Home / Bota / Erdogan: Raketat S-400 i blemë! Mos vallë duhet t’ju prisnim juve?!

Erdogan: Raketat S-400 i blemë! Mos vallë duhet t’ju prisnim juve?!

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, reagoi të mërkurën kundër administratës së Uashingtonit për shkak të komenteve të saj në lidhje me blerjen e sistemit raketor S-400 nga Rusia.

“Ata u çmendën vetëm sepse bëmë marrëveshjen (për raketat) S-400”, tha Erdogan gjatë një takimi në Ankara me kryebashkiakët e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK) në pushtet, ku shtoi gjithashtu se do të bëjnë ç’të jetë e nevojshme për të mbajtur shtetin në këmbë.

Lideri turk iu drejtua Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat shprehën shqetësim ngaqë Turqia po ble raketat ruse S-400.

“Ata u çmendën vetëm sepse bëmë marrëveshjen S-400. Çfarë duhet të bënim? Mos vallë t’ju prisnim juve?! Ne po marrim dhe do të marrim të gjitha masat e sigurisë”, deklaroi ai.

“Tashmë ky vend është i aftë të prodhojë edhe dronet e armatosura. Ne do të bëjmë ç’të jetë e nevojshme për të mbajtur shtetin në këmbë. Do ta bëjmë këtë edhe me drone të armatosura, edhe me tanke”, shtoi Erdogan.

Presidenti nënvizoi gjithashtu se Turqia është një shtet, i cili nuk bën lëshime nga politika e tij për të mos dëmtuar civilët në operacionet brenda dhe jashtë kufijve të vendit.

Marrëveshja në fjalë ka shkaktuar shqetësim midis aleatëve të Turqisë në NATO, pasi sistemi raketor S-400 është i papajtueshëm me mbrojtjen ajrore të anëtarëve të tjerë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior.

“Ne i kemi përcjellë shqetësimet tona zyrtarëve turq në lidhje me blerjen potenciale të raketave S-400”, tha ditën e martë zëdhënësi i Pentagonit, Johnny Michael, për transmetuesin amerikan “CNBC”.

“Një sistem i mbrojtjes ajrore me raketat ndërvepruese të NATO-s mbetet opsioni më i mirë për të mbrojtur Turqinë nga rreziku i kërcënimeve të gjithanshme në rajon”, theksoi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes.

Kurse zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, tërhoqi vëmendjen se e rëndësishme është që vendet anëtare të NATO-s të përdorin materiale ushtarake të pajtueshme me sistemet e Aleancës.

“Sistemi rus, nëse Turqia ble raketat S-400 siç edhe po flitet, nuk përshtatet me këto standarde dhe kjo është një situatë shqetësuese për ne”, deklaroi zëdhënësja e diplomacisë amerikane në përgjigje të një pyetjeje gjatë komunikimit ditor për media.

Në mars, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Kombëtare, Fikri Isik, njoftoi se Turqia kishte kërkuar të blejë një sistem raketash nga një prej partnerëve të saj të NATO-s, por nuk kishte arritur të binte dakord për transferimin e teknologjisë dhe çmimin.

Në vitin 2013, Turqia përzgjodhi kompaninë “China Precision Machinery Import-Export” për një sistem të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë, por më pas hoqi dorë nga marrëveshja nën presionin e NATO-s. Dy vjet më vonë, bateritë e raketave “Patriot” të NATO-s u tërhoqën nga Turqia.

Gjatë viteve të fundit, Turqia ka kërkuar të zhvillojë industrinë e saj kombëtare të mbrojtjes për të reduktuar varësinë nga furnizuesit e huaj.

Sistemi S-400 është ai më i përparuari kundërajror me rreze të gjatë veprimi i Rusisë dhe mund të mbajë tri lloje raketash të afta për të shkatërruar objektiva të ndryshme, përfshi këtu raketat balistike dhe ato kruz. Ai mund të gjurmojë dhe godasë deri në 300 objektiva njëkohësisht deri në një lartësi maksimale prej 27 kilometrash (17 milje)./ trt

Check Also

Dy kohët kur nuk duhet të falet Namazi

Përcillet nga Aishja (r.a) se Profeti alejhi selam ka thënë: “Nuk falet namaz kur ushqimi …