Home / Bota / Pentagoni e përmbyti Sirinë me 2.2 miliardë USD armë sovjetike

Pentagoni e përmbyti Sirinë me 2.2 miliardë USD armë sovjetike

Pentagoni po shpenzon shumë para në përpjekje për të siguruar sasi të mëdha armësh dhe municionesh të stilit sovjetik. Por ai po has probleme për t’i siguruar ato dhe po përdor dokumente ligjore të pasakta për të fshehur destinacionin përfundimtar të tyre: Sirinë.

Mposhtja e Shtetit Islamik në Siri varet nga një linjë e diskutueshme furnizimi, që i siguron sasi tepër të mëdha armësh dhe municionesh nga Europa Lindore rreth 30,000 luftëtarëve rebelë anti-ISIS.

Të armatosur me AK-47 dhe antitanke nga linjat e prodhimit shtetëror dhe rezervat e Ballkanit, Europa Qendrore dhe gjithnjë e më shumë ish-Bashkimit Sovjetik, këto trupa të mbështetura nga SHBA po udhëheqin betejën për të rimarrë Rakkan, kryeqyteti i të ashtuquajturit kalifat dhe për të çliruar zona të tjera të Sirisë që mbahen nga ISIS.

Por fluksi i armëve në këto milici të mbështetura nga Pentagoni varet nga dokumente zyrtare çorientuese, ka zbuluar një hetim nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, dhe Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, OCCRP.

Operacioni është kritikuar nga ekspertët e transferimit të armëve dhe madje ka shqetësuar zyrtarë në Berlin, të cilët kanë parë sasi të mëdha armësh që kalojnë nëpërmjet bazave ushtarake amerikane në Gjermani gjatë rrugës së tyre për në Berlin.

Gazetarët kanë zbuluar më shumë se 700 milionë dollarë të shpenzuara për armë dhe municione me shumë gjasa për rebelët sirianë që prej shatorit të vitit 2015, kur programi anti-ISIS për trajnim dhe furnizim i Pentagonit ndryshoi strategji.

Departamenti i Mbrojtjes ka caktuar një buxhet prej 584 milionë dollarë në mënyrë specifike për këtë operacion sirian për vitet financiare 2017 dhe 2018 dhe ka rezervuar edhe 900 milionë dollarë të tjera për shpenzime për municione të stilit sovjetik që tani deri në vitin 2022.

Totali, 2.2 milionë dollarë, ka gjasa të zvogëlojë rrjedhën e armëve për rebelët sirianë në vitet e ardhshme.

Armët dhe municionet me të cilat Pentagoni po furnizon Sirinë dërgohen përmes një rrjeti logjistik, përfshirë një ushtri tregtarësh armësh, kompani transporti, linja ajrore për ngarkesa, baza ushtarake gjermane dhe aeroporte dhe porte në Ballkan.

Blerjet kalohen përmes dy kanaleve. Njëri drejtohet nga Komanda e Operacioneve Speciale e ushtrisë amerikane, SOCOM, dhe tjetri drejtohet nga Picatinny Arsenal, një depo e vogël e njohur armësh në Nju Xhersi.

Programi anti-ISIS i Pentagonit u bë fushata e vetme ushtarake e Uashingtonit në Siri në korrik 2017, pasi presidenti Trump mbylli Operacionin Syacamore të financuar nga CIA, që synonte armatosjen e rebelëve sirianë që luftonin presidentin Assad.

Trump është zotuar “ta shfarosë” ISIS-in dhe ka caktuar fonde në rritje për fushatën e Pentagonit, e cila tani ka shumë ish-grupe anti-regjimi në listën e saj të pagesave.

Me sasi të mëdha armësh që vazhdojnë të shkojnë në Siri, rriten shqetësimet për lindjen e një konflikti më të gjerë pasi armiku i përbashkët i ISIS-it të mposhtet.

I pyetur për blerjen e pashembullt të armëve të stilit sovjetik për rebelët sirianë, Pentagoni tha se ai i kishte vëzhguar me kujdes marrësit e armëve dhe po lëshonte pajisje në mënyrë graduale.

Trajno dhe furnizo: Një ndryshim i madh në strategji

Shpenzimet e Pentagonit për armatosjen e rebelëve sirian | Grafik nga BIRN

Ndërsa ISIS u përhap në të gjithë Sirinë në vitin 2014, Pentagoni me ngut filloi një program trajnimi dhe furnizimi prej 500 milionë dollarësh po atë dhjetor për të ndërtuar një forcë të re rebelësh sirianë, të armatosur me armë moderne amerikane, në një përpjekje për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimit.

Por nëntë muaj më vonë, programi dështoi, me vetëm një grup të vogël rekrutësh që ia dolën mbanë të shkonin në fushën e betejës.

Në mes të një stuhie të vërtetë me tituj negativë gazetash, Pentagoni kishte nevojë për një plan të ri. Duke filluar në shtator të vitit 2015 dhe kryesisht pa u vënë re nga mediat, ai e zhvendosi në heshtje fokusin tek armatosja e rebelëve sirianë tashmë në terren me armë të Bllokut të Lindjes dhe municione që ata tashmë po i përdornin, sipas një dokumenti të papërmendur të Pentagonit nga shkurti i vitit 2016.

Kjo pajisje e tipit sovjetik, e prodhuar e re dhe e dalë nga rezervat, është në dispozicion nga Europa Qendrore dhe Lindore dhe vendet ish-sovjetike, si dhe Kina dhe Rusia. Dy furnizuesit e fundit të mëdhenj janë jashtë kufijve, pasi pajisjet e tyre ushtarake bien nën sanksionet amerikane.

Dërgesa e parë e Pentagonit, e cila përfshinte 50 ton municione, mbërriti në tetor 2015, vetëm një muaj pas ndryshimit në politikë. Municionet iu hodhën nga ajri njësive arabe brenda Forcave të sapoformuara Demokratike Siriane, një koalicion i udhëhequr nga kurdët që aktualisht drejtojnë luftën për të kërkuar Rakkën dhe aleati kryesor i Pentagonit në Siri.

Dërgesa nuk ishte vetëm një dhe ADF-ja nuk ishte i vetmi grup që mori mbështetje – edhe një koalicion luftëtarësh rebel në juglindje të Sirisë po armatoset gjithashtu nga Pentagoni.

Linja e furnizimit e SOCOM

Kontenjer me municione të ngarkuar në anijen e komisionuar nga SOCOM, MV Norflk në portin Burgas në Bullgari, në 22 Shtator 2016, përpara nisjes për Jordani dhe Siri. | Photo: Ivan Kolev, BIRN

Komanda e Operacioneve Speciale, SOCOM, nuk e ka pranuar më parë rolin e saj në programin e trajnimit dhe furnizimit të Sirisë, por në një deklaratë me shkrim për BIRN dhe OCCRP, Pentagoni konfirmoi se ajo ishte ngarkuar me blerjen e armëve dhe municioneve për rebelët sirianë.

Nga ndryshimi i strategjisë deri në maj 2017, ajo ka blerë armë dhe municion me vlerë 240 milionë dollarë nga Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Republika Çeke, Kazakistani, Serbia, Polonia dhe Rumania, sipas një analize të mijëra të dhënash prokurimi të kryer nga BIRN dhe OCCRP. Para fillimit të programit, shpenzimet e saj për armët e Bllokut Lindor kanë qenë të papërfillshme.

Ndërsa SOCOM njihet që furnizon fshehurazi partnerët amerikanë në konflikte të tjera, dokumente provë, analiza ekspertësh dhe dëshmi nga një kontraktor i përfshirë në linjën e furnizimit konfirmuan se Siria është destinacioni kryesor për këto blerje.

Midis dhjetorit të vitit 2015 dhe shtatorit 2016, SOCOM nisi gjithashtu katër anije mallrash nga portet rumune dhe bullgare në Detin e Zi, të ngarkuara me 6,300 ton municione të blera të cilat do të dorëzoheshin në bazat ushtarake në Turqi dhe Jordani, bazat kryesore logjistike për furnizimin e rebelëve sirianë, sipas dokumentesh prokurimi, listat e paketimit dhe të dhënat e gjurmimit të rrugës së anijes.

Ajo autorizoi gjithashtu fluturime komerciale me ngarkesa me linjën ajrore nga Azerbajxhani  “Silk Ëay” drejt bazave ajrore në Turqi dhe Kuvajt, shpërndarës të tjerë kyç në misionin anti-ISIS.

Pentagoni ka kërkuar 322.5 milionë dollarë shtesë për vitin financiar që përfundon në tetor 2017 dhe ka kërkuar 261.9 milionë dollarë për 12 muajt e ardhshëm (shikoni infografikën), për të blerë municione për programin e trajnimit dhe furnizimit të Sirisë.

Kjo do të përfshijë dhjetëra mijëra AK-47 dhe anti-tanke, RPG dhe qindra miliona municione, sipas kërkesave të financimit të bëra nga Pentagoni dhe administrata Trump.

SOCOM e kishte lënë më parë një gjurmë në buxhet në shkurt, pasi nxori një listë blerjes prej 90 milionë dollarësh specifikisht për Sirinë, e parë nga gazetarët, e cila përfshinë 10,000 AK-47, 6,000 raketahedhëse, 6,000 armë të rënda dhe të lehta dhe 36 milion copë municione.

Picatinny: Zbulohet një linjë e re furnizimi

Megjithatë SOCOM nuk është e vetmja njësi e Pentagonit që po blen municione për programin për trajnimin dhe furnizimin e Sirisë.

Picatinny Arsenal, një bazë ushtarake në Nju Xhersi, me ndihmën e ndërtesës së saj simotër në Rok Ajlënd Nju Xhersi, është gjithashtu një pjesë kritike e zinxhirit të furnizimit.

Ajo ka blerë deri në 480 milionë dollarë armë dhe municione të stilit sovjetik për rebelët sirianë që nga ndryshimi i strategjisë, ky investigim mund ta tregojë, nga Afganistani  Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Rumania, Republika Çeke, Ukraina, Gjeorgjia, Polonia dhe Serbia.

Picatinny mburret me sasitë e tij rekord të furnizimit me pajise nga Blloku Lindor në Irak dhe Afganistan, por ka qenë shumë më i kujdesshëm në lidhje me rolin e saj në konfliktin sirian, i cili është politikisht ndarës ndërkombëtarisht dhe përfshin furnizimin e grupeve të milicisë dhe jo ushtrive shtetërore.

Kjo do të thotë se ndërkohë që blerjet e municioneve jo standarde – eufemizmi i SHBA-ve për pajisjet e stilit sovjetik – ishin të shënuara qartë për Irakun apo Afganistanin, duket se është politikë e Pentagonit të mos etiketojë mallra që kanë si destinacion Sirinë.

BIRN dhe OCCRP zbuluan shtatë kontrata me vlerë 71 milionë dollarë që u nënshkruan në shtator 2016 dhe e citonin Sirinë ose me emër ose kodin e brendshëm të Departamentit të Mbrojtjes – V7 – për programin e trajnimit dhe furnizimit të Sirisë. Por këto referenca u fshinë shpejt nga rekordet publike pasi BIRN dhe OCCRP pyetën Departamentin e Mbrojtjes dhe vendet furnizuese për këto dërgesa në mars të këtij viti.

Gazetarët i bënë kopje të gjitha dokumenteve para se ato të fshiheshin. Pentagoni nuk ka pranuar të shpjegojë ndryshimet.

Përveç 71 milion dollarëve të dhëna për Sirinë, u bë edhe një shtesë prej 408 milion dollarësh të tjera për pajisje nga Blloku Lindor që prej ndryshimit të strategjisë duke mos përmendur asnjë destinacion.

Dërgesat për rebelët sirianë priten të rriten gjatë viteve në vazhdim pasi Picatinny ka rezervuar tashmë 950 milionë dollarë për t’i shpenzuar për municione të stilit sovjetik deri në vitin 2022- ajo shpenzoi 1.3 miliardë dollarë në dekadën e mëparshme – duke rritur më shumë presion në linjën e furnizimit.

Duke gërmuar deri në fund

Rrjeti i ri prej 2,2 miliardë dollarësh i financuar nga SHBA-ja, si dhe një rrjet i mëparshëm prej 1,2 miliardë eurosh i financuar nga Arabia Saudite, Jordania, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që u zbulua më parë nga BIRN, kanë nënkuptuar kohë lulëzimi për prodhuesit e armëve në Europën Qendrore dhe Lindore.

Fabrika, siç është prodhuesi i raketave Krusik në Serbi dhe uzina ushtarake VMZ në Bullgari, kanë rritur në mënyrë drastike prodhimin në përgjigje. Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç premtoi më 1 korrik se do t’i kthente “lëndinat dhe pyjet” në fabrika armësh dhe pothuajse do të dyfishonte eksportet e armëve të Serbisë deri në 750 milionë dollarë deri në vitin 2020 kur ai vizitoi Belomin, një fabrikë plumbash e hapur së fundmi.

Ndërkohë që rrjeti duhet ende të thahet, kontraktorët e Pentagonit janë detyruar të kërkojnë botën për burime të reja dhe kanë kërkuar leje të sigurojnë materiale të vjetra të mbetura stok sesa materiale të prodhuar së fundmi, sipas dokumenteve të siguruara nga gazetarët.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tradicionalisht i janë drejtuar Rumanisë dhe Bullgarisë për armatime jo standarde, por rritja e kërkesës i ka detyruar kontraktorët të shikojnë në Republikën Çeke, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe tani te fqinjët e Rusisë, Ukrahina, Gjeorgjia dhe Kazakistani, madje edhe Afganistani, sipas të dhënave të prokurimit të Shteteve të Bashkuara.

Certifkata për ‘përdorim fundor’ irakene në të majtë tregon destinacionin fundor të municioneve. Dokumenti i SOCOM në të djathtë e lë përdoruesin fundor bosh dhe është përshkruar si çorientuese nga Amnesty International

Ndërsa kërkesa vazhdon të rritet, konkurrenca midis kontraktorëve për të siguruar armë, po bëhet gjithnjë e më e ashpër, duke i detyruar ata të kërkojnë edhe më larg, përshirë edhe në Pakistan apo Vietnam, tha një burim.

Kontraktori i Pentagonit, i cili kërkoi të mbetet anonim, tha se kjo kishte krijuar një “mjedis ku lakmia është faktori motivues midis shumicës së kontraktorëve të përfshirë”.

Furnizimet e pakta e kanë shtyrë Pentagonin të ulë standardet e tij për armë dhe municione. Më parë ai i kishte kërkuar furnitorëve të siguronin pajisje pesë ose më pak vjet të vjetra, por në shkurt ai e hoqi këtë kërkesë për disa pajisje, sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga BIRN dhe OCCRP.

Municionet e ruajtura në kushte të këqija degradojnë, ndonjëherë duke u bërë të papërdorshme ose madje edhe të rrezikshme. Një kontraktor i Pentagonit gjatë trajnimit të rebelëve sirianë vdiq në qershor 2015 kur një RPG 30-vjeçare që ai po mbante në dorë shpërtheu në një zonë trajnimi në Bullgari.

Dëmtim i sistemit të kontrollit të armëve

Funksionimi normal i linjës së furnizimit me armë në Siri nuk varet vetëm nga mbajtja sekret e destiancionit final të armëve, por edhe – thonë ekspertë që kanë rishikuar provat e siguruara nga BIRN dhe OCCRP – që vendet furnizuese në Europën Lindore të mos bëjnë shumë pyetje mbi arsyen pse Shtetet e Bashkuara po kërkojnë kaq shumë armatime nga Blloku Lindor.

Këta ekspertë besojnë se si rezultat, të dyja palët ka gjasa të shkelin detyrimet e tyre ndërkombëtare.

Një certifikatë e vlefshme e përdoruesit të fundit që garanton se destinacioni përfundimtar i armëve dhe municioneve është një kërkesë ligjore standarde ndërkombëtare për të siguruar një licencë për eksportim armësh, por një certifikate e përdoruesit të fundit e lëshuar nga SOCOM sipas programit të Sirisë dhe e parë nga BIRN dhe OCCRP nuk e përmend vendin e Lindjes së Mesme.

Në vend të kësaj, ajo rendit SOCOM si përdoruesin e fundit, pavarësisht faktit se vetë ushtria amerikane nuk përdor armë të Bllokut Lindor. Dokumenti thekson se “materiali do të përdoret për qëllime mbrojtëse në përdorim të drejtpërdrejt nga qeveria e SHBA-së, të transferuara me anë të granteve si program mësimor ose trajnues ushtarak ose ndihmë për sigurinë”.

Dokumenti është i ngjashëm me katër certifikata përdoruesi përfundimtar të publikuara në internet më herët këtë muaj, të cilat tregojnë se si armët apo municionet  do të jenë “për përdorim ekskluziv të Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-së, aleatëve të saj në NATO dhe partnerëve në mbështetje të operacioneve të SHBA-së për trajnim, asistencë sigurie dhe stabilitet”.

Në një përgjigje të detajuar me shkrim, Pentagoni nuk e kundërshtoi emërimin e Ushtrisë Amerikane si përdoruesin përfundimtar, duke shtuar se ai e shihte transferimin e armëve te rebelët sirianë si pjesë e programit të tij për “asistencë sigurie”, një term i që ai përdor në dokumentin ligjor.

Por Patrick Ëilcken, një hulumtues armësh te Amnesty International, i përshkroi këto certifikata të përdoruesit përfundimtar si “shumë çorientuese” duke shtuar: “Një certifikatë përdoruesi përfundimtar që nuk përmban si informacion destinacionin përfundimtar do të ishte e dëmshme dhe shumë e pazakontë”.

Uashingtoni ende nuk e ka ratifikuar Traktatin e OKB-së për Tregtinë e Armëve, një marrëveshje ndërkombëtare që përpiqet të rregullojë transferimin e armëve duke parandaluar devijimin e armëve në zonat e luftës dhe duke përmirësuar transparencën dhe prandaj nuk është e lidhur ligjërisht me të. Por si nënshkruese, SHBA-ja pritet të mos e dëmtojë marrëveshjen, diçka që Wilcken argumenton se Uashingtoni po e bën.

Si një anëtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSCE, Uashingtoni ka nënshkruar një sërë masash për të parandaluar trafikimin e armëve, përfshirë edhe një vendim të detyrueshëm që certifikatat e përdoruesve përfundimtar të përfshijnë vendin destinacion përfundimtar.

Shtetet eksportuese europiane e kanë ratifikuar ATT dhe gjithashtu janë të detyruar nga vendimet e OSBE-së dhe rregullat edhe më të rrepta të BE-së, të njohura si Qëndrimi i Përbashkët mbi Eksportet e Armëve. Rregullat e BE-së vlejnë për shumicën e anëtarëve të ardhshëm.

Sipas ATT dhe Qëndrimit të Përbashkët të BE-së, eksportuesit duhet të peshojnë mundësinë rreziqet se armët dhe municionet do të devijohen dhe do të përdoren për të kryer krime lufte ose “do të dëmtojnë paqen dhe sigurinë” para se të japin një licencë.

Pa e ditur destinacionin përfundimtar, një vlerësim i tillë është i pamundur, që do të thotë se shtetet eksportuese po veprojnë “me neglizhencë”, tha Ëilcken.

Roy Isbister i “Saferëorld”, një organizatë joqeveritare që punon për të forcuar kontrollet mbi tregtinë ndërkombëtare të armëve, tha: “Nëse SHBA po manipulon procesin dhe po mbulon të tjerët duke mos treguar përdoruesit përfundimtar të armëve në fjalë, i gjithë sistemi i kontrollit është në rrezik.”

Autoriteteve në Rumani, Bullgari, Republikën Çeke, Serbi, Ukrainë dhe Gjeorgji iu paraqitën dokumente të prokurimit të SHBA-ve që tregojnë se armët që ata kishin eksportuar kishin si destinacion Sirinë. Rumania, Republika Çeke dhe Serbia thanë për BIRN dhe OCCRP se kishin dhënë licenca eksporti për Shtetet e Bashkuara, jo Sirinë, të renditur si destinacion përfundimtar. Ministria e Punëve të Jashtme të Pragës shtoi se ajo e mbështeste luftën e SHBA-së kundër ISIS, por nuk pranoi të konfirmonte nëse ishte në dijeni të destinacionit përfundimtar të armëve.

Ministria e Mbrojtjes e Gjeorgjisë tha se po negociohej një marrëveshje eksporti, por se nuk e kishte marrë certifikatën e destinacionit përfundimtar nga Pentagoni dhe se nuk ishte nënshkruar asnjë kontratë.

Ukraina dhe Bullgaria nuk iu përgjigjën kërkesës për koment.

Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Polonia, Kazakistani dhe Afganistani, të cilët të gjithë kanë pranuar të eksportojnë për SOCOM ose Picatinny për një destinacion të paspecifikuar që nga shtatori i vitit 2015, gjithashtu u pyetën nëse ishin në dijeni që këto armë kishin përfunduar në Siri.

Bosnja dhe Hercegovina konfirmoi se ajo i kishte dhënë licenca eksporti SOCOM-it, por jo Sirisë, ndërsa Polonia dhe Kroacia thanë se ato iu bindën të gjitha rregullave ndërkombëtare. Kazakistani dhe Afganistani nuk u përgjigjën.

Autoritetet gjermane duket se kanë qenë më pak të kënaqur me mënyrën se si po funksiononte rrjeti i armëve. Një email i Pentagonit i bërë publik, i siguruar nga BIRN dhe OCCRP, zbulon se si Berlini ishte bërë “shumë i ndjeshëm” për sasitë shumë të mëdha të armëve të Bllokut Lindor që kalonin përmes territorit të tij drejt bazave amerikane, mesa duket duke i detyruar të gjejnë një rrugë tjetër për të furnizuar Sirinë.

Armët vazhdojnë të mbërrijnë në Siri për të luftuar ISIS-in dhe po rritet frika për atë që do të ndodhë me armët dhe luftëtarët kur xhihadistët të mposhten.

Wilcken tha se druhej për të ardhmen e Lindjes së Mesme.

“Duke pasur parasysh situatën shumë komplekse dhe të paqëndrueshme në Siri, si edhe ekzistencën e shumë grupeve të armatosura të akuzuar për abuzime serioze,” tha ai “është e vështirë të shohim se si Shtetet e Bashkuara mund të sigurohen se armët e dërguara në rajon nuk do të keqpërdoren”.

Raportim shtesë nga Pavla Holcova, Maria Cheresheva, Roxana Jipa, David Bloss, Roberto Capocelli, Ana Babinets, Aubrey Belford and Frederik Obermaier.

Ky investigim u realizua nga BIRN si pjesë e projektit ‘Gjurmimi i Dokumenteve për një Qeverisje më të Mirë’.

Lawrence Marzouk
RRETH AUTORIT

Check Also

Arabia ndërton mega-qytetin me një sipërfaqe prej 26.500 kilometra katrorë, që do të kushtojë 500 miliardë dollarë (Video)

Arabia Saudite planifikon të ndërtoj mega-qytetin, në të cilin do të investoj 500 miliardë dollarë …