Home / Historia / Zbulohen fragmente të një piramide 3.700-vjeçare në Egjipt

Zbulohen fragmente të një piramide 3.700-vjeçare në Egjipt

Fragmentet e një piramide 3.700-vjeçare u zbuluan në gjendje të mirë në Egjipt, në qendrën arkeologjike të Dahshurit, pranë Kajros, njoftoi të hënën Ministria e Antikiteteve.

“Piramida e vogël, e cila daton që prej dinastisë së 13-të (1.802-1.640 p.e.s.) u gjet në nekropolin e Dahshurit, në jug të Kajros, në gjendje të mirë ruajtjeje”, theksoi Ministria.

“Arkeologët egjiptianë kanë zbuluar gjithashtu një korridor, që të çon në brendësi të piramidës, zgjatur nga një devijim”, sipas komunikatës.

“Ekipi do të vazhdojë gërmimet arkeologjike në qendër për të gjetur pjesën e mbetur të piramidës”, vijon komunikata.

Arkeologët kanë gjetur një bllok të vogël në alabastër të nxirë, ku duken mbishkrimet në hieroglife, si dhe një parvaz graniti dhe blloqe gurësh, të cilat bëjnë të mundur që të mësohet më shumë për arkitekturën e brendshme të piramidës.

Gërmimet sapo kanë filluar dhe ende nuk dihet përmasa e piramidës. Në fotot e publikuara nga ministria shihen vetëm blloqe gurësh dhe fillimi i korridorit.

Zbulimi u bë pranë piramidës në formë romboidi në Dahshur, ndërtuar nga Faraoni Snefru, themelues i dinastisë së 4-t (2.600 p.e.s.) dhe babai i Faraonit Keops, që i ka dhënë emrin e tij një prej piramidave më të njohura egjiptiane, në pllajën e Gizës.

“Egjipti do të numëronte të paktën 123 piramida”, theksoi arkeologu Zahi Hawass, ish-ministër i Antikiteteve.

Check Also

ILAÇI PËR ZEMRËN E NGURTË

Shejh Ibn Uthejmini -Allahu e mëshiroftë- ka thënë: “Vërtetë për zemrën e ngurtë ka ilaç …