Home / Rajonë & Botë / Vendet islame do të bojkotojnë mallrat izraelite

Vendet islame do të bojkotojnë mallrat izraelite

Me nismën e Turqisë vendet islame po përgatiten për të bojkotuar prodhimet izraelite.

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) gjatë kthimit me avion nga Bosnja-Hercegovina, ku më 20 maj u takua me emigrantët që jetojnë në Evropë, bëri deklarata të rëndësishme për gazetarët që e shoqëronin në këtë udhëtim.

Erdoani vuri në dukje hapat që janë ndërmarrë kundër masakrimit nga ushtarët izraelitë të palestinezëve që reaguan në mënyrë paqësore hapjen e ambasadës amerikane në Jerusalem më 14 maj.

Pyetjes “A do të ndërmerren hapa konkretë për të sanksionuar, bojkotuar dhe izoluar Izraelin pas Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islam në Stamboll (OBI)?” Erdoani iu përgjigj kështu:

“Në lidhje me këtë çështje, si OBI ne kemi marrë një vendim rekomandues për bojkotimin e produkteve të këtyre (izraelitëve). Shpresoj që edhe vendet anëtare të OBI-it e fillojnë bojkotin në përputhje me këtë vendim dhe nuk do të jetë më e mundur blerja e ndonjë produkti nga Izraeli”.

Në të njëjtën mënyrë do ta rishikojë situatën edhe Turqia, theksoi Erdoan dhe shtoi: “Ne si Turqi do ti rishqyrtojmë marrëdhëniet tona me Izraelin, në veçanti ato ekonomike dhe tregtare. Përpara kemi zgjedhjet (në 24 qershor) dhe pas zgjedhjeve edhe ne do të ndërmarrim masat tona në këtë drejtim”.

Duke iu referuar vendimit të marrë nga OBI për të krijuar një komision të pavarur për hetimin e masakrave të Izraelit kundër palestinezëve, Erdoani tha: “Përtej krijimit të një komisioni të tillë, ne gjithashtu kemi rekomanduar për vendosjen atje (në Palestinë) të një force paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, si në rastin e Kosovës, apo të Bosnjës. Ne mendojmë se kjo do të kishte një efekt përfrikësues dhe për Izraelin nuk do të jetë aq e lehtë të qëllojë forcat e OKB-së me plumba”.

Lidhur me deklaratën e Presidentit të ShBA-së, Donald Trump për ndërprerjen e asistencës amerikane në Sirinë veriperëndimore, Erdoani tha se deklarata nuk ka koherencë logjike, ndërsa e vazhdoi kështu bashkëbisedimin me gazetarët në avion:

“Çfarë ndihmash ofrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) në veriperëndim të Sirisë? Në Sirinë veriperëndimore normalisht ndodhet Rusia. Kjo mua nuk më duket si një deklaratë e logjikshme për ana e koherencës. ShBA-ja më shumë është prezentë në Menbixh dhe asistenca e SHBA-së këtu është në të drejtim të furnizimit me armatim dhe municion të PYD/YPG-së (zgjatimi i organizatës separatiste terroriste PKK në Siri).Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kryejnë atje aktivitet humanitar. Përveç kësaj ShBA-ja nuk është prezente po ashtu as në Idlib dhe në Duma. I gjithë ai rajon, duke përfshirë edhe Afrinin, është një rajon ku aktualisht ne po punojmë bashkë me Rusinë”.

Check Also

Si duhet të besojmë tek Allahu?!

Si duhet të besojmë tek Allahu Ne e pranojmë bindshëm me zemrat tona dhe e …