Home / Feja / Qumështi (Leben)

Qumështi (Leben)

Qumështi (Leben)

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Në fakt, edhe te bagëtitë ju keni shenja për të mësuar prej tyre. Ne ju japim atë që kanë në barkun e tyre prej ushqimit të përpunuar dhe gjakut: qumësht të pastër dhe të shijshëm për ata që e pinë.” [Nahl, 66] Në një ajet tjetër, ku bëhet një përshkrim i Xhenetit, Ai thotë: “…një vend, ku ka lumenj me ujë të pandotur, lumenj qumështi me shije të pandryshueshme…” [Muhamed, 15] Ndërsa në Sunen është ky hadith: “Cilido që Allahu i jep ndonjë lloj ushqimi, le të lutet: „O Allah, bekoje këtë për ne dhe na jep çfarë të jetë më e mirë për ne!‟ E cilido që Allahu i fal pak qumësht, le të thotë: „O Allah, bekoje këtë për ne dhe na fal më shumë si ky!‟, pasi unë nuk di ndonjë ushqim e pije njëkohësisht, më të kompletuar (në vlera) se qumështi.”
Ndonëse qumështi është një ushqim tepër i thjeshtë, ai është tepër i natyrshëm për trupin, pasi ai përmban tre substanca bazë: djathin, gjalpin dhe ujin.
Djathi është i ftohtë e i lagësht, me shumë vlera ushqyese. Yndyra e qumështit është me nxehtësi dhe lagështi mesatare, e tepër e ushqyeshme për trupat e shëndetshëm. Ndërsa uji që përmban ai është i nxehtë dhe i lagësht. Ai zbut stomakun dhe e pasuron trupin me lëngjet e nevojshme.

Qumështi, në përgjithësi, ka nxehtësi dhe lagështi mesatare, pavarësisht se për këtë çështje janë shprehur edhe mendime të tjera. Vlerat e veta maksimale ai i ka kur është i sapomjelë; me kalimin e kohës, ato vijnë gjithnjë e në rënie. Qumështi i freskët është më pak i ftohtë dhe më tepër i lagësht, ndërsa me qumështin e thartuar ndodh e kundërta.
Qumështi është më cilësor kur milet dyzet ditë pasi kafsha ka pjellë të voglin e saj. Lloji më i mirë i tij është ai që ka ngjyrën më të bardhë të mundshme, pasi ai ka edhe aromë të këndshme, është më i shijshëm, disi i ëmbël, më pak i yndyrshëm dhe më i lehtë në përmbajtje. Tjetër kusht që e bën qumështin më të mirë është mosha e re e kafshës nga e cila milet, sidomos kur ajo ka trup mesatar dhe ushqehet në kullota të shëndetshme.
Qumështi, në përgjithësi, është i mirë. Ai prodhon gjak të kuq, i shton lagështinë trupit dhe është ushqim i pasur. Qumështi është qetësues i depresionit, i obsesioneve dhe i sëmundjeve që shkaktohen nga vreri i zi. Nëse pihet me mjaltë, ai pastron trupin nga lëndët e dëmshme, e nëse pihet me sheqer, çel ngjyrën e lëkurës. Qumështi përtërin energjitë e humbura pas marrëdhënieve seksuale, i bën mirë gjoksit, mushkërive dhe atyre që vuajnë nga turbekulozi.
Sidoqoftë, qumështi nuk është i mirë për kokën, stomakun, mëlçinë dhe shpretkën. Pirja me tepri e tij dëmton dhëmbët dhe trysat, prandaj është e këshillueshme që, pas pirjes së tij, të shpëlahet goja. Në dy Sahih-ët tregohet se, njëherë, Pejgamberi (s.a.u.s.) piu pak qumësht dhe, pas kësaj, kërkoi ujë që të shpëlante gojën, duke thënë: “Ai përmban yndyrë.”
Qumështi nuk i ndihmon ata që vuajnë nga ethet, nga dhembjet e kokës ose sëmundjet në tru. Teprimi me pirjen e tij shkakton errësim ose dëmtim të shikimit, cermë, bllokime në veshka dhe fryrje të barkut. Këto efekte anësore negative, sidomos për ata që nuk janë mësuar me të, mund të asnjanësohen duke e përzier qumështin me mjaltë, xhenxhefil etj.

Check Also

Qumeshti i dhisë – Për shkak të vlerave te larta medicinale që posedon konsiderohen ndër ushqimet më të shëndetshme në botë

Qumeshti i dhisë Për shkak të vlerave te larta medicinale që posedon konsiderohen ndër ushqimet …