Home / Troje Shqiptare / Kosova / Mediat turke lëvdojnë Kosovën për ndaljen e mbrëmjes së muzikës kurde

Mediat turke lëvdojnë Kosovën për ndaljen e mbrëmjes së muzikës kurde

Mediat turke e kanë lavdëruar një vendim të Kosovës për të ndalur një ngjarje muzikore, të quajtur “Liri për Kurdistanin”, e cila ishte planifikuar të zhvillohej në Prishtinë të premten, duke thënë se nëpërmjet saj synohej të përhapej propagandë në favor të organizatave terroriste që janë në luftë me Turqinë.

Policia e Kosovës e ka ndaluar organizimin kulturor, nga “Qendra Sociale Sabota”, të premten, duke i habitur shumë njerëz, që vunë në pikëpyetje arsyen e vërtetë të një veprimi të tilli.

Policia të shtunën ka thënë se ka marrë informata për një “aktivitet të paparalajmëruar” dhe se organizatorët nuk i kanë pasur lejet e nevojshme.

Gjithashtu, Policia ka thënë se ka pasur informata se individë të paidentifikuar kanë mundur të shkaktojnë një incident gjatë ngjarjes, “i cili do të mund të kishte rezultuar me pasoja”.

Policia ka konfirmuar se ka marrë në pyetje dy persona, pasi njërit prej tyre i është gjetur një thikë, ndërsa tjetri nuk ka treguar letërnjoftimin e tij.

Mediat turke kanë thënë se ngjarja kishte për qëllim të shpërndante propagandë për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, apo PKK, e cila lufton kundër shtetit turk prej dekadash, dhe për Njësitet Popullore të Mbrojtjes, apo YPG, organizatë e themeluar në Siri nga kurdët e atjeshëm, raporton Balkan Insight.

Teksa PKK njihet si organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë vende evropiane, YPG nuk njihet gjerësisht si organizatë terroriste, dhe është një prej grupeve më të mbështetura nga SHBA’ja në Siri.

Por, Ankaraja pohon se kjo organizatë është degë e PKK’së në Siri, e cila përbën rrezik për sigurinë e Turqisë.

“Pas një njoftimi të bërë nga llogaria në rrjetet sociale e ‘Qendrës Kulturore Sabota’, e cila kishte planifikuar të bënte propagandë për organizatën terroriste YPG/PKK, nën maskën e një ‘Natë muzikore kurde’, Prokuroria e Kosovës ka urdhëruar ndërprerjen e një aktiviteti të tillë”, ka shkruar agjencia turke.

Ushtria turke thotë se operacioni i saj aktual ushtarak në Siri ka për qëllim të krijojë një zonë të sigurt dhe të qëndrueshme, përgjatë kufirit me Turqinë, si dhe të mbrojë popullin sirian nga shtypja dhe nga barbarizmat e “terroristëve”.

Udhëheqësit e minoritetit kurd në Kosovë gjithashtu e kanë dënuar ngjarjen dhe kanë akuzuar organizatorët për propagandë për “grupet terroriste”.

Gazeta turke, Yenisafak, ka cituar deklarata të udhëheqësit të Partisë Demkokratike Turke të Kosovës, e njohur si KDTP, dhe të ministrit të Administratës Publike në Kosovë, Mahir Yagcilar, të cilët kanë dënuar organizimin në Prishtinë, dhe e kanë quajtur atë provokim me një deklaratë të shkruar.

Yagcilar gjithashtu i ka porositur qytetarët e Kosovës që t’i shmangin aktivitetet që do të dëmtonin imazhin e Kosovës dhe marrëdhëniet e vendit me Turqinë, ka shkruar gazeta.

“Shfaqja e sjelljeve të këtilla kundër mikes së vërtetë dhe të palëkundur të Kosovës, Turqisë, është e pamatur dhe e pakuptimtë. Në të vërtetë, është e dëmshme për Kosovën”, citohet të ketë thënë Yagcilar.

Një përfaqësues tjetër i minoritetit turk, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e KDTP’së, Fikrim Damka, i cili ka folur për agjencinë Anadolu, ka shkuar edhe më larg.

“Duhet të zbulojmë nëse kjo shoqatë është e regjistruar në Ministrinë e Administratës Publike”, ka thënë ai, duke shtuar se, nëse nuk është, “duhet të ndalohet dhe të mbyllet”.

Check Also

Përvjetori i ditëlindjes së Alia Izetbegovicit

Përvjetori i ditëlindjes së Alia Izetbegovicit “Këtë që neve e quajmë Bosnjë, nuk është vetëm …