Home / Feja / Do t’i edukojmë fëmijët tanë, ashtu si na mëson feja e jonë!

Do t’i edukojmë fëmijët tanë, ashtu si na mëson feja e jonë!

Nëse nisim e kompleksohemi sa herë taborrat e Iblisit grricen ndaj besimtarëve që edukojnë e mësojnë fëmijët e tyre me namaz e, vajzat me mbulesën e përkushtimit dhe devotshmërisë, atëherë më mirë të rruajmë mjekrat!

Do t’i edukojmë fëmijët tanë me moral e namaz, me hixhab e fé, me dashuri për atdheun dhe tokën tonë, me pastërtinë dhe sinqeritetin në komunikim, me dashurinë për dijen, leximin dhe shkencën, me dëshirën për të bërë mirë dhe edukatën në marrëdhënie me më të diturin e më të rriturin, si dhe mëshirën ndaj më të voglit!

Do të vazhdojmë të edukojmë fëmijët tanë dhe t’i mësojmë se, gjëja më e shtrenjtë në jetë është besimi në All-llah, në Kur’an dhe në Hz. Muhammedin (a.s), prej ku burojnë edhe krejt të mirat e kësaj bote dhe të Ahiretit!

Do të vazhdojmë të edukojmë fëmijët tanë të jenë të kujdesshëm ndaj harameve në jetë; ndaj alkoolit, si nana e krejt pështirësive, ndaj imoralitetit, ndaj injorancës, ndaj fanatizmit të verbër, ndaj thirrjeve shterpë dhe propagandave të djallëzuara që i duan fëmijët tanë pa besim e fé, pa Islam e Kur’an, pa moralin e hallallit, pa drojen e Zotit; të tillët janë fatkeqësi për veten, familjen, kombin!

Do të vazhdojmë të edukojmë fëmijët tanë se të duash për vëllanë tënd atë që do për vete, është prej përsosmërisë së besimit dhe se kopracia është prej shejtanit të mallkuar!

Do të vazhdojmë të edukojmë fëmijët tanë të thonë me mburrje: “Unë jam musliman!”, duke pasur respekt për veten dhe duke kthyer mbrapsht këdo që fut hundët në të drejtën legjitime të perzgjedhjes fetare dhe praktikimit të saj, kudo qofshim!

Do të vazhdojmë të edukojme fëmijët tanë se kushdo që ndryshon prej nesh, duhet respektuar, brenda logjikës së kufijve të të drejtave, jo përtej tyre, sepse pranimi i tjetrit përtej asaj që i takon, është abuzim me të drejtën vetanake, urë drejt shkatërrimit!

Do të vazhdojmë të edukojmë fëmijët tanë me namazin, me përuljen para Zotit, me agjërimin e Ramazanit, si shtyllë esenciale në përsosmërinë e durimit dhe vlerave, me dhënien e zekatit dhe sadekasë, si forma më e virtytshme e dëshmimit të bamirësisë, altruizmit dhe shpirtmadhësisë në jetë, me haxhin, si dëshmia më e plotë e unitetit global të muslimanëve, si një ymet i vetëm, për të cilin duhet të punojmë me sa të kemi forcë e pasuri!

Mbi të gjitha, do të vazhdojmë të edukojmë fëmijët tanë se, kjo gjithësi nuk është krijuar vetvetiu; Zoti i saj dhe i yni, është All-llahu; i Vetëm, i Pashoq, që s’ka as djalë, as vajzë, që është i Përhershëm pa fillim, i Përhershëm pa mbarim, që çdo gjë i është krijesë, që kur do diçka e urdhëron: “Bëhu!” dhe ajo bëhet, që çdo gjë e secili prej nesh është krijuar me një kader të paracaktuar, për të cilin, Ai është i Plotëdijshëm, i Pakrahasueshëm me asgjë dhe askë!

Sikurse, do të vazhdojmë të edukojmë fëmijët tanë se, Hz. Muhammedi (a.s), është i Dërguari i fundit i All-llahut në tokë, i fundit i një zinxhiri të mrekullueshëm të dërguarish, që mësuan dhe edukuan krejt popujt e botës të adhurojnë e të duan Një Zot të Vetëm e të Pashoq!

All-llahu ju dashtë e ju pastë në mbrojtje, ju dhashtë mbarësi e bekim në rrugëtimin tuaj të paqtë në edukimin e fëmijëve!

Imam Muhamed B. Sytari/ Shkodër, më 22 korrik 2017

Check Also

Putin udhëton drejt Sirisë, ja si reagon kur shikon nga dritarja dy avionë luftarakë (Video)

Teksa presidenti rus, Vladimir Putin ishte në një flutirim për të mbërritur në bazën ajrore …