Home / Feja / Mirësitë dhe veçoritë e dhjetë ditëve të Dhul Hixhes

Mirësitë dhe veçoritë e dhjetë ditëve të Dhul Hixhes

Falënderojmë Allahun që ka bërë për besimtarin sezone adhurimi, mëshire dhe gëzimi, ç’ka i jep mundësi atij të përfitojë nga të mirat e Bujarit.

Falënderimet i takojnë Atij që pas muajit të madhërishëm të Ramazanit dhe agjërimit të gjashtë ditëve të shevalit ka bërë Dhul Hixhen muajin e haxhit, por jo vetëm.

Allahu Bujar, ka mundësuar që jo vetëm ai që udhëton për të kryer adhurimin e madh, shtyllën e fesë – haxhin, por edhe ata që nuk e kanë këtë mundësi t’ua kompesojë me adhurimin në këto dhjetë ditë.

Vlerën e këtyre ditëve duhet ta dijë çdo mysliman, sepse Allahu ka plotësuar në to fenë e tij. Ka thënë: (Sot e përsosa për ju fenë tuaj, plotësova mbi ju të mirat e mia dhe kam bërë për ju islamin fe)  (Maide: 3); ky ajet ka zbritur në ditën e Arafatit.

“Një hebre erdhi tek Umeri -radiallahu anhu- dhe i tha: Juve ju ka zbritur një ajet në librin tuaj, që sikur të na kishte zbritur neve hebrenjve do ta festonim atë. Umeri -radiallahu anhu- i tha: Cili ajet? Ai i tha: (Sot e përsosa për ju fenë tuaj …). Umeri -radiallahu anhu- tha: Unë e di se kur ka zbritur dhe ku ka zbritur;  tha: i ka zbritur mbrëmjen e ditës së Arafatit, ditën e xhuma profetit -alejhi salatu ues selam-.”

Myslimani në këto ditë mund të bashkojë të gjitha shtyllat e fesë, mes haxhit, namazit, agjërimit dhe sadakasë.

Këto ditë janë plotësim i premtimit të Zotit ndaj Musait -alejhi selam- ; ka thënë: (I premtuam ne Musait tridhjetë ditë dhe i plotësuam ato me dhjetë (të tjera) duke u plotësuar kështu premtimi i Zotit të tij dyzetë ditë …). (Araf 142). Këto janë ditët e shpalljes së Teuratit dhe shumica e komentuesve të Kuranit janë të mendimit se tridhjetë ditët janë nga Dhuk keade, ndërsa dhjetë ditët plotësuese janë dhjetë ditët e para të Dhulhixhes. Në ditën e kurban bajramit Musa -alejhi selam- kërkoi prej Zotit të tij që ta shihte dhe po në këtë ditë Allahu plotësoi fenë e këtij ymeti.

Allahu -aze ue xhele- i afrohet robve të tij në ditën e madhe të Arafatit. Ka thënë profeti -alejhi salatu ues selam- : “Nuk ka ditë ku Allahu liron më shumë ndonjë njeri nga zjarri më shumë se sa ditën e Arafatit. Ai afrohet pastaj u krenohet melaikeve dhe u thotë: Çfarë duan këta? Në një transmetim tjetër thuhet: Unë dëshmoj para jush se unë i kam falur ata. Melaiket thotë: Filani është i rraskapitur d.m.th i rënduar nga gjynahet. Ai thotë: Unë i kam falur ata”.

Hadithi është për haxhijtë që bëjnë lutje në Arafat ditët e Arafatit, por edhe për çdo besimtar jo haxhi që kërkon shpërblimin e saj me agjërim dhe vepra të mira, sepse në të thuhet: ndonjë njeri dhe jo haxhi.

Allahu i madhëruar është betuar në këto dhjetë netë, ka thënë: (Pasha Agimin. Pasha dhjetë netët) (Fexhr 1-2). Komentuesit si Ibën Abasi, Muxhahidi e të tjerë nga selefët thonë se këto janë dhjetë ditët e Dhul hixhes. Fakti që Allahu betohet në këto ditë tregon për vlerën e tyre tek Allahu.

Gjithashtu në suren Haxh Allahu i madhëruar i drejtohet Ibrahimit alejhi selam: (Dhe thirr njerëzit për në haxh që të vijnë në këmbë dhe hipur mbi deve nga çdo grykë e thellë * për të prezantuar në mirësi dhe për të përkujtuar Allahun në ditë të caktuara) Suretu El-Haxh: 27-28.

Ditët e caktuara janë dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes siç ka thënë: Ibn Abasi, Ebu Musa EL-Esh’ari, Muxhahidi dhe shumë nga selefët.

Kanë rënë në kundërshtim dijetarët se cili dhjetë ditësh është më i mirë ai i fundit të Ramazanit, apo dhjetë ditëshi i parë i Dhul hixhes. Kanë thënë: “Netët e fundit të Ramazanit janë më të mira, sepse në to është një natë, që është më e mirë se një mijë muaj. Ndërsa ditët më të mira janë ditët e Dhul hixhes duke iu referuar hadithit: “Nuk ka ditë ku vepra e mirë të jetë më e dashur tek Allahu se sa këto ditë …”, Allahu e di më së miri.

Transmetohet se Seid bin Xhubejri kur hynte dhjetë ditëshi përpiqej shumë për vepra të mira gati të pamundura në këto ditë, me namaz nate.

Veprat e mira që pëlqehen në këto ditë

Ka thënë profeti –sala Allahu alejhi ue selam- : “Nuk ka ditë ku vepra e mirë të jetë më e dashur tek Allahu se sa këto ditë (d.m.th dhjetë ditët e Dhul hixhes). I thanë: O i dërguar i Allahut: as xhihadi në rrugë të Allahut? Ai tha: As xhihadi në rrugë të Allahut, përveç një njeriu që ka dalë me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë”.

Vepra e mirë është më e dashur tek Allahu në këto ditë dhe kjo do të thotë që edhe njeriu që i vepron ato është më i dashuri tek Allahu.

Ka thënë profeti -alejhi salatu ues selam- : “Ditët më të mira të dynjasë janë këto dhjetë ditë.”

Nga veprat e mira që mund të bësh apo të shtosh në këto ditë janë:

  • Largimi nga mëkatet. Duke zbatuar kështu hadithin e profetit -alejhi salatu ues selam- kur thotë: “Ajo nga e cila ju ndaloj largohuni dhe ajo për të cilën ju urdhëroj bëjeni aq sa të mundeni”. E transmeton Muslimi nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- .
  • Të jesh i rregullt ndaj namazeve farze, ti falësh ato në fillim të kohës, të shtosh namazet nafile, të falësh namazet si vitrin, synetet rauatib, duhanë.
  • Agjërimi i nëntë ditëve duke filluar nga dita e parë e Dhul hixhes deri në ditën e nëntë që është dita e Arafatit. Disa prej grave të profetit alejhi selam kanë thënë: “Profeti alejhi salatu ues selam agjëronte nëntë ditët e Dhulhixhes, ditën e Ashurasë, tre ditë në çdo muaj dhe të hënën e parë të çdo muaji dhe të enjten” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani. Ndërsa për ditën e Arafatit ka thënë profeti -alejhi salatu ues selam- : “Agjërimi i ditës së Arafatit, pres prej Allahut që të më falë gjynahet e vitit para saj dhe atij që vjen pas saj”.
  • Madhërimi i Allahut, madje mund të themi se logoja e këtyre ditëve është madhërim me tekbir, tehlil … Ebu Hurejra dhe Ibën Umeri dilnin në treg për tekbir e bashkë me ta bënin tekbir edhe njerëzit. Një formë tekbiri ka ardhur nga Ibën Abasi dhe Ibrahim Nekhaij: “Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe ila Allah, Allahu ekber, Allahu ekber ue lilahil hamd.” “Nuk meriton të adhurohet tjetër përveç Allahut as varr as njeri as melek. Nga frytet e tekbirit është se ai ngulit në zemër besimin, shton frikën dhe respektin ndaj Zotit. Allahu thotë: (Që të madhëroni Allahun për udhëzimin), qëllimi është për në këto ditë.  Për fat të keq shumë njerëz e kanë lënë këtë synet. Tekbiret bëhen në xhami pas namazit të sabahut të ditës së Arafatit deri në akshamin e ditës trembëdhjetë të Dhul hixhes. Ka ardhur nga Ibrahim Nekhaij se ata bënin tekbir pas namazeve, drejtoheshin nga kibla dhe thoshin Allahu ekber, Allahu ekber
  • Sadaka ose nxjerrja e zekatit. Ndihma e njerëzve futet tek ihsani dhe Allahu thotë: (A është shpërblimi i ihsanit (të mirës) përveçse ihsan (me të mirë) (Rrahman: 16). Ky është premtim prej Allahut subhanehu.
  • Dhikri dhe duaja, dy nga adhurimet më të lehta, që me pak mund dhe me shumë shpërblim.
  • Leximi i Kuranit. Thotë i madhëruari: (Ata që lexojnë librin e Allahun, falin namazin dhe japin nga ajo që ne i kemi furnizuar në fshehtësi dhe hapur, shpresojnë prej një tregtie që nuk humbet) (Fatir: 29)
  • Çdo vepër tjetër e mirë si sjellja e mirë me prindërit, me komshinjtë, të ndihmosh një nevojtar etj. Ka thënë profeti -alejhi salatu ues selam- : “Mos nënvlerëso asnjë punë të mirë, qoftë dhe ta takosh vëllain tënd me fytyrë të qeshur”. Kjo tregon se të mirat nuk kufizohen.

Veprat e mira janë shkak për udhëzim. Thotë Allahu në Kuranin kerim: (Ata që udhëzohen Ai ua shton udhëzimin dhe u jep devotshmëri) (Muhamed), që do të thotë se kush përpiqet në vepra të mira Allahu ia hap rrugët e udhëzimit dhe ia shton devotshmërinë.

Ndodh që ai i cili nuk shkon në haxh por i shfrytëzon këto dhjetë ditë, të arrijë të mira më shumë se ai që bën haxh, sepse është i përmalluar për të, por nuk i është dhënë mundësia. Ka thënë profeti -alejhi salatu ues selam- : “Veprat janë sipas nijetit …”. Kur u kthyen sahabët në Medine pas luftës së Tebukut profeti -alejhi salatu ues selam- u tha atyre: Në Medine ka njerëz që nuk keni kaluar luginë dhe as nuk keni ecur ndonjë distancë, vetëm se kanë qenë me ju. U çuditën sahabët dhe thanë: Si mundet kjo o i dërguar i Allahut? Ai tha: Po, sepse ata i ka penguar arsyeja. Ka thënë Allahu aze ue xhele: (As për ata që erdhën tek ti që ti pajisësh ata e ti u the unë nuk gjej se me çfarë tju pajis, ata u kthyen dhe sytë e tyre lotonin nga mërzia se nuk kishin furnizim) (Teube: 92). Ata fituan shpërblimin.

Kjo do të thotë se mehrum (i penguar nga shpërblimi) është ai, zemra e të cilit është shkëputur nga Allahu.

Nga adhurimet dhe veçoritë e këtyre ditëve është edhe kurbani. Thotë Allahu xhe ue ala në kuran: (Falu për Zotin tënd dhe bëj kurban …) (Keuther: 2), (Thuaj namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun Zotin e botëve. Që nuk ka ortak, me këtë jam urdhëruar dhe unë jam i pari i myslimanëve) (En’am: 162- 163). Kjo është prej synetit të profetit -alejhi salatu ues selam- dhe prej fesë së Ibrahimit. Kjo na kujton historinë e Ibrahimit me Ismailin kur i tha: (Kur u rrit ai i tha: o biri im unë shoh në ëndërr sikur të ther ty, çfarë mendon ti. Ai tha: O babai im bëj atë që urdhërohesh, do të më gjesh mua në dashtë Allahu prej durimtarëve ….. Dhe e kompesuam atë me një kurban të madh) (Safat 102-107). Allahu e ka bërë këtë synet deri në ditën e kijametit. Qëllimi prej kurbanit është bindja ndaj Allahut. (Nuk do ti arrijë Allahut, mishi i tij as gjaku i tij por do ti arrijë devotshmëria juaj).

Disa dijetarë thonë se kurbani është shkak për falje mëkatesh dhe se një nga urtësitë e kurbanit është se për çdokënd që meriton ndëshkim nga nefsi mëkatar që urdhëron për keq, të presë kurban si kompensim për njeriun që meriton të ndëshkohet. Thotë Allahu për Musën -alejhi selam- : (Kur i tha Musai popullit të tij o populli im ju i bëtë padrejtësi vetes tuaj duke marrë viçin (për Zot), pendohuni tek Zoti juaj dhe vritni veten tuaj. Kjo është më mirë për ju tek krijuesi juaj, dhe kështu ai jua pranoi pendimin. Ai është pranues i pendimit e i mëshirshëm) (Bekare: 55)

Kurbani është për të gjithë njerëzit anembanë, në haxh apo jashtë tij. Është një nga synetet e forta, madje shumë dijetarë e konsiderojnë vaxhib për atë që ka mundësi.

*Në ditën e festës është e pëlqyer të veshësh rrobat më të mira duke ndjekur kështu synetin e profetit -alejhi salatu ues selam- .

*Profeti -alejhi salatu ues selam- në ditën e kurban bajramit agjëronte deri pasi kthehej nga namazi dhe e çilte me mishin e kurbanit, në kundërshtim me ditën e fitër bajramit, ku është e pëlqyer të çilet para se të shkosh në xhami.

*Ditët e teshrikut janë ditë ngrënie, pirje dhe dhikri (përmendje të Allahut). Myslimani në këto ditë ndjen bujarinë e Zotit, ndjen se është në mikpritjen e Rrahmanit. Është pyetur Xhafer Sadiku se pse nuk agjërohet në këto ditë: Ai ka thënë: Sepse njerëzit janë në mikpritjen e Rrahmanit.

Përgatiti: TEUTA XEKA

Shkrime te reja nga Xhamiambret

Check Also

Fazhizem katolik; në Poloni çifutët ndalohen të hyjnë në hotel

Mesazhi antisemit, “ndalohet hyrja për çifutët, komunistët dhe të gjithë hajdutët dhe tradhtarët e Polonisë”, …