Home / Troje Shqiptare / Kosova / Një prezantim i dështuar i demokracisë në Turqi

Një prezantim i dështuar i demokracisë në Turqi

Nga Olsi Jazexhi

1.
Në datën 15 korrik 2017 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ambasada turke në Shqipëri, organizata e ndihmave Alsar dhe TIKA organizuan një mbledhje përkujtimore mbi grushtin e shtetit që ndodhi në Turqi një vit më parë. Ideja ishte që qeveria turke nëpërmjet ambasadës së saj duhej ti tregonte publikut shqiptar sesi një vit më parë një grup terroristësh kërkuan të përmbysin rendin demokratik në Turqi, por populli dhe qeveria turke arritën të mposhtin puçistët dhe demokracia mbijetoi.

So far so good, thonë anglezët. Apo deri këtu jemi në rregull. Grushti i shtetit që ndodhi në Turqi një vit më parë ishte një akt i dëshpëruar terroristësh ushtarak turq, të cilët dolën nga radhët e ushtrisë dhe donin të rrëzonin me dhunë rendin demokratik në vend. Natën e 15 korrikut unë e ndoqa me ankth të madh. Sikur në Turqi të ishte rrëzuar rendi demokratik, Turqia dhe e gjithë bota muslimane do kishte vuajtur shumë. Për fat të mirë, puçistët turq të cilët u koordinuan nga amerikanët dhe gjenerali Uesley Clark i cili nëpërmjet CNN-it jepte komanda se ç’duhej të bënin – dështoi. Me mbështetjen e Rusisë dhe popullit turk, qeveria e Erdoganit arriti ti mposhtë puçistët dhe demokracia fitoi.

Megjithatë, pas grushtit të shtetit në Turqi ka nisur një ofensivë e madhe kundër lirive qytetare dhe fetare. Atë që nuk arritën ta bënin puçistët anti-islamistë, po e bën qeveria turke. Ajo ka arrestuar, burgosur, pezulluar nga punët etj me qindra mijëra qytetarë turq. Janë mbyllur shkolla, fondacione, universitete, qendra kërkimore etj, janë arrestuar e burgosur politikanë, intelektualë, poete, shkollarë të Islamit etj dhe situata sot duket sikur në Turqi të kenë fituar puçistët.

2.
Ndërsa shumica e analistëve botëror dënojnë cënimin e demokracisë që është vendosur në Turqi që prej puçit ushtarak në vend, shumë të tjerë e justifikojnë në njëfarë mënyrë regjimin e Erdoganit, duke sugjeruar se nëse qeveria turke nuk merr masa kundër kundërshtarëve ajo mund të vuaj nga një puç i dytë. Ndërsa edhe unë vetë anoj disi dhe me shumë rezerva me këta të fundit, duke pretenduar se Turqia sot është në një kohë shumë të keqe, pasi aleatët e saj Perëndimor me në krye SHBA-në po ja bëjnë gropën në të katër anët sa me terroristët kurdë, ISIS-in etj, sërisht, si intelektual dhe historian i Turqisë moderne që jam, rezervoj të drejtën që ta kritikoj Turqinë për shumë veprime të saj.

Menjëherë pas puçit ushtarak në vend, qeveria turke e cila ka frikë që ti akuzojë hapur amerikanët për grushtin e shtetit – nxitoi të akuzojë xhematin fetar të Fetullah Gylenit si organizues së puçit. Si rrjedhojë, ky xhemat që prej më shumë se një viti është duke u persekutuar në mënyrë të hapur në Turqi. Sulmi kundër këtij xhemati tanimë bëhet në shkallë globale nga qeveria turke, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Si pasojë në vendin tonë, komuniteti ynë musliman është përçarë keqmas. Ndërsa siç dihet botërisht, kryesia e Komunitetit Musliman në Shqipëri i përket lëvizjes së Gylenit dhe ata janë personat që administrojnë shumicën e medreseve dhe universitetin Bedër në vend, një pjesë e mirë e hoxhallarëve vehabij dhe të drejtimeve të tjera janë rreshtuar pro-qeverisë turke e cila kërkon që hoxhallarët dhe besimtarët në vend të marrin linjën pro-erdoganiste dhe denoncojnë veprimtarët e Hizmetit.
Kjo përpjekje agresive nga qeveria turke për të importuar konfliktin e saj të brendshëm edhe në Ballkan, ka krijuar tensione ndërmjet qeverisë së Shqipërisë, Kosovë dhe Maqedonisë e qeverive të tjera dhe qeverisë turke. Në anën tjetër, xhemati i Gylenit i cili ndjehet i kërcënuar, është bërë pre e axhendave jo-miqësore me Turqinë dhe përbën kërcënim për sigurinë e Turqisë.

3.
Përtej konfliktit të brendshëm turk, i cili nuk është pjesë e këtij shkrimi, unë dua të ndaloj në eventin që bëri ambasada turke në datë 15 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Ky event i cili, nëse punët do të ishin mirë në Turqi, do të duhej të ishte pritur me entuziazëm nga shoqëria shqiptare, për fat të keq nuk ishte kështu.

Si dashamir i demokracisë në Turqi, unë isha prezent në këtë event. Megjithatë, ashtu sikur edhe një vit më parë, kur në mbështetje të Turqisë dolën vetëm disa organizata vehabite, ndihmash dhe një shoqatë çame edhe sivjet situata ishte pothuajse njëlloj. Shoqatat turke “Alsar”, “Istanbul’, “Fondacioni i Ballkanit Perëndimor për Zhvillim Strategjik” dhe shoqatat që marrin ndonjë ylyfe nga Turqia sikur shoqata “Tirana”, “Çamëria”, “Shqiptarët e Diplomuar në Turqi” dhe organizatat vehabite sikur Forumi Musliman i Shqipërisë dhe Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë ishin sërisht “mbështetësit” e vetëm të Turqisë së madhe. Edhe pse nga pala turke në Pallatin e Kulturës ishte ambasadori turk, njerëz të ardhur nga Turqia, disa gjeneralë dhe ushtarakë turq, nga pala shqiptare eventi ishte një dështim i plotë.

Organizata e ndihmave Alsar, e specializuar në shpërndarjen e ndihmave dhe bërjen e kurbaneve ishte ajo që organizonte eventin. Shumica e personave në sallë ishin jetimë dhe ndihmëmarrës fukarej nga kjo shoqatë, përfaqësues të komuniteteve rome dhe egjiptiane, të moshuar dhe pensionistë, disa hoxhallarë fshatrash dhe disa besimtarë muslimanë. Mungonin përfaqësuesit e mediave, të shoqërisë civile dhe në veçanti të qeverisë shqiptare. I vetmi ministër që u përfol se ishte në sallë, ishte ushtari Dritan Demiraj, ministër i brendshëm që prej katër javësh dhe që pritet të ngeli pa punë pas pak ditësh. Por Dritani, të cilin ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli e hoqi nga puna pak muaj më parë, nuk u pa dhe nuk pipëtiu askund. Të vetmit persona që u panë të flasin për fitoren e demokracisë në Turqi ishin ambasadori turk i cili sulmoi lëvizjen e Gylenit, ndihma-shpërndarësi Mehdi Gurra (ish student i gylenistëve) i cili është në hasmëri të hapur me Komunitetin Musliman të Shqipërisë, çami Abaz Hado të cilin Shpëtim Idrizi e trafikoi si nënkryetar të Bashkisë së Tiranës për ti dhënë ca vota qeverisë Rama, dhe një çunak karateist nga Turqia që tregonte sesi ushtarët i kishin gjuajtur me plumba në këmbë por ky nuk ishte trembur.

Miq të mi që morrën pjesë në këtë event më treguan që pas eventit, organizatoret i kishin shpërblyer me sufllaqe te kollonat dhe me pas ishin dërguar nëpër shtëpi.

4.
Organizimi i eventit “Demokracia Fitoi!” nga ambasada turke në Tiranë në datën e 15 korrikut 2017 tregoi fatkeqësisht që në Shqipëri, Turqia ka dështuar. Edhe pse qeveria turke shpenzon me miliona dollarë vit për vit duke i dhuruar ndihma Shqipërisë, për fat të keq, kryeministri katolik i Shqipërisë nuk do t’ia dijë për demokracinë turke. Mungesa e ministrave të tij në këtë event – në një kohë që ministrat e qeverisë Rama marrin pjesë në tubime organizatash terroriste sikur MKO-ja, por edhe në mënyrë të hapur mbrojnë organizatën e Gylenit e cila akuzohet nga Turqia si terroriste – tregon sesa pak respekt kanë qeveritarët shqiptarë për Turqinë. Edhe pse Turqia investon miliona dollarë në Shqipëri, dhe Edi Rama dhe ministrat e tij i rrjepin Erdoganit përditë para për projektet e tyre në Shqipëri, mungesa e tyre në përkujtimin e fitores së demokracisë në Turqi tregon që ndërsa shqiptarët i’a hanë bukën turkut, duanë ia bëjnë kaurëve.

Ky fakt i zymtë mesa duket ose nuk e shqetëson aspak Turqinë, ose zyrtarët e saj janë aq rrufjanë dhe kopukë sa që e gënjejnë Ankaranë natë e ditë për atë që ndodh në Shqipëri.

Në eventin e datës 15 ambasadori turk Hidajet Bajraktar falenderoi organizatën e ndihmave Alsar për punën që ajo bën në Shqipëri. Ndërsa ndihma-shpërndarësi kryetar i kësaj shoqate, Mehdi Gurra u shfaq si imam Mehdiu i Shqipërisë i cili është në këtë vatan për të “luftuar terrorizmin e FETO-s”. Në krah të imam Mehdiut qëndronin disa hoxhallarë dhe pleq të lodhur dhe këta ishin “Shqipëria” medemek, që mbështet demokracinë në Turqi. Situata ishte shumë tragjikomike dhe prekëse. Turqia e madhe dhe e fortë ishte në pikë të hallit!

Rënia e Turqisë zyrtare në një nivel kaq të ulët, ku ambasadori i saj të injorohet nga qeveria shqiptare dhe të falenderoj një organizatë e cila shpërndan ndihma, tregon krizën e madhe diplomatike me të cilën Turqia po përballet sot në Shqipëri.

Edhe pse në Turqi, populli turk arriti ti mundë puçistët në 15 korrik 2016, në Shqipëri populli dhe qeveria turke merren me shoqata që shërndajnë ylyfe dhe ndihma. Turqia edhe pse shpenzon me miliona dollare per Ballkanin, ka dështuar me soft pouerin e saj dhe është e denigruar si kurrë më parë: ne nje shtet qe vetem jep iftare dhe ndihma dhe duartrokitet nga fukarej qe ajo i mban me buke.

Eventi i datës 15 korrik në Pallatin e Kongreseve ishte një event i dështuar i cili shihej si në sytë e zyrtarëve turq, ashtu edhe të dashamirëve të Turqisë. Por kësi dështimesh Turqia sot ka edhe në Kosovë dhe në shumë vendeve të Evropës. Turqia po humbet betejën e saj për të mbrojtur fitoren e saj për demokracinë në sytë e botës!

Allah, Türkiye’yi koruyor!

Check Also

Emiri i Katarit: Jeta vazhdon normalisht në vend pavarësisht ‘rrethimit’

Emiri i Katarit tha të premten se jeta në vendin e tij po vazhdonte normalish …