Home / Feja / DHJETË DITËT E DHULHIXHES DHE RREGULLAT E KURBANIT

DHJETË DITËT E DHULHIXHES DHE RREGULLAT E KURBANIT

Vlera e 10 ditëve të Dhul-Hixhes
Allahu i Madhëruar në suren El-Fexhr betohet: “Pasha Agimin! Pasha dhjetë netët! Pasha çiftin dhe pasha tekun!”. Në komentim të këtyre ajeteve Ibn Abasi shpjegon: “Netët e përmendura në ajet janë netët e 10 ditëve të para të muajit Dhul-Hixhe, ndërsa çifti është dita e dhjetë, që është dita e Kurban Bajramit, kurse Teku është dita e nëntë, pra dita e Arafatit.” Siç shikohet, Allahu i madhëruar është betuar në netët e 10 ditëve të Dhul-hixhes, ku ka veçuar më pas ditën e Arafatit dhe ditën e Bajramit e cila përkon me ditën kur haxhilerët, pas lindjes së diellit, nisen për në Mina dhe hedhin guralecët në Akabenë e madhe, bëjnë kurbanin dhe qethin ose rruajnë kokat e tyre.
Duke treguar për vlerën e madhe të këtyre 10 ditëve, Profeti (alejhi salatu ue selam) thotë: “Ditët në të cilat puna e mirë është më e dashur tek Allahu janë 10 ditët e Dhul-hixhes. Të pranishmit e pyetën: “Puna në këto ditë është më e mirë se sa vetë Xhihadi në rrugë të Allahut?” Profeti (alejhi salatu ue selam)u përgjigj: Po! Vetëm nëse njeriu del me veten dhe pasurinë e tij në rrugë të Allahut dhe nuk kthehet më.” (Transmetoi Buhariu). Ndërsa Ibn Umeri në shpjegim të këtij hadithi thotë: “Nuk ka ditë më madhështore tek Allahu se dita e xhumasë, përveç 10 ditëve të Dhul-Hixhes, sepse punët e mira në këto ditë janë të barabarta me gjithë vitin.” E pra, ky është rasti më i volitshëm ku besimtari duhet të shtojë punët e mira sa të mundet. Prej punëve të mira janë: namazi nafile, sadakaja, agjërimi, leximi i Kur’anit, përmendja e Allahut (dhikri), lutjet e ndryshme etj.
Për sa i përket agjërimit, edhe pse Aishja thotë se Profeti (alejhi salatu ue selam) nuk i ka agjëruar 10 ditët e Dhul-Hixhes, kjo s’do të thotë se agjërimi është i ndaluar. Imam Ibn Rexhebi në komentim të hadithit shpjegon: “Thënia e Aishes, tregon se Profeti (alejhi salatu ue selam) nuk i ka agjëruar të gjitha ditët e Dhul-Hixhes së bashku, mirëpo kjo nuk mohon që Profeti të ketë agjëruar disa prej këtyre ditëve. Kjo gjë ka qenë e njohur te selefët, madje Ibn Umeri i agjëronte të gjitha ditët e Dhul-Hixhes, përveç ditës së dhjetë, sepse ajo është ditë bajrami.
Përveç kësaj duhet theksuar rëndësia e madhe që ka agjërimi i ditës së Arafatit, që është dhe dita e nëntë e Dhul-Hixhes. Profeti (alejhi salatu ue selam) kur e pyetën për agjërimin në këtë ditë tha: “Agjërimi në ditën e Arafatit shlyen gjynahet e vitit që ka kaluar dhe atij që do të vijë.” ( Transmetoi Muslimi)
Kurbani dhe rregullat e tij
Çdo herë fjala kurban na sjell ndër mend sakrifikimin e një kafshe, mirëpo kurbani i Bajramit është një sakrifikim dhe flijim i cili i dedikohet vetëm Allahut të Madhëruar. Përveç kësaj, me kurbanin e bajramit manifestohet qartë mëshira, solidariteti, përulësia dhe sinqeriteti i besimtarëve mes tyre. Allahu i Lartësuar në Kur’an, pasi na tregon se nga Kurbani i therur duhet të japim atyre që lypin dhe atyre që nuk lypin thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tuaj që ju ta madhëroni Allahun, sepse ju ka udhëzuar dhe përgëzoi bamirësit!” (Suretu El-Haxh 36-37.)
Kështu pra, Kurbani mbart në vetvete mirënjohjen ndaj Zotit dhe dobia e tij i kthehet vetë njeriut, qoftë kur kafsha është e gjallë, por edhe pas therjes, sepse Allahu nuk ka nevojë për gjakun dhe mishin e saj, por Ai kërkon prej nesh t’i jemi mirënjohës Atij, për të përmbushur kështu detyrimin për të cilin edhe jemi krijuar.
Kurbani i Bajramit, veç të tjerash është dhe një ringjallje e rrugës së pastër që ndoqi babai i Profetëve, Ibrahimi (alejhi selam), i cili ishte i gatshëm të flijonte birin e tij Ismailin për të çuar në vend urdhrin e Allahut. Në këtë sprovë të madhe ku u tregua vendosmëria dhe sinqeriteti Ismailit gjithashtu, Allahu ia zëvendësoi Ibrahimit flijimin e djalit me therjen e një kurbani dhe kjo gjë mbeti përkujtim i veçantë për njerëzit më pas. Për këtë, Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Vërtet kjo ishte sprovë e qartë. Ne e zëvendësuam atë me një kurban të madh. Dhe i lamë atij (Ibrahimit) kujtim të mirë në brezat e mëvonshëm.” (Suretu Essafatë 106-108.) Allahu i Madhëruar nuk kërkon nga ne që të flijojmë fëmijët tanë siç urdhëroi Ibrahimin (alejhi selam), por Ai do që të na mëshirojë më shumë duke na kërkuar më pak. Allahu kënaqet me robin e Tij kur ai ndjek rrugën e Ibrahimit dhe bën kurban një kafshë.
Dijetarët islamë nuk janë të një mendje në mes tyre rreth obligimit ose jo të kurbanit.
Imam Ebu Hanife, Maliku, Euzai dhe të tjerë, janë të mendimit se Kurbani është vaxhib (detyrë), duke u argumentuar me argumente të ndryshme, ndër të cilat do të veçonim hadithin profetik ku Profeti (alejhi salatu ue selam) thotë: “Kush i ka mundësitë dhe nuk bën kurban, mos t’i afrohet namazgjasë sonë!” (Transmetoi Ahmedi dhe Ibn Maxha)
Ndërsa dijetarë të tjerë si: Imam Shafiu, Ahmedi, Ebu Jusufi, Muhamedi e të tjerë, janë të mendimit se kurbani është sunet dhe diçka e pëlqyeshme. Ndër argumentet e tyre do të veçonim hadithin ku Profeti (alejhi salatu ue selam) thotë: “Kur të hyjë hëna e Dhul-Hixhes dhe ndonjëri prej jush dëshiron të bëjë kurban, mos të presë thonjtë dhe qimet (në trupin e tij)!” (Transmetoi Muslimi.)
Megjithëkëtë dijetarët duke u bazuar në argumente të ndryshme kanë vendosur disa rregulla për kurbanin e bajramit të cilat janë:
1-) Kur të hyjë hëna e re e Dhul-hixhes personi i cili ka vendosur të bëjë kurban nuk duhet që të presë thonjtë ose të heqë apo shkurtojë qimet kudo qofshin ato në trupin e tij.
2-) Nuk duhet që kafsha e veçuar për kurban të qethet, sepse leshi i saj është pjesë e kafshës e cila është destinuar për këtë adhurim të posaçëm. Ndërsa për sa i përket qumështit të saj disa dijetarë si Imam Ebu Hanife dhe të tjerë mendojnë se nuk lejohet të milet, kurse Imam Shafiu dhe pjesa tjetër e dijetarëve janë të mendimit se qumështi duhet të milet, sepse është në dobi të njerëzve dhe mund t’i sjellë dëm kafshës.
3-) Kafsha e kurbanit duhet të jetë e majme dhe jo në moshë të vogël. Deveja për shembull, duhet t’i ketë mbushur pesë vjet, lopa duhet të ketë plotësuar dy vjet, dhia duhet të ketë plotësuar vitin, kurse delja së paku të jetë gjashtë muajsh.
4-) Deveja dhe lopët vlejnë për shtatë persona ndërsa delja dhe dhia për një person. Personat janë të ndryshëm dhe nuk futen në numërim familjarët e tij. Pra një dele mjafton si kurban për të gjithë pjesëtarët e familjes, siç tregohet në një hadith autentik që e transmeton Tirmidhiu nga Ebu Ejjub el-Ensari.
5-) Kafsha e veçuar për kurban duhet të jetë e shëndoshë fizikisht dhe pa të meta të dukshme në trupin e saj. Ajo nuk duhet të jetë e sëmurë, e verbër ose e çalë. Nuk duhet të jetë me veshë të prera ose të shqyera, nuk duhet të jetë me bisht të këputur ose të prerë, si dhe mos të ketë brirë të këputur ose të thyer. Ndërsa për sa i përket disa të metave fizike të vogla tek veshët apo gjetkë nuk prish punë.
Në qoftë se kafsha e kurbanit bëhet më ndonjë të metë pasi që është veçuar për kurban, nuk prish punë sipas Imam Shafiut, kurse Imam Ebu Hanife thotë se ajo kafshë nuk vlen më për kurban.
6-) Kurbani theret pas namazit të bajramit dhe nuk është i vlefshëm nëse theret para namazit. Për këtë arsye Profeti (alejhi salatu ue selam) kur pa se Ebu Burde kish therur kurbanin para namazit të bajramit, e urdhëroi që të bënte një kurban tjetër përveç tij. (Transmetoi Buhariu).
Koha e kurbanit fillon që pas namazit të Bajramit dhe vazhdon deri në ditën e katërt para se të perëndojë dielli. Këto ditë quhen ditët e teshrikut.
7-) Është e pëlqyeshme që çdo njeri ta therë vetë Kurbanin e tij, siç ka vepruar Profeti (alejhi salatu ue selam), por nëse dikush nuk di të therë, ose nuk ka mundësi, mund t’ia lërë në dorë dikujt tjetër.
Është e domosdoshme që kurbani të theret me emrin e Allahut, pra gjatë therjes të thuhet “Bismilah” si dhe është e pëlqyeshme që pas saj të thuhet edhe “Allahu ekber”, ose mund të thotë: “Bismilah, o Zot pranoje këtë kurban nga filani (përmend emrin e tij) dhe familja e tij!” Që të dyja format janë të vërtetuara në hadithe të sakta.
9-) Nuk lejohet që kasapit t’i jepet si hak pune lëkura e kurbanit ose diç tjetër prej tij, por mund t’i jepet diçka tjetër si shpërblim. Lëkura mund të dhurohet por jo të shitet. E njëjta gjë vlen edhe për mishin.
10-) Lejohet që gruaja e pasur të presë kurban nga pasuria e saj dhe t’ia japë mishin si sadaka burrit dhe fëmijëve të saj, kur këta nuk janë në gjendje ta bëjnë vetë kurbanin.
11-) Dijetarë të ndryshëm kanë këshilluar që mishi i kurbanit të ndahet në tri pjesë; një pjesë për vete, një pjesë të jepet sadaka dhe një pjese të dhurohet, pasi Allahu në Kur’an thotë: “Hani prej mishit të tyre dhe ushqeni atë që lyp dhe atë që nuk lyp!” (Suretu El-Haxh 36) Pra ata persona që nuk lypin, ata janë nevojtarë që nuk e shfaqin veten e tyre. Njerëzve të tillëve u dhurohet mishi (kryesisht farefisit dhe fqinjëve), kurse atyre që lypin u jepet në formë sadakaje, sepse e pranojnë diçka të tillë.
Përveç këtyre rregullave, muslimanët duhet të kenë parasysh dhe kujdesin që duhet të kenë për kafshën dhe mëshirën ndaj tyre. Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Kur të therni, bëjeni atë në mënyrën më të mirë, mpriheni tehun e thikës dhe rehatojeni kafshën në therje!” (Transmetoi Muslimi).
Një burrë iu drejtua Profetit (alejhi salatu ue selam) me këto fjalë: “O i Dërguari i Allahut! Unë kur e ther një dele e mëshiroj atë.” Atëherë Profeti (alejhi salatu ue selam) i tha: “Kur e mëshiron atë dele, Allahu do të mëshirojë ty.” (Transmetoi Ahmedi.)
Dijetarë të ndryshëm si Imam Ahmedi dhe të tjerë kanë thënë se kafsha duhet të mbahet mirë, duhet çuar për t’u therur në mënyrë të lehtë dhe butë, të drejtohet nga kibla dhe kasapi të mos e shfaqë thikën vetëm se në momentin e therjes.
Përgatiti: Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë

Check Also

Shpella ku ishin fshehur Muhammedi a.s. dhe Ebu Bekri r.a.

Nëntë fakte rreth kodrës Thevr ku merimanga thuri rrjetën: 1. Kodra Thevr është një mal …