Home / Troje Shqiptare / Kosova / Kryeministri Rama me deklaratën sqaruese e bëri edhe më enigmatike atë se çfarë ka nënshkruar në Trieste

Kryeministri Rama me deklaratën sqaruese e bëri edhe më enigmatike atë se çfarë ka nënshkruar në Trieste

Kryeministri Rama pas kthimit nga Trieste bëri një deklaratë publike me qëllimin e qartë që të sqaronte dyshimet se në Trieste është nënshkruar një marrëveshje për përfshirjen e Shqipërisë në Jugosllavinë e Re, që maskohet pas të ashtuquajturit Tregu i Përbashkët i Ballkanit Perëndimor. Rama tha se: “Nuk ka broçkull më të madhe, për t’u evidentuar si kulmi i marrëzisë në interpretimin e këtij projekti, sesa broçkulla e rikrijimit të Jugosllavisë.”
Fjala “broçkull” është etiketim i tezës së kundërt, nuk është argument. Argumenti më i fortë që mbështet idenë se është nënshkruar Marrëveshja për Jugosllavinë e Re, është harta. Sepse mjafton t’ i hedhësh një sy hartës dhe shikon se Tregu i Përbashkët i Ballkanit Perëndimor përbëhet nga vendet e ish-Jugosllavisë, minus Kroacia dhe Sllovenia, plus Shqipëria. Pra kemi të bëjmë pikërisht me Jugosllavinë ashtu siç e donte Milosheviçi, i cili donte të largonte dy republikat katolike, Slloveninë dhe Kroacinë (këtë të fundit pasi të lëshonte trevat me popullsi serbe), ashtu që ta kontrollonte plotësisht Jugosllavinë e mbetur. Kryeministrin Rama e tradhton harta kur quan broçkull “Jugosllavinë e Re” të Triestes.
Kryeministri Rama nuk na paraqiti as tekstin e marrëveshjes së nënshkruar në Trieste, e cila për momentin mbahet sekret. Kryeministri Rama tha ne deklaratën e djeshme për projektin e Tregut të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor: “Duke hedhur poshtë të gjitha kundërshtitë qesharake ndaj këtij projekti, për të nënvizuar atë që është thelbësisht e vërteta e thjeshtë e projektit: Një rritje e kapaciteteve tona, si vende të rajonit, për të pasur një treg shumë më të madh sesa tregjet tona të vogla; një rritje e kapaciteteve eksportuese dhe importuese brenda për brenda rajonit, duke hequr barriera penguese jo tarifore dhe një rritje edhe në aspektin e përgatitjes së rajonit për t’ju bashkangjitur tregut të përbashkët europian. Kështu që besoj se është e kotë të humbasim kohë dhe energji për gjithfarë broçkullash që janë dëgjuar lidhur me këtë projekt. Projekti është thelbësisht një projekt europian. Mbështetet thelbësisht dhe tërësisht në frymën europiane të bashkëpunimit dhe të ndërveprimit. Nuk përbën absolutisht një zgjidhje alternative, por përkundrazi përbën një përpjekje komplementare me atë të integrimit të vendeve tona dhe të rajonit në Bashkimin Europian.”
Le ta pranojmë për një moment si të vërtetë atë që thotë Kryeministri Rama, se kemi të bëjmë me një projekt europian, të konceptuar dhe që do të zbatohet sipas modelit të tregut të përbashkët europian, të cilin Kryeministri e përmendi shprehimisht. Problemi i parë është ai kohor. Për krijimin dhe funksionimin e Tregut të Përbashkët Europian u deshën 35 vite, nga 1958 deri në 1993, kur u kalua në fazën tjetër të integrimit dhe u krijua Bashkimi Europian. Tani a mund të na thotë Kryeministri Rama apo dikush nga ata që kanë bërë projektin në Bruksel se sa vite do të duhen për krijimin dhe funksionimin e Tregut të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor? Krijimi i një tregu të përbashkët ndërshtetëror është një proces shumë i ndërlikuar se duhen marrë parasysh dhe balancuar interesa të kundërta të shumëllojshme. Dihet se sa i ndërlikuar ka qenë procesi i krijimit të tregut të përbashkët europian, veçanërisht sa i përket tregut bujqësor dhe blegtoral. Për mbrojtjen e interesave të vendeve anëtare janë vendosur kuota të detyrueshme për shitjen e prodhimeve.
Për Bashkimin Europian është thënë se një nga faktorët që përshpejtoi procesin e integrimit ishte se kur po krijohej Tregu i Përbashkët Europian kishte nevojë për krijimin e shumë institucioneve të përbashkëta me qëllim të ndërtimit dhe funksionimit të këtij tregu. E njëjta nevojë do të vihet re edhe në procesin e krijimit të Tregut të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor, dhe kështu procesi do të kalojë nga faza ekonomike në atë politike. Kjo do të thotë se në Trieste është nënshkruar për Bashkimin (federatën) e Ballkanit Perëndimor që do t’ i atashohet Bashkimit Europian.
Krijimi i partneritetit Rama-Vuçiç, i sponsorizuar nga eurokratët e Brukselit, ka pasur si synim realizimin e projektit të Jugosllavisë së Re. Në Europë ka dy qendra që e duan veçanërisht krijimin e Jugosllavisë së Re: Burokracia e Brukselit (Eurokratët) dhe Berlini. Qëllimi është që, së pari të shmanget problemi i bezdisshëm se çfarë do të bëhet me “vrimën e zezë” gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor të mbetur brenda arealit të BE. Së dyti, të merret me të mirë Serbia duke i dhënë një zonë ndikimi në Ballkanin Perëndimor, për ta larguar nga orbita ruse. Gjermania ka edhe interesin sepse është ajo që tekefundit do të jetë e detyruar të paguajë koston e integrimit të mundshëm të Ballkanit Perëndimor në BE.
Koha do të tregojë se Marrëveshja e Triestes është pikënisja e një procesi integrimi ballkanik që do të dështojë ekonomikisht (me kosto më të madhe për shqiptarët), por do të zhvillohet politikisht në linjën e federalizimit./Kastriot Myftaraj

Check Also

Në këto 2 gishta e ke Haram me mbajtë unazë

kemi pë qëllim që juve të ju ofrojmë sa më shumë rreth islamit por gjithsesi …