Home / Feja / QËLLIMI – Vehbi Nuxhejm

QËLLIMI – Vehbi Nuxhejm

إِنَّمَا اْلأَعْمَالُ بُالنِّيَّاتِ، وَإِنَّمَا لِكُلِّ امْرِىءٍ مَانَــوَى، فَمَنْ كَانَتْ هِجْرَتُهُ إِلَــى اللهِ وَرَسُــولِهِ فَهِجْرَتُهُ إِلَى اللهِ وَرَسولِهِ، وَمَنْ كَانَتْ هِجْرَتُهُ إِلَى دُنْيَا يُصِيبُهَا، أَوِ امْرَاَةٍ يَنْكِحُهَا فَهِجْرَتُهُ إِلَى مَا هَاجَرَ إِلَيْهِ.

KUPTIMI I HADITHIT

Profeti Muhamed (a.s) ka thënë:

“Punët janë sipas qëllimit dhe çdokush shpërblehet sipas qëllimit të tij. Kush ka emigruar (ka bërë hixhret) për Allahun dhe të Dërguarin e Tij (s.a.s), emigrimi i tij është për Allahun dhe të Dërguarin (s.a.s). Kush ka emigruar për përfitime materiale apo për tu martuar me ndonjë vajzë, emigrimi i tij është për shkaktarin e këtij udhëtimi.” (Buhâri, Kitâbu’l-Imân: 50)

PUNËT VLERËSOHEN SIPAS QËLLIMIT

Hadithi i lartpërmendur është në lidhje me qëllimin (nijetin), i cili përbën një nga themelet më të shëndetshëm dhe një nga të vërtetat më të larta në fenë Islame.

Fjala nijet në leksik do të thotë “të kesh për qëllim, t’i drejtohesh diçkaje me zemër”. Kurse në terminologji do të thotë “të jesh pranë kryerjes së një pune, të kesh atë për qëllim dhe t’i drejtohesh me tërë zemrën”. Sipas kësaj, koha e nijetit është kreu i veprës ose i adhurimit. Prandaj nijeti duhet të jetë afër me veprën.

Librat më të rëndësishëm hyjnorë dhe njerëzorë kanë kushtuar rëndësi të veçantë për nijetin dhe e kanë trajtuar atë me shumë përkujdesje. Prandaj, edhe Buhariu i Nderuar, veprën e tij “Sahih” e ka nisur me hadithin e bekuar që përmendëm më sipër.

Karakteristika kryesore e nijetit dhe dobia e tij është, që një vepër normale e kthen në gradën e një adhurimi plot vlerë dhe sevape. Prandaj nijeti është një eliksir shumë i fortë dhe një ilaç me efekt të menjëhershëm. Dobitë e tij mund t’i përmendim si më poshtë:

1. Nijeti i kthen veprat e thjeshta në adhurime

D.m.th., një vepër që kryhet vetëm e vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar dhe duke pritur shpërblim vetëm prej Tij, hyn në kategorinë e adhurimeve të vlefshme dhe vepruesit i përfton shumë sevape. Nëse e njëjta vepër kryhet pa një nijet (qëllim e vetëdije) të tillë, atëherë ajo është thjesht një vepër normale, si shumë vepra të tjera në përditshmërinë e njeriut dhe nuk ka sevape. Nëse e njëjta vepër, kryhet për kënaqësi të dikujt tjetër përveç Allahut, atëherë kjo quhet rija. Për shembull:

a) Të qëndrosh pa ngrënë e pa pirë nga mëngjesi deri në mbrëmje. Nëse kjo vepër kryhet me qëllimin e agjërimit për hir të Allahut, atëherë merr vlerën e një adhurimi me shpërblime të mëdha. Por nëse kjo vepër kryhet vetëm për të stërvitur stomakun me uri dhe për të mbajtur veten larg kërkesave trupore, apo thjesht për dietë, atëherë kjo është një vepër normale dhe nuk ka sevape.

b) Nëse punët si ngrënia, pirja apo fjetja, kryhen me qëllim, që detyrimet karshi Allahut të kryhen në mënyrë të kujdesshme dhe sa më të plotë, atëherë vlerësohen si adhurime dhe vepruesit i përftojnë sevape. Përndryshe këto do të jenë punë të thjeshta pa asnjë shpërblim.

c) Të sakrifikosh nga gjumi i natës, duke falur namaz apo duke lexuar Kuran, është një ndër adhurimet me më shumë shpërblime, kur bëhet për kënaqësi të Allahut. Nëse një qëllim i tillë mungon dhe sakrifikojmë nga gjumi ynë, atëherë kjo vepër nuk na jep asnjë dobi dhe ne thjesht sa do të kemi mbetur pa gjumë. Kurse të mos flesh nuk është as virtyt e as adhurim.

d) Edhe mbyllja dhe qëndrimi në xhami vlerësohet në të njëjtën mënyrë. Nëse kryhet me nijet adhurimi, vlerësohet si itikaf. Por nëse kryhet thjesht për çlodhje, atëherë fetarisht s’ka asnjë shpërblim.

2. Punët vlerësohen sipas nijetit

Për shembull:

a) Të lahesh është një punë. Por të lahesh në rast se është farz ose sunet është adhurim. Nëse qëllimi është thjesht pastrimi, kjo është një vepër normale dhe nuk ka asnjë sevap.

b) Të merresh me dije, të bësh shumë harxhime duke blerë libra dhe t’i lexosh ato është shumë e dobishme. Por t’i bësh këto me qëllim që të fitosh kënaqësinë e Allahut, që të edukosh veten dhe brezat, dhe që t’i kumtosh njerëzve të vërtetat e larta hyjnore, është një vepër shumë e vlefshme, një veprimtari shumë e dobishme dhe një adhurim fitimprurës. Madje Imam Shafiiu shprehet se edhe gjumi i nxënësit të vërtetë të dijes është adhurim. Përndryshe, përfitimi i një personi, që e ka kaluar jetën e tij me dije dhe shkencë, do të jetë thjesht kulturë dhe dije pa vepra. Sepse të lexosh thjesht për të ditur nuk është as adhurim dhe as virtyt.

Madje, nëse studimet kryhen që të vlerësojnë të tjerët ose për të heshtur dikë tjetër në debate të ndryshme, atëherë ky lexim e studim kthehet në rija dhe ky është një mëkat i madh. Sepse ka shumë mundësi që nën këtë veprim të gjendet një farë shirku i fshehtë.

c) Edhe mbulesa është e tillë. Nëse mbulohesh sepse është urdhër i Allahut apo për të dalë në një formë më të denjë përpara Allahut në namazet e xhumasë dhe të bajrameve, atëherë është adhurim. Të mbulohesh për tu mbrojtur nga era dhe nga dielli, apo të zbukurohesh për t’iu dukur të tjerëve nuk është adhurim. Dhe nuk ka as sevap.

d) Martesa gjithashtu vlerësohet në të njëjtën mënyrë. Nëse bën martesë për të mbrojtur veten nga mëkatet, për të kaluar një jetë sa më të pastër dhe për t’i shërbyer sa më mirë Islamit, atëherë kjo martesë është adhurim. Kurse martesat konform kritereve të fesë, por pa menduar dimensionin fetar apo qëllime të tilla, janë marrëveshje normale.

3. Nijeti i kthen veprat e mira në të këqija dhe veprat e këqija në të mira

Domethënë, kur disa punë të mira kryhen me qëllime negative, ato kthehen në punë të këqija. Si dhe anasjelltas. Sepse ka shumë njerëz që vdesin për hir të diçkaje. Por ata vlerësohen sipas qëllimeve të tyre. P.sh., nëse kanë vdekur me qëllim që të shpërndajnë fenë hyjnore, për të mbrojtur atdheun, familjen apo nderin e tyre, vlerësohen si dëshmore. Përndryshe janë thjesht të vdekur.

Një shembull tjetër është vetë shejtani. Në fakt ai bëhet shkak që  për shumë persona të hyjnë në xhenet. Veçse, duke qenë se nijeti i tij është negativ, vetë shejtani ka për të pësuar dënim të përjetshëm.

Të bësh një punë për hir të Allahut quhet njëkohësisht edhe sinqeritet. Kuptimi i tij është që të veprosh për hir të Allahut dhe shpërblimin ta presësh vetëm prej Tij. Sipas kësaj, në mënyrë që veprat tona të jenë të vlefshme dhe t’i përftojnë vepruesit lumturinë e amshueshme, është kusht, që punët farz të kryhen për shkak se Allahu i ka urdhëruar, punë haram të braktisen për shkak se Allahu na i ka ndaluar dhe punët sunet të kryhen për shkak se përbëjnë traditën e Profetit tonë (a.s). Për sa i përket urtësive, të cilat do të dalin në pah në fund të secilës prej punëve të mira, të mendosh rreth tyre nuk zhvleftëson asnjë vepër dhe nuk ia pakëson sevapet personit, për sa kohë që shpërblimi nuk është kthyer në synim kryesor. Por në rast se ndjekja e urdhëresave hyjnore, qëndrimi larg punëve të ndaluara dhe ndjekja e sunetit profetik nuk zbatohen me një vetëdije të tillë; nëse cigarja dhe alkooli braktiset thjesht sepse i bën dëm shëndetit, largohesh nga ushqimi sepse dieta i bën mirë shëndetit dhe mbulohesh për tu mbrojtur nga i nxehti apo i ftohti, atëherë këtu nuk bëhet fjalë për adhurime. Prandaj dhe shpërblim në sevape nuk ka. Por patjetër që njeriu mbron veten nga mëkatet duke vepruar kështu.

Nijeti/qëllimi është shumë i rëndësishëm. Në krye të çdo vepre të mirë e të dobishme, të madhe apo të vogël, gjendet një nijet i mirë. Atëherë edhe jeta e njeriut duhet ta ketë një nijet dhe një qëllim.

Mendimi i vetëm i njeriut duhet të jetë që të përpiqet të shpëtojë besimin e vetë dhe të bëhet ndërmjetës për të shpëtuar besimin e të tjerëve, duke nisur nga më të afërmit. Madje, çdo ngjarje duhet ta shohë me këtë sy, çdo çështje duhet ta vlerësojë nga ky këndvështrim.

Synimin kryesor i çdo njeriu, nga i cili nuk duhet ta ndajë asnjëherë shikimin, duhet të jetë edukimi i një brezi, që asnjë element të besimit të mos e këmbejë as me tërë sulltanatin e kësaj dynjaje. Ky është konkluzioni më i frytshëm. Gjithçka që veprojmë është thjesht një mjet për të arritur këtë konkluzion. Atëherë edhe jeta jonë duhet të ketë një qëllim dhe ajo duhet të shfrytëzohet në shërbim të tij.

Qëllimi ynë është që të prezantojmë çdokënd me fjalën e lartë “Allah” dhe të shpërndajmë gjithandej emrin e Profetit Muhamed (s.a.s). Sepse kur gjithandej mbizotëron monoteizmi dhe kur kauza e lartë e Kuranit, që solli Profeti Muhamed (a.s), do të arrihet çdo lloj qetësie.

Si përfundim, mund të themi që nëse njeriu vepron në kornizë të një nijeti të mirë dhe jeton në këtë mënyrë, sekondat e jetës së tij do të përkthehen në vite në jetën e përtejme dhe veprimet e tij normale do të kthehen në adhurime. Kështu, njeriu që jeton me këto kritere, tashmë nuk është një qenie dosido, por arrin gradat e larta të përsosmërisë, kthehet në një kandidat për lumturitë e amshueshme dhe në një bashkëbisedues të denjë në komunikim me Allahun.

Është një realitet i qartë, që në ditët e sotme, ku normat e vlerave janë kthyer përmbys, ka nevojë jetike për breza, që përpiqen të veprojnë atë që pritet prej tyre dhe që kanë për qëllim të jetës shpërndarjen e vlerave të Kuranit Famëlartë. Allahu na bëftë persona të tillë! Amin!

اَللّهُمَّ أَحْيِنِي مَا كَانَتِ الْحَيَاةُ خَيْراً لِي وَتَوَفَّنِي إِذَا كَانَتِ الْوَفَاةُ خَيْراً لِي
وَاجْعَلِ الْحَيَاةَ زِيَادَةً لِي فِي كُلِّ خَيْرٍ وَاجْعَلِ الْمَوْتَ رَاحَةً لِي مِنْ كُلِّ شَرٍّ
اَللَّهُمَّ اجْعَلْ سَرِيرَتِي خَيْراً مِنْ عَلاَنِيَتِي وَاجْعَلْ عَلاَنِيَتِي صَالِحَة

Përktheu: Nderim Hafizi //

Check Also

157. Çka është qëllimi me ditën e fundit dhe a është obligim besimi i saj?

Besimi ne ditën e gjykimit Qëllimi me ditën e fundit është të besosh dhe të …