Home / Shtypi Islam / Opinion - Analize / Revolucionet “e të uriturve dhe të urisë” vijnë nën dritën e korrupsionit të shfrenuar, margjinalizimit dhe tiranisë klasore

Revolucionet “e të uriturve dhe të urisë” vijnë nën dritën e korrupsionit të shfrenuar, margjinalizimit dhe tiranisë klasore

Filloi nga Irani, Tunizia, Sudani … E, Egjipti, Jordania dhe Maroku janë kandidatët më të fortë … Liritë po tërhiqen përkohësisht … Ndërsa kotherja e bukës përparon, përse të varfërit duhet të mbartin dështimin e qeverive dhe jo “macet e dhjamosura”?

Abdul-Bari Atuan

Fraza kolokuale në gjuhët e shumë tunizianëve, që festuan sot (të dielën) shtatë vjetorin e revolucionit të tyre, thotë: “Kemi fituar lirinë, por kushtet tona të jetesës janë përkeqësuar më shumë”. Është paradoksale që këto manifestime festive vijnë paralel me demonstrata të zemëruara në kryeqytet dhe në disa qytete në Tunizi në shenjë proteste kundër shtrenjtimit të jetesës, rritjes së çmimeve dhe rritjes së taksave, protesta këto, gjatë të cilave protestuesit përsëritnin slogane të “revolucionit” tunizian, si dhe “punë, liri dhe dinjitet kombëtar”.

Tunizianët mund të kenë fat më të mirë se shumica e kolegëve arabë, sepse realizuan kërkesat e tyre për liri dhe forcuan themelet e një shoqërie demokratike civile dhe të medias së lirë. Ndërkohë që u zmbrapsën liritë dhe u përkeqësuan kushtet e jetesës në shumë vende arabe, duke përfshirë edhe ato që dëshmuan revolucione të inicuara nga po vetë ato dhe sakrifikuan për shkak të tyre, si Egjipti, Libia, Siria dhe Jemeni, shumica e të cilave – veçanërisht Libia, Jemeni dhe Siria – janë shndërruar në shtete pothuajse të dështuara, të përfshira nga kaosi dhe që po përballen me skemat e copëzimit amerikan.

Rajoni i Lindjes së Mesme tani ndodhet në prag të “revolucioneve të urisë”, pa asnjë përjashtim. Në këtë gjendje, të pasurit dhe të varfërit janë të barabartë, pasi qeveritë e korruptuara ua ngarkojnë popujve të shtypur e të poshtëruar përgjegjësinë e përkeqësimit të kushteve të jetesës duke hequr subvencionet për mallrat kryesorë dhe duke imponuar taksa të dukshme e të padukshme për shumë shërbime e mallra të tjera të nevojshme, në përpjekje për të mbushur deficitet në buxhetet e tyre dhe për të shlyer këstet e borxheve publike si dhe kamatat e tyre me rekomandimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, kreditorit më të madh dhe komplotistit më të madh.

***

Emëruesi i përbashkët në të gjitha protestat është rritja e çmimit të bukës, gjë e cila ishte “zonë e ndaluar” në të gjitha qeveritë e mëparshme. Kjo është ajo që ndodhi në Iran, Tunizi, Algjeri dhe Sudan. Kjo është koha e thyerjes së tabuve dhe nuk e përjashtojmë përsëritjen e të njëjtit skenar së shpejti në Egjipt, Jordani, Marok, madje edhe në vetë Arabinë Saudite.

Autoritetet iraniane mundën të absorbojnë gjendjen e zemërimit popullor me anë të pranimit të gabimit dhe të tërheqjes së vendimeve që çuan në ndezjen e fitilit të protestave. Ndërsa Arabia Saudite ndërmori “sulme parandaluese” të cilat konsistuan në shpalljen e luftës kundër “balenave të korrupsionit”, hedhjen në burg të më shumë se dyqind prej tyre në mënyrë të rastësishme e jo të mirëmenduar, përdorimin e Rezervës së Përgjithshme Financiare dhe caktimin e një mijë rijalëve si “kompensim për shtrenjtimin e jetesës” për punonjësit e sektorit shtetëror, gjysmën e kësaj shume për pensionistët dhe pesë mijë rijalë njëherësh për ushtarakët të cilët janë duke luftuar në Jemen. Por këto zgjidhje janë të përkohshme – domethënë vetëm për një periudhë njëvjeçare – dhe të pjesëshme, për shkak se ato nuk përfshijnë të punësuarit në sektorin privat, të cilët janë shumicë, shtojmë këtu edhe faktin se norma e papunësisë në mesin e të rinjve në Arabinë Saudite është më e lartë se 34 për qind; dhe kjo shifër nuk i përfshin gratë. Për ironi të fatit, vendet e tjera nuk posedojnë rezerva financiare, as naftë dhe gaz, por korrupsion dhe keqmenaxhim.

Nëse disa vite më parë protestuesit në Tunizi, Marok, Libi, Egjipt, Jemen dhe Siri ishin nga elita politike dhe klasa e mesme, “kryengritësit e urisë” janë nga klasa e të shtypurve të vobekët, gjë që e bën rrezikun e tyre më të madh. Çfarë mund të humbasë njeriu i privuar nga kafshata e gojës, ndërkohë që ai sheh macet e majme të korrupsionit së bashku me familjet e tyre tek gëzojnë jetë të begatë, pallate të lavdishme dhe makina luksoze?!

Gjendja e provokimit nga e cila ankohen shumica e popujve arabë nuk vjen vetëm nga përkeqësimi i kushteve të jetesës dhe thyerja e shpinës së qytetarit nga taksat, por edhe nga amoraliteti i pasanikëve të afërt me qarqet në pushtet, të cilët nuk i ndiejnë – madje as nuk janë të gatshëm t’i ndiejnë – dhimbjet e qytetarit dhe kushtet e tij të vështira, si dhe dorëzimin e tij si një dash kurbani për dështimin e politikave të tyre dhe të qeverive të tyre. Kjo shpjegon, por nuk justifikon, rastet e grabitjes dhe shkatërrimin e disa pronave publike dhe private.

Nëse marrim si shembull Jordaninë, borxhi publik i së cilës arrin në 36 miliardë dinarë, me kamata që vlerësohen në dy miliardë dollarë në vit, do të shohim se klasa e mesme dhe ajo e pasur nuk përpiqet të ofrojë as edhe një dinar të vetëm për buxhetin e shtetit, apo të shpenzojnë një pjesë të milionave dhe miliardave të tyre për të ndihmuar të varfrit dhe shoqatat bamirëse, siç bëri Bill Gates, i cili shpenzoi më shumë se gjysma e pasurisë e tij që i tejkalonte pesëdhjetë miliardë dollarët për të ndihmuar të varfërit, apo si kolegu i tij Buffett; dhe kush shkon në lagjet e pasura të këtyre pasanikëve arabë e kupton mirë se çfarë duam të themi.

***

Kompania prodhuese e makinave luksoze italiane Ferrari kuptoi dy vjet më parë se shitjet e saj ranë në Spanjë dhe se disa pronarë të këtij lloji makinash ia kthyen ato kompanisë për t’i shitur ato sa më shpejt. Dhe kur kompania kreu studime për të gjetur shkakun, gjeti se klasa e pasur që e blente këtë lloj makinash vazhdonte ta posedonte ende pasurinë e saj pavarësisht krizës ekonomike në vend. Kështu që, ajo shkoi tek ata për t’i pyetur për arsyet e këtij fenomeni. Ata u thanë hulumtuesve: “Si dëshironi që ne të blejmë makinë Ferrari me një çmim prej të paktën 250 mijë eurosh dhe ta ngasim atë në rrugë, ndërkohë që të varfrit dhe të papunët demonstrojnë në rrugë në shenjë proteste kundër kushteve të tyre të këqija të jetesës dhe që vuajnë nga papunësia, varfëria dhe skamja?!”

Revolucioni i të uriturve mund të jetë duke ardhur më shpejt se ç’e presin shumë njerëz. Demokracia dhe liritë nuk janë më përparësitë kryesore të shumicës dërrmuese të të shtypurve, të paktën për momentin, por një copë bukë e brumosur me dinjitet e krenari; pastaj vijnë kërkesat e tjera legjitime. Demokracia është një “luks” i mëvonshëm për të uriturit dhe të papunët, të cilët nuk mund të sigurojnë as kafshatën e bukës për fëmijët e tyre, për të mos përmendur barnat, shërbimet shëndetësore dhe arsimore në vende ku dominojnë korrupsioni, diktatura dhe dallimi klasor.

Nga Tunizia nisi revolucioni demokratik i Pranverës Arabe, gjuhët e flakës së të cilës u përhapën pothuajse në të gjitha anët e botës arabe. Dhe po nga aty sot merr shkas edhe revolucioni i urisë dhe i të uriturve. Me siguri ai do të ketë jehonë në të ardhmen e afërt dhe të largët… Dhe ditët janë mes nesh.

*Analizë e autorit e publikuar më datë 14 janar 2018 në gazetën elektronike “Ra’jul Jeum”./ PT

Check Also

Video: Hoxhë Mazllam Mazllami Në Prizrën është Liruar Nga Akuzat Dhe është Dal Plotësis…

Hoxhë Mazllam Mazllami Në Prizrën është Liruar Nga Akuzat Dhe është Dal Plotësisht i Pafajshëm …