Home / Troje Shqiptare / Kosova / Zaev: Turqia është një nga miqtë tanë më të mëdhenj

Zaev: Turqia është një nga miqtë tanë më të mëdhenj

Në një prononcim për agjencinë turke të lajmeve Anadolli (AA), Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, në prag të vizitës së tij në Republikën e Turqisë, foli për qëllimin e vizitës, marrëdhëniet me këtë vend, bashkëpunimin ekonomik, situatën në rajon, për çështjen e mosmarrëveshjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe aspekte të tjera shoqërore me rëndësi politike.

Kryeministri Zaev thotë se vizita në Turqi është diçka e rregullt në marrëdhëniet me miqtë, duke e quajtur Turqinë si një nga miqtë më të mëdhenj të Maqedonisë. Ai përmendi edhe marrëveshjen e nënshkruar për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

“Turqia është një nga miqtë tanë më të mëdhenj. Rrallë vend mund të mburret se ka nënshkruar më shumë se 100 marrëveshje në nivel dypalësh. Gjatë kësaj periudhe të pavarësisë së Maqedonisë, me Turqinë kemi nënshkruar më shumë se 100 marrëveshje në të gjitha fushat e jetës së përditshme të qytetarëve tanë. Më vjen mirë që marrëveshjet zgjerohen sipas nevojave të komunitetit të biznesit. Ne i ndjekim, marrëveshjet rrjedhin pikërisht nga komuniteti i biznesit. Me këtë marrëveshje zgjerohet fushëveprimi i bashkëpunimit ekonomik. Shpresa jonë është se vetëm do t’i forcojë aktivitetet e përbashkëta ekonomike, kryesisht aktivitetet investuese të kompanive turke të cilat gjithnjë e më shumë vijnë në Maqedoni duke ndërtuar një miqësi që është një nga thelbi i vizitës në Turqi dhe e cila vjen me ftesë të kryeministrit të Turqisë, ku do të mund të diskutojmë për të gjitha aspektet e përmirësimit të bashkëpunimit të shkëlqyer që e kemi me Turqinë. Natyrisht, si çdo qeveri, ashtu edhe ajo turke, ashtu edhe e jona, mbi të gjitha është e angazhuar në ekonominë dhe në mirëqenien e qytetarëve”, deklaron Zaev.

Zaev beson se me përmirësimin e bashkëpunimit përfitim do të kenë qytetarët e Maqedonisë dhe të Turqisë.

Siç zbulon ai, në agjendën e vizitës së tij në Turqi është konfirmuar takimi me kryeministrin Binali Yıldırım, me kryeparlamentarin Ismail Kahraman, me përfaqësues të odave ekonomike, kompanisë ajrore TAV, dhe natyrisht është paraparë takim me presidentin e shtetit Recep Tayyip Erdogan.

Kryeministri Zaev në intervistën për AA i referohet edhe marrrëveshjes së nënshkruar së fundmi midis Maqedonisë dhe Turqisë për bashkëpunim ushtarak financiar midis ministrive të mbrojtjes të të dy vendeve, e cila parashikon një mbështetje në vlerë prej 1,5 milionë dollarëve nga ana e Turqisë për Maqedoninë.

Siç thekson Zaev, Turqia është mbështetëse e fuqishme në përforcimin e kapacitetit të mbrojtjes së Maqedonisë, edhe atë që nga fillimi i viteve të 90-ta.

“Më shumë bëhet fjalë për kapacitetet që resurset ushtarake turke mund t’i ndajnë me Maqedoninë, edhe atë nga fusha e mbrojtjes dhe nga fusha e sigurisë përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme. Bëhet fjalë për shfrytëzimin e mundësive që Turqia ofron për ngritjen e kapaciteteve të njësive speciale në Maqedoni dhe në përgjithësi pajisjen e njësive speciale. Shumë shpesh me forcat e Turqisë marrim pjesë në misionet në Afganistan, në Kabul, partneriteti është aq serioz, besimi është aq i madh, saqë forcimi i përbashkët i kapaciteteve do të thotë kapacitete të forcuara bashkërisht. Turqia është anëtare e NATO-s, ka kapacitete serioze të mëdha nga të cilat Maqedonia mund të mësojë shumë. Ne jemi mirënjohës. Turqia është një nga donatorët më të mëdhenj të pajisjeve ushtarake në Maqedoni, prodhim i drejtpërdrejt turk me kompanitë turke apo të ngjashme”, thekson Zaev, duke shprehur mirënjohje ndaj Turqisë, sepse, siç thotë ai, ajo është vetëm një konfirmim i miqësisë së madhe që Turqia e ushqen drejt Maqedonisë.

“Ne jemi krah për krah me Turqinë në luftën kundër terrorizmit”

Kryeministri Zaev, në shënimin e Ditës së Arsimit të Gjuhës Turke në Maqedoni më 21 dhjetor, tha se Maqedonia mbështet Turqinë në luftën kundër organizatës terroriste FETO, ndërsa në intervistë thekson se Maqedonia është krah për krah me Turqinë në luftën kundër terrorizmit.

“E dini që, së pari, në nivel global jemi krah për krah me Turqinë për luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit, radikalizmit kudo. Ne, ashtu si e gjithë bota, e dënuam mënyrën e dhunshme të përpjekjes që ndodhi në vitin 2016 për të marrë institucionet. Ajo nuk është e pranueshme askund në botë, as në një vend demokratik si Republika e Turqisë. Për fat të keq, ne e pamë atë edhe tek ne më 27 prill, kur përmes një mënyre të dhunshme u synua të merret kontrolli i parlamentit. Këtu edhe më tepër ndajmë solidaritetin me Turqinë. Institucionet demokratike dhe qytetarët vendosin se kush do t’i udhëheqë ose jo. Mënyra e marrjes me dhunë është e dënueshme, unë e dënova, i kam dhënë mbështetjen tonë Turqisë në luftën kundër çdo lloji të terrorizmit, ekstremizmit dhe radikalizmit, për shkak se në shekullin 21 me të vërtetë duhet të ecim përpara dhe ngjarjet e këtilla meritojnë dënim”, thotë Zaev.

“Turqia është një mbështetëse e madhe e Maqedonisë në integrimin në BE dhe NATO”

Integrimet në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO janë qëllime strategjike të Maqedonisë, ndërsa Turqia si partner strategjik i Maqedonisë është mbështetësi e saj në këto procese.

Duke kujtuar këtë fakt, kryeministri Zaev thotë se Turqia jo vetëm që është mbështetës, por njëkohësisht është një promotor i Maqedonisë në këto procese.

“Turqia nuk është vetëm një mbështetëse, ajo është promotori ynë, është partneri ynë që kujdeset për perspektivat tona, kryesisht në NATO ajo është shumë e theksuar. Turqia kudo me fusnotë i shënon të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Maqedoninë, duke e shprehur atë si Republika e Maqedonisë. Kjo me të vërtetë është një rrethanë shumë e gëzueshme për ne. Ne jemi shumë mirënjohës që kemi një partner, mik, që e mbështet integrimin e Maqedonisë në NATO dhe Turqia vazhdon edhe më tej”, thotë Zaev.

Ai thekson se çështja e mosmarrëveshjes me emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë është një problem thelbësor, për shkak se Maqedonia kërkon mbështetje nga të gjitha vendet që janë anëtare të institucioneve ndërkombëtare, kryesisht të Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe BE-së.

“Turqia është edhe anëtare e NATO-s dhe në procesin e NATO-s sigurisht që është e mirëpritur ajo mbështetje, por edhe vend që është këtu në gadishullin e Ballkanit. Kjo miqësi me Turqinë është e ndërtuar për shumë vite dhe ne duhet ta avancojmë. Unë besoj se do ta shfrytëzojmë këtë vizitë për të kërkuar mbështetje në proceset që janë aq të rëndësishme për Maqedoninë, NATO-n dhe BE-në, pikërisht nëpërmjet një prej miqve tanë të mëdhenj, si Republika e Turqisë”, shprehet Zaev.

Po ashtu, kryeministri maqedonas thotë se absolutisht nuk ka asnjë rezervë se Turqia do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë në mosmarrëveshjen e emrit, për të cilën thotë se është thelbësore.

“Më shumë varet mes nesh dhe Greqisë, nën udhëheqjen e OKB-së përmes Matthew Nimetz. Unë jam i bindur se ekziston zgjidhje nëse me të vërtetë kemi mirëkuptim reciprok mes dy palëve të përfshira në negociata. Mirëpo, miqtë janë gjithmonë të mirëpritur të na inkurajojnë, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për anën tonë e cila sigurisht që ka nevojë për inkurajim. Jam i bindur se edhe një herë mbështetja, miqësia dhe inkurajimi do të jetë vetëm një nxitje shtesë për të gjetur një zgjidhje të tillë”, thekson Zaev.

“Bashkëpunimi kulturor me Turqinë është i rëndësishëm”

Gjatë bisedës, kryeministri Zaev, përveç bashkëpunimit ekonomik foli edhe për bashkëpunimin kulturor midis Maqedonisë dhe Turqisë, duke informuar mbi çështjen e qendrave kulturore të të dy vendeve e cila duhet të zgjidhet.

“Vendet mike nuk kanë paragjykime për asnjë çështje. Sigurisht, do ta hapim edhe këtë çështje nëse kemi njerëz dhe institucione të përshtatshme. Ende nuk e kemi zgjidhur tërësisht çështjen e kapaciteteve, konkretisht objektet për qendrat kulturore në të dy vendet. Këtu kemi caktuar Kurshumli An. Kemi atje një objekt të papërshtatshëm të caktuar dhe këtë mund ta zgjidhin vetëm dy qeveritë, dhe qeveritë janë plotësisht të orientuara kah miqësia. Unë besoj se mund të gjendet zgjidhje në mënyrë plotësuese. Problemi këtu është për shkak të themeleve konservatore dhe mënyrës spikaste të projektimit të pjesëve të qelqit që duhet të jenë autentike për qendrën kulturore të Turqisë këtu në Shkup, kurse pjesa jonë është hapësira e papërshtatshme për të cilën ne kemi nevojë shtesë, por kjo është një çështje e institucioneve. Besoj se do të gjendet zgjidhje e përshtatshme, sepse nevoja për hapjen e qendrave kulturore për bashkëpunim midis dy vendeve tona ka thelbin dhe nevojën e saj. Është hapur nga qeveria e mëparshme dhe kjo është e mirë, sepse ajo mund vetëm të promovojë bashkëpunimin kulturor mes Maqedonisë dhe Turqisë”, thotë Zaev.

“Turqia është miku më i madh i Maqedonisë”

Ndër të tjera, kryeministri i Maqedonisë thekson se është e rëndësishme për të gjitha vendet, veçanërisht vendet në rajon, të ndërtohet miqësi, të krijohen kushte për bashkëpunim ekonomik, tregtar, kulturor dhe çdo lloj tjetër bashkëpunimi nga të cilët qytetarët do të përfitojnë.

“Le të vazhdojmë të ndërtojmë miqësi të këtillë, sepse miqësia definitivisht mund të jetë vetëm e dobishme dhe nuk mund të jetë humbje për askë. Unë jam i bindur se Turqia, me vizitën që do ta zhvillojmë tani në Ankara, edhe një herë do të jetë vetëm një konfirmim i miqësisë e cila ka qenë një shembull për të gjithë rajonin, jo vetëm në mes të Republikës së Maqedonisë dhe Turqisë, por ka shkëlqyer me një shprehje të mirëdashësisë së marrëdhënies miqësore të të dy vendeve, e cila mund të jetë vetëm një model që mund të pasohet nga vendet e tjera”, potencon Zaev.

Në fund, kryeministri Zaev shpreh besimin se bashkëpunimi me Turqinë mund të përmirësohet edhe në mënyra të tjera që nuk janë përdorur deri më tani, veçanërisht duke theksuar turizmin si sferë në të cilën Republika e Turqisë ka qenë shumë e suksesshme dhe ka përvojë të pasur.

“Në këtë takim, unë do të përpiqem të arrij shumë edhe në pjesën e turizmit, edhe në atë të ekonomisë, të kërkoj mbështetjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit, presidentit dhe kryetarit të parlamentit në Turqi, për ta vazhduar në mënyra precize atë ndihmë të cilën Turqia në mënyrë jo egoiste ia jep Maqedonisë për të kontribuar në aspektet ekonomike. Ekonomia është një sfidë e madhe për qytetarët tanë, ndërsa më së shumti mund të na ndihmojnë miqtë, e Turqia është miku më i madh i Maqedonisë”, thotë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. (AA)

Check Also

MË MËSUAN LIBRAT

1- Leximi na thotë këtu janë ndalë ata që kanë qenë para nesh, këtu ka …