Home / Bota / Erdogan: Muslimanët po vrasin njëri-tjetrin në Siri, Irak, Libi dhe Jemen; ka ardhur koha për bashkimin e tërë botës islame

Erdogan: Muslimanët po vrasin njëri-tjetrin në Siri, Irak, Libi dhe Jemen; ka ardhur koha për bashkimin e tërë botës islame

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, në kuadër të vizitës së tij në Bahrein, ka mbajtur fjalim para pjesëmarrësve në konferencën e organizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Paqes – Zyra për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.

Duke theksuar rëndësinë e veçantë që Turqia i jep marrëdhënieve me Bahreinin Erdoğan tha se “Paqen dhe stabilitetin në Bahrein nuk e shohim të ndarë nga siguria dhe stabiliteti ynë. Me këtë rast, dua të ripërsëris se kemi qenë dhe do të jemi në anën e Bahreinit në luftën kundër terrorizmit, sepse Bahreini ka qenë përkrahësi më i madh i Turqisë në luftën kundër terrorizmit kohëve të fundit, me në krye tentativën për grusht shteti më 15 korrik”.

Erdoğan tha se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Bahreinin në çdo fushë. “Këtë mbështetje do të vazhdojmë ta forcojmë me industri të mbrojtjes, bashkëpunim ushtarak, tregti, investime dhe partneritet rajonal dhe në fushën e shëndetësisë”, vazhdoi Erdoğan.

Presidenti Erdoğan tha se kjo vizitë e tij në Bahrein përkon me një periudhë kritike dhe se e njëjta ka rëndësi në drejtim të solidarizimit me Bahreinin, duke vazhduar më tej:

“Në periudhën e një transformimi global, të gjithë së bashku po jetojmë në një vend ku dhimbjet dhe shpresat ecin krah për krah njëra-tjetrës, në rajonin me më së shumti probleme në botë. Meqë as ne e as ju nuk keni një atdhe tjetër, do të vazhdojmë të jetojmë në këtë vend. Duke qenë kështu, të gjithë duhet të ulemi dhe të bisedojmë së bashku në lidhje me atë se çfarë mund të bëjmë për zgjidhjen e problemeve në rajon, për paqen, mirëqenien, vëllazërinë dhe forcimin e stabilitetit. Tanimë jemi në një periudhë ku duhet të bëjmë zgjedhje të vështira dhe kritike të cilat nuk mund t’i mënjanojmë më fjalë boshe, trimëri dhe manovra taktike. Pothuajse të rrethuara nga një hallkë e zjarrtë, vendet islame me të vërtetë po përjetojnë ditë shumë të dhimbshme dhe po kalojnë një sprovë shumë të rëndë”, tha Erdoğan.

Sipas tij, këto vende, të cilat për shekuj kanë qenë adresa e paqes, fatkeqësisht, ditëve tona po përmenden për dhimbjet, terrorin, tensionet, shkatërrimin dhe bombat.

“Prej gjashtë vitesh, fëmijët në Siri, kur shikojnë lart, nuk shohin kaltërsinë e qiellit, por avionë që shkaktojnë vdekje dhe bomba fuçi që copëtojnë ëndrrat dhe trupat e tyre. Këto troje të cilat kanë strehuar civilizimin mijëravjeçar islam dhe të cilat ishin qendra e arkitekturës, bibliotekave, xhamive, tyrbeve, shkencës, urtësisë dhe dijes, po ridizajnohen me zjarr, gjak dhe lotë. Muslimanët, të tëhuajtur me njëri-tjetrin në baza identitare, gjuhësore, fisnore, racore dhe sektare, po harxhojnë njëri-tjetrin në Siri, Irak, Libi, Jemen dhe shumë vende të tjera. Të gjithë së bashku po shohim si qytetet kryesore të civilizimit arab dhe islam u shndërruan në arenë të organizatave terroriste dhe luftërave shkatërruese dhe të ndërmjetme të fuqive të huaja. Teksa ndërgjegja e njerëzisë po ngelet e heshtur, të fuqishmit po mjaftohen duke fërkuar duart, kurse hipokritët, fatkeqësisht, duke derdhur lotë krokodili”.

Erdoğan më tej ka theksuar se ka ardhur koha për bashkimin e botës islame. “Ka kohë që ka ardhur koha për bashkim dhe bashkëveprim të tërë botës islame e madje edhe njerëzimit. Asnjë shtet dhe asnjë shoqëri nuk mund ta mendojë vetëm komoditetin dhe ardhmërinë e vet derisa fqinjët e vet gjenden në vuajtje, derisa vëllezërit e vet me të cilët flasin të njëjtën gjuhë dhe kthehen kah e njëjta kible përjetojnë dëme”, vuri në pah Erdoğan, duke shtuar se nuk ka garanci që nuk mund t’u ndodh njëlloj sikurse, siç tha ai, vëllezërve në Siri, Irak dhe Libi. Sipas Erdoğan, duhet vepruar menjëherë dhe të mos shtyhet për më vonë./ AA

Check Also

Erdogan: Bashkësia ndërkombëtare ka rënë nga provimi në Myanmar dhe Siri

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, në një fjalim në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të …