Home / Bota / Jeremy Corbyn vizitoi xhaminë në Finsbury Park të Londrës

Jeremy Corbyn vizitoi xhaminë në Finsbury Park të Londrës

Mbi 150 xhami në Britani të Madhe kanë hapur të dielën dyert për vizitorët jomyslimanë në mënyrë që të promovojnë të kuptuarit më të mirë të Islamit dhe të myslimanëve në përgjithësi.

Dhjetëra njerëz vizituan xhaminë në Finsbury Park të Londrës, që është vetëm njëra nga xhamitë e shumta ku myslimanët kryejnë adhurimet e tyre, ndërkohë që vizitorëve iu dhanë materiale të ndryshme siç janë fletushkat, CD dhe librat të cilët sqarojnë fenë islame.

Lideri i partisë Laburiste, Jeremy Corbyn ishte në mesin e personave që vizituan evenimentin e tretë me radhë “Visit My Mosque Day” ( vizito xhaminë time) ku u shfaq bashkë me Emily Thornberry sekretaren e Jashtme, të partisë së tij.

Në një prononcim të tij në xhami, Corbyn nënvizoi rëndësinë e paqes në komunitete. “Në javët e kaluara në disa pjesë të botës është përdorur një fjalor i keq. Gjuha e tmerrshme gjeneron veprime të tmerrshme të cilat rezultojnë me vdekje të njerëzve të pafajshëm siç ndodhi në Quebec”, tha Corbyn, duke rikujtuar edhe sulmin mbi këtë xhami javën e kaluar ku mbetën të vrarë gjashtë besimtarë myslimanë.

Duke kritikuar ndalimin e administratës së Trumpit për qytetarët e shtatë vendeve me shumicë myslimane, të cilin e quajti si përçarës dhe diskriminues Corbyn tha se Trump ka nevojë për më shumë mirëkuptim.

“Do ti dërgoj një mesazh shumë të butë njeriut përtej Atlantikut që duket të jetë në nevojë për mesazhe të buta dhe me më shumë mirëkuptim: Pirja e çajit bashkë, është shumë më efektiv se sa derdhja e çimentos për të ndërtuar mure për të mbajtur njerëzit larg nga njëri-tjetri”, shtoi më tej ai.

Vizitorët kaluan çaste të këndshme duke pirë çaj me biskota, ndërkohë që një i ri dhe një e re përgjigjeshin pyetjeve të vizitorëve për xhaminë dhe Islamin.

Britanikja, Louise Duggan tha se viziton një xhami për herë të parë, për të shtuar se përvoja ka qenë shumë e dobishme. “Është me rëndësi që në këtë kohë të shfaqim solidarizimin tonë me myslimanët”, tha ajo.

Mohammed Kozbar në cilësi të kryetarit të xhamisë, tha për AA se ky eveniment mbahet për të tetin vit radhazi.

“Është e rëndësishme që të angazhohemi pozitivisht me komunitetin për të treguar se xhamitë nuk janë vetëm për lutje, por se është edhe një qendër e komunitetit”, tha ai.

Organizator i fushatës “Visit My Mosque Day” është Këshilli Myslimanë i Britanisë i cili sqaron se e njëjta paraqet një platformë të myslimanëve për të depërtuar te bashkëkombësit britanik në mënyrë që tu shpjegohet besimi që kanë, larg nga titujt negativ të mediave.

Check Also

Emri ‘Muhammed’, një ndër emrat më të përdorur në Londër

Një hulumtim i kryer në Britani të Madhe zbulon se emri musliman Muhamed, …