Home / Kultura / Bob Dylan në Stokholm, pranon më në fund Çmimin Nobel për Letërsinë

Bob Dylan në Stokholm, pranon më në fund Çmimin Nobel për Letërsinë

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave njoftoi të mërkurën se Bob Dylan do të shkojë në Stokholm gjatë kësaj fundjave për të pranuar trofeun e Çmimit Nobel për Letërsinë.

Këngëtari amerikan u vlerësua me këtë çmim në tetor të vitit të kaluar, por nuk udhëtoi të merrte trofeun apo të mbante leksion, gjë që duhet medoemos për të marrë shpërblimin prej 8 milionë koronash suedeze (rreth 1 milion euro).

Burime pranë akademisë suedeze thanë se do të takoheshin privatisht me 75-vjeçarin Dylan në kryeqytetin suedez, aty ku ai pritet të mbajë edhe dy koncerte. Sa për leksionin, ai do të dërgojë një version të regjistruar. Në rast se nuk e jep leksionin deri në qershor, legjendës së rokut do t’i duhet të dorëzojë shpërblimin që shoqëron trofeun.

Profesoresha Sara Danius, sekretare e përhershme e Akademisë Mbretërore Suedeze e Shkencave, bëri me dije përmes një komunikate me shkrim se lajmi i mirë është që Akademia dhe Bob Dylan kanë vendosur të takohet këtë fundjavë.

“Akademia do t’i dorëzojë atij diplomën dhe Medaljen e Nobelit, si dhe do ta urojë për fitimin e Çmimit për Letërsinë. Ceremonia do të jetë private dhe jo e bujshme, ndaj nuk do të jetë e pranishme asnjë media. Vetëm Bob Dylan dhe anëtarët e Akademisë do të marrin pjesë, sepse kështu dëshiron vetë Dylan”, theksoi Danius

Danius sqaroi se leksione të regjistruara janë dërguar nga fituesit edhe në të kaluarën, përfshi këtu Alice Munro, në vitin 2013.

Edhe pse u vlerësua me këtë çmim prestigjioz me motivimin “për krijimin e frazave të reja poetike brenda traditës madhështore të këngës amerikane”, Bob Dylan nuk mori pjesë në ceremoninë e organizuar në Stokholm, më datë 10 dhjetor 2016.

Check Also

ILAÇI PËR ZEMRËN E NGURTË

Shejh Ibn Uthejmini -Allahu e mëshiroftë- ka thënë: “Vërtetë për zemrën e ngurtë ka ilaç …