Home / Feja / Dhjetë shkaqe që robi mund të ruhet me to prej shejtanit.

Dhjetë shkaqe që robi mund të ruhet me to prej shejtanit.

Njeriu mbrohet nga shejtani, dhe e largon sherrin e tij si dhe ruhet prej tij duke plotësuar dhjetë shkaqe:
1- Duke i kërkuar mbrojtje Allahut prej shejtanit. Allahu i Lartësuar thotë: “E nëse të ngacmon ndonjë cytje prej shejtanit kërko mbrojtje nga Allahu, vërtetë Ai është Dëgjues, i Ditur”.
Transmetohet në sahihun e Buhariut nga hadithi i Sulejman ibn Sard se ka thënë: “Isha i ulur me të dërguarin e Allahut -salallahu alejhi ue selem- dhe dy persona po bënin fjalë mes tyre, njërit prej tyre u ishte skuqur fytyra dhe i ishin fryrë damarët. I dërguari i Allahut -salallahu alejhi ue selem- tha: “Unë di një fjalë, të cilën nëse nëse ai e thotë atëherë do t’i kalojë ajo gjendje që ai ka, nëse ai thotë: I kërkoj mbrojtje Allahut nga shejtani i mallkuar do t’i kalojë atij gjendja në të cilën ai është”. Transmeton imam Buhariu dhe Muslimi.
2- Leximi i dy sureve (Felekun dhe Nas), këto dy sure kanë një ndikim të habitshëm në mbrojtjen e Allahut të Lartësuar për largimin e shejtanit dhe mbrojtjes prej tij.
Prandaj Pejgamberi -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: “Nuk mbrohet ndokush që kërkon mbrojtje më mirë se sa me këto dy sure”, si dhe e përmendëm më parë se ai -salallahu alejhi ue selem- kërkonte mbrojtje me këto dy sure çdo natë para se të binte për të fjetur, si dhe ka urdhëruar Ukben që t’i lexojë ato pas çdo namazi, si dhe përmendëm fjalën e tij -salallahu alejhi ue selem-: “Ai i cili i lexon ato dy sure bashkë me suren Ihlas kur ngryset dhe kur gdhihet i mjaftojnë atij(si mbrojtje) prej çdo gjëje”.
3- Leximi i ajetit Kursij.
Është saktësuar nga hadithi i Muhamed ibn Sirin nga Ebi Hurejra -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- se ka thënë: “Më urdhëroi i dërguari i Allahut -salallahu alejhi ue selem- që të ruaja zekatin e ramazanit, erdhi një person dhe filloi që të lëvizte ushqimet, e kapa atë dhe i thashë: Do të të dërgoj tek i dërguari i Allahut -salallahu alejhi ue selem- dhe përmendi hadithin dhe thotë në të: “. . . kur të shkosh në shtratin tënd lexo ajetin Kursij sepse do të kesh një roje nga Allahu që të ruan dhe nuk të afrohet shejtani deri sa të gdhihet. I dërguari i Allahut -salallahu alejhi ue selem- i tha: Të vërtetën tha megjithëse ai është gënjeshtar” transmeton Buhariu.
4- Leximi i sures Bekare.
Është saktësuar nga hadithi i Sehl ibn Abdullah nga Ebi Hurejra -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- se i dërguari i Allahut -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: “Mos i bëni shtëpitë tuaja varreza, si dhe në atë shtëpi që lexohet sureja Bekare nuk afrohet shejtani”. Transmeton Muslimi dhe Tirmidhiu.
5- Leximi i pjesës së fundit të sures Bekare.
Është saktësuar nga hadithi i Ebi Musës el-Ensari -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- se ka thënë: Ka thënë i dërguari i Allahut -salallahu alejhi ue selem-: “Kush lexon dy ajetet e fundit të sures Bekare gjatë natës i mjafton atij“. Transmeton Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu nga Nu’man ibn Beshir -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- nga i dërguari i Allahut -salallahu alejhi ue selem- se ai ka thënë: “Allahu i Lartësuar shkroi një Libër njëmijë vjet përpara se t’i krijonte krijesat, dhe zbriti prej tyre dy ajete dhe me to mbylli suren Bekare. Nuk lexohet ajo në një shtëpi tri ditë e ti afrohet asaj shejtani”. Hadithi është i saktë.
6- Leximi i fillimit të sures Gafir deri në ajetin e tretë bashkë me ajetin Kursij.
Siç është transmetuar në ‘Sunenin’ e imam Tirmidhiut nga hadithi i Abdurrahman ibn Ebi Bekrete nga Ibn Ebi Mulejketu nga Zuraretu ibn Musab nga Ebi Selemete nga Ebi Hurejra se ka thënë: Ka thënë i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të): “Ai i cili lexon fillimin e sures Gafir deri tek fjala e Allahut ‘dhe tek Ai është kthimi’ (ajeti i tretë) bashkë me ajetin Kursij kur zgjohet nga gjumi ruhet me to deri sa të ngryset, e ai i cili i lexon ato kur ngryset ruhet me to deri sa të gdhihet“. Megjithëse hadithi është i dobët se Abdurrahman ibn Meliki është i përfolur, hadithi ka disa transmetime të tjera që dëshmojnë për të që kanë ardhur në lidhje me ajetin Kursij, ndaj mund ta përdorim atë megjithëse është pak sa i huaj.
7- Të thuash duanë: ‘La ilahe il-la Allahu, uahdehu la sherikelehu, lehu ma fi semauati ue ma fil erd, ue huue ala kuli shejin kadir‘ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e pa shok, Atij i takon çka ka në qiell dhe në tokë, Atij i takon lavdërimi, vërtetë Ai është i plotfuqishëm për gjithçka).
Transmetohet në dy sahihet nga hadithi i Sumejit shërbëtori i Ebu Bekrit nga Ebi Salih nga Ebi Hurejra se i Dërguari i Allahut (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Ai i cili thotë: ‘La ilahe il-la Allahu, uahdehu la sherikelehu, lehu ma fi semavati ue ma file rd, ue huve ala kuli shejin kadir‘ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e pa shok, Atij i takon çka ka në qiell dhe në tokë, Atij i takon lavdërimi, vërtetë Ai është i plotfuqishëm për gjithçka) gjatë ditës njëqind herë i shkruhet atij sikur ka liruar dhjetë robër, dhe i shkruhen atij njëqind të mira, dhe i fshihen njëqind gjynahe, ruhet nga shejtani atë ditë deri sa të ngryset, si dhe nuk vjen ndokush me diçka më të mirë se ai ditën e gjykimit përveç dikujt që ka bërë më shumë se ai“.
Transmeton imam Buhariu dhe imam Muslimi, kjo është ruajtja që ka dobi shumë të madhe, si dhe përfitim të vlefshëm, është e lehtë dhe e thjeshtë për atë që Allahu ia lehtëson atij.
8- Përmendja e shpeshtë e Allahut, dhe kjo është prej mbrojtjeve më të dobishme prej shejtanit.
Transmetohet në ‘Sunenin’ e Tirmidhiut nga hadithi i Harith el-Esh’arij (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i Dërguari i Allahut (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: ” . . . ju urdhëroj që ta përmendni Allahun shumë, sepse shembulli i personit i cili e përmend Allahun shumë është si shembulli i atij që ndiqet nga armiku duke e gjëmuar atë me nxitim, deri sa ky person arrin në një kështjellë të fortifikuar dhe e mbron veten në të prej tij, kështu edhe robi nuk e ruan veten e tij prej shejtanit vetëm se me përmendjen e shpeshtë të Allahut“.
I dërguari i Allahut (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) tregon në këtë hadith se robi nuk ka se si ta mbrojë veten e tij më mirë prej shejtanit vetëm se me përmendjen e shpeshtë të Allahut dhe kjo është edhe ajo çka tregon sureja Nas. Kjo sure e ka cilësuar shejtanin se është ‘i fshehur’ dhe ‘i fshehur’ është ai i cili fshihet kur robi e përmend Allahun dhe struket, e nëse njeriu tregohet i shkujdesur nga përmendja e Allahut të Lartësuar ai i sulet zemrës dhe hedh në të vesvese të cilat janë hapat parësore të çdo fatkeqësie, ndaj robi nuk mundet që ta mbrojë veten e tij me diçka më me vlerë se sa përmendja e Allahut të Lartësuar.
9- Marrja e abdesit dhe falja e namazit janë prej gjërave më të mëdha që robi mund të mbrohet me to prej shejtanit, sidomos kur e kaplon atë forca e hidhërimit dhe e epshit, sepse ai është zjarri që vlon në zemrën e birit të Ademit . . .
Ndaj robi nuk ka diçka më të mirë që ta shuajë prushin e hidhërimit dhe të epshit se sa abdesi dhe namazi, sepse ai është zjarr dhe abdesi e shuan atë, kurse namazi nëse kryhet ashtu siç duhet me devotshmëri ndaj Allahut e largon pasojën e saj komplet dhe kjo është diçka që arrihet me përvojë dhe nuk ka nevojë për argument për të.
10- Të ruhet robi nga shikimi i panevojshëm, fjala, ushqimi, dhe përzierja me njerëzit, sepse shejtani e mbizotëron birin e Ademit dhe e arrin qëllimin e tij tek ai prej këtyre katër dyerve.
Shkurtimisht marrë nga libri: “Bedaiul Feuaid“

të imam Ibn Kajim el-Xheuzij –Allahu e mëshiroftë-. (2/274).

Përshtati: Ylli Rama.

Check Also

Alkooli vret më shumë adoleshentë se sa të gjithë drogërat bashke

Sipas, Addaction, alkooli është faktori më i madh i rrezikut për vdekjen, për moshat midis …