje një fëmije, që është fëmija i mesit dhe do gjesh ashtu siç tregojnë të dhënat, se shumica e fëmijëve të mesëm kanë bindjen, se prindërit e tyre nuk i duan. Pasi e pyet fëmijën e mesit, ai të përgjigjet: Jo prindi im nuk më do mua. Ai do fëmijën e tij më të madh dhe atë më të vogël. Kjo ndodh, pasi në sytë e tij i madhi ka marrë në dorë çështjen e drejtimit, ndërsa më i vogli ka marrë preokupimin dhe nga ana tjetër gjuha e ndjenjave të tij të thotë: “Unë jam një fëmijë që prindërit më kanë harruar”.

Pra, shtrohet pyetja: “A e di fëmija im, a mendon ai se unë e dua?”

Sa herë që shtrohet kjo pyetje, prindërit befasohen dhe fillojnë të përmenden. Në një rast, pasi kjo pyetje iu drejtua një nëne, ajo u shpreh: “Po, kështu është, unë kam një vajzë të vogël që vjen shpesh dhe më pyet: Mami, a më do ti mua?”

Në fakt pyetje si kjo, që shprehin hezitimin e fëmijës, janë argument se fëmija yt nuk është i sigurt se ti e do.

Kështu pra, rëndësia nuk qëndron tek përgjigja ndaj pyetjes: A e do ti fëmijën tënd?; por rëndësia qëndron tek dhënia asaj përgjigje nëpërmjet tre pyetjeve të cilat ishin:

A e shpreh ti me gjuhën tënde dashurinë që ke për fëmijët e tu në çdo ditë të paktën gjashtëdhjetë herë?
A e shpreh dashurinë tënde për fëmijët e tu përmes sjelljeve pozitive dhe në mënyrën se si t’i sillesh?
A e di dhe a mendon me bindje fëmija yt, se ti si prind e do atë?

Nëse u përgjigjesh pozitivisht këtyre pyetjeve dhe e ndjen, që në vazhdimësi e shpreh faktikisht dashurinë dhe ndjenjat e tua karshi fëmijëve të tu, që sillesh bukur kundrejt fëmijëve të tu, qëndron me ta, ua dëgjon fjalët me vëmendje, konsultohesh me ta, loz me ta, bën shaka me ta, i merr në prehër, i përqafon, i puth, bën humor me ta; kjo është gjë për t’u kënaqur dhe mund të jesh i sigurt, se ti vërtet e do fëmijën tënd dhe se ti je prej 10 % të prindërve, që i duan fëmijët e tyre.

Ndërsa çdo lloj mangësie apo defekti në këto që thamë, tregojnë se ti je prej 90 % të atyre, që nuk i duan faktikisht fëmijët e tyre dhe të duhet të përpiqesh të rikuperohesh dhe ta kapësh veten, që të jesh prej elitës, prej ajkës së prindërve që i duan fëmijët e tyre.

Këto janë pyetje shumë të rëndësishme, sa i përket dashurisë së fëmijës. Ato janë shumë të rëndësishme, prandaj duhen marrë në konsideratë dhe duhet të vendosen në qendër të vëmendjes.

Prind i nderuar! Falenderojmë Zotin, i Cili të ka dhuruar dhjetëra e dhjetëra mënyra për t’i shprehur fëmijës tënd dashurinë tënde, sidomos përmes të folurit, qoftë ai edhe në dialektin tënd. Shprehja e dashurisë me gojë e forcon dashurinë me fëmijën. Ne disponojmë një thesar gjuhësor, që na afron në një formë shumë të madhe me fëmijët tanë, duke e shprehur dashurinë që kemi për ta përmes gjuhës sonë.

I nderuar prind edukator! Këto ishin pyetjet e rëndësishme sa i përket dashurisë prind-fëmijë.

Mua si edukator, më duhet të përqendrohem në procesin e dashurisë së fëmijëve, duke i mësuar fëmijës tim dashurinë që unë gëzoj për të. Fëmija e fiton dashurinë përmes çfarë? Ai e fiton atë përmes ndjenjave prindërore, ngrohtësisë familjare që e rrethon. Dashuria për fëmijën gjithashtu i mëson atij se si të dojë, se si ta ndërtojë emocionalitetin dhe ndjenjat e tij, duke ndihmuar shumë seriozisht në zhvillimin e shëndoshë emocional të fëmijës.

Kemi të bëjmë me një sërë zhvillimesh tek fëmija; prej të cilëve i një rëndësie të veçantë është edhe zhvillimi emocional i tij, i cili zhvillohet falë këtyre ndjenjave. Gjithashtu mungesa e ndjenjës së dashurisë dhe privimi i fëmijës prej saj që në vegjëli, çon në reflektime të rrezikshme në personalitetin e fëmijës, që fillojnë me tendencë drejt devijimit, izolimit, mbylljes në vetvete, turpit dhe ndrojtjes shumë të mëdha dhe mund të shkaktojnë edhe sëmundjen e fëmijës, madje mund të jenë aq të rrezikshme, sa mund të dëmtojnë jetën e tij. Kjo është theksuar nga vetë shkencëtarët. Angazhimi për mëkimin natyral të fëmijës nuk konsiston thjesht në veçoritë e qumështit të nënës, por siç theksojnë shkencëtarët, ndoshta nga gjërat më të mrekullueshme të mëkimit (gjidhënies) është shtrëngimi në kraharor, që nëna i bën fëmijës. Ky shtrëngim, kjo ndjesi dhe dhembshuri është gjëja më e mahnitshme në procesin e mëkimit natyral, është më e mira sjellje, përmes së cilës nëna i demonstron fëmijës së saj dashurinë që gëzon për të. Pra ne e shprehim dashurinë për fëmijën, duke marrë në konsideratë nevojën shpirtërore që ata kanë dhe duke e ngopur këtë nevojë të tyre. Ndjenja dhe emocioni i fuqishëm prindëror që nëna e përçon tek fëmija përmes shtrëngimit të tij në kraharor, mbajtjes në prehër, prekjes dhe kontaktimit fizik me fëmijën, konsiderohet gjëja më e madhe që përçohet tek fëmija. Sa më shumë që fëmija merr dashuri nga ambienti që e rrethon, aq më tepër mëson se si të dojë dhe reagimi emocional pozitiv i fëmijës vijon të zhvillohet me vetë zhvillimin e tij fiziologjik. Fuqia e vërtetë e prindit qëndron në fuqinë e dhembshurisë dhe emocionit të tij prindëror dhe kurrsesi në egërsinë e tij. Kjo është një parullë, që çdo edukator i denjë duhet ta mbajë lart dhe ta brohorasë:

Fuqia e vërtetë e prindit qëndron në dhembshurinë dhe jo në egërsinë e tij.

Kjo parullë duhet të jetë parulla, që prindërit këmbejnë me njëri-tjetrin…

Kjo parullë vlen sidomos për babanë, duke marrë formën: “Fuqia e vërtetë e babait qëndron në dhembshurinë atërore të tij dhe kurrsesi në egërsinë e tij”.

Disa baballarë kanë bindjen se burrëri do të thotë vrenjtje, egërsi, vrazhdësi, presion…

E ç`mund t’i bësh një njeriu, që siç shprehet Profeti [a.s]: “Allahu ia ka shkulur zemrës së tij mëshirën dhe dhembshurinë atërore?!”

Dashuria dhe dhembshuria është themeli i fuqisë së njeriut. Fuqia nuk qëndron kurrsesi tek egërsia, presioni dhe dhuna, pasi çdo njeri di ta përdorë egërsinë, presionin dhe dhunën me fëmijët. Për këtë prindit i mjafton fakti, se është më i gjatë dhe më i bëshëm se fëmija me një e pak më shumë metër, ka muskuj shumë më të fortë, zë më kërcënues dhe më të lartë. Nisur nga këtu, ty si prind assesi nuk të shkon të jesh i egër me fëmijën tënd. Kjo gjë nuk përbën pikën tënde të fortë, por pika jote e fortë është të praktikosh dhembshurinë atërore, ndjesinë, gjuhën e dashurisë. Po disponove dashurinë, ke disponuar në të vërtetë një mrekulli shumë të madhe dhe me të mund të bësh mrekulli. Një prind i suksesshëm beson në parullën: “Dashuria bën mrekulli”.

Përmes dashurisë mund t’i kapërcejmë problemet serioze, që gjenden tek fëmijët tanë. Sjelljet që ne mund të korrektojmë, të rrënjosim dhe ndërtojmë tek fëmijët tanë përmes vlerës së patjetërsueshme të dashurisë, janë shumë më të mëdha sesa ato që mund të bëjnë egërsia, presioni, dhuna dhe vrazhdësia.

Të gjithë ne e dimë këtë gjë në teori dhe mbi këtë kemi dëgjuar dhe lexuar sa e sa histori që në vegjëlinë tonë. Prej këtyre është historia midis diellit dhe erës, sesi dielli i thotë erës: Unë jam më i fortë; teksa era nga ana e saj këmbëngulte se ajo është më e forta. Era e ftoi diellin në sfidën që do të shpallte, se cili prej tyre ishte më i forti. Për këtë ajo i propozoi diellit mbi një person që kishin përpara duke i thënë: Jo ku është ky person përpara nesh. Le të provojmë se kush është më i fuqishmi, për t’ia hequr atij xhaketën e tij. Filloi e para era, duke pasur në vetvete besim të patundur, se ajo do të mund t’ia hiqte personit xhaketën e tij. U egërsua shumë e shumë, por sa më shumë që ajo egërsohej, aq më shumë burri e shtrëngonte xhaketën e tij. Kështu vazhdoi skenari për një kohë të gjatë, derisa era i humbi shpresat dhe s’i mbeti tjetër, veçse të dorëzohej. Pastaj i erdhi radha diellit dhe ai i dërgoi personit rreze të ngrohta dhe të qeta, që i dhuruan atij ngrohtësi. Sapo ai ndjeu ngrohtësinë, e hoqi me kënaqësi xhaketën e tij.

Mesazhi i këtij proverbi është, se ajo që ne mund të bëjmë me dashurinë dhe ngrohtësinë, është shumë më e madhe se ajo që mund të bëjmë me egërsi dhe ftohtësi.

Duhet të kujtojmë dhe të përmendemi sa më shpesh, se fuqia e njeriut qëndron tek fuqia e dashurisë dhe ndjeshmërisë së tij dhe jo tek fuqia e dhunës së tij.

Koncepti i fuqisë tek ne muslimanët, nuk është i lidhur me pushtetin, me fizikun, me fuqinë monetare, por është i lidhur me fuqinë e raportit dhe komunikimit të arrirë me të tjerët. Pikërisht ky është edhe arsyetimi, që përmbush për ne edukimin pozitiv dhe suksesin me fëmijën tonë, që realizon për ne lumturinë, dashurinë dhe dashamirësinë brenda familjes sonë.

Në bisedat e ardhshme do plotësojmë së bashku çështjen, se si ta praktikojmë këtë edukim pozitiv drejt suksesit me fëmijët tanë brenda familjeve tona.

Duke shpresuar të shihemi sërish në takimin e ardhshëm, u lë në garancinë e Allahut.

Deri atëherë “Es Selamu Alejkum ue Rahmetullahi ue Bereketuhu”.

Doktor. Mustafa Ebu Sead

 

Check Also

“10 fjalë që shkatërrojnë fëmijën tënd” nga Dr. Psikoterapeut: Xhasim El-Mutava

Dr. Psikoterapeut: Xhasim El-Mutava Vërtet, shumë nga nënat dhe baballarët, përgjatë prindërimit të tyre, ndaj …