Home / Feja / Bija ime, Rumejsa!

Bija ime, Rumejsa!

*Letra që Rashit Zylfiu i shkroi vajzës së vet, Rumejsa R. Zylfiu, si këshillë udhërrëfyese për jetën e saj.
Ti ishe gëzimi, vajza, mbesa më e madhe në familjen tonë dhe çdo herë do të mbetesh e tillë.

U dallove për guximin, butësinë, dhembshurinë dhe dashurinë tënde. Në mesin e shoqeve u tregove gjithnjë bamirëse. Ti nuk ishe vetëm shoqe në mesin e tyre, ku kalove nëntë vite të jetës, por ishe motra e madhe, të gjitha silleshin rreth teje dhe dëshironin të ishin shoqe me ty.

Ti nuk urren, por dashuron e mëshiron. Nuk më lodhe në rrugën e edukimit sepse ti ishe dhe je vetë edukata në familje. Nga ajo ditë që hodhe hapin drejt shkollës, ti solle veç suksese dhe këtë pres edhe në të ardhmen. 

E guximshme për t’i marrë vendimet për veten, edhe pse ato vinin në hapa të ngadalshëm për syrin tim, por të sigurt.

Bija ime!

E di që sot kur ta lexosh këtë letër, sytë e tu të bukur do të nxjerrin lot mërzie e gëzimi, por këtë ndoshta sot nuk do ta kuptosh, por një ditë po. Një ditë, kur të bëhesh nënë, do ta kuptosh se edhe ne mërzitemi për ty, edhe pse nga mëshira ndaj teje mundohemi t’i fshehim lotët vetëm që ti ta kuptosh se ne jemi të fortë dhe përkrahësit e tu deri në fund.

Bija ime! 

Deri sot ishe pranë nesh nën vëzhgimin tonë dhe përkujdesjen tonë si prindër. Dije se ne nuk jemi me ty, por mos harro se Zoti të sheh e kjo është gjëja më e rëndësishme për jetën tënde. Kurrë në jetë nuk kam dashur të të edukoj që të frikësohesh apo turpërohesh nga ne, por për çdo veprim tëndin turpëroju dhe ki frikë Zotin.

Nga sot nuk do ta dëgjosh fjalën ‘a e ke falur namazin?’, por duhet ta kuptosh se namazi, lidhja, komunikimi me Zotin tënd për jetën dhe ahiretin tënd është si oksigjeni në këtë botë. Mos e anashkalo namazin!

Mami nuk është afër teje, por ti ke edukatore, kujdestare, që tani i ke në pozitën e mamasë. Ashtu siç e do mamanë duhet t’i duash, respektosh e nderosh sepse edhe ato dikush i ka nënë. Suksesi yt i gëzon ato, sjellja jote i bën që edhe ato të të respektojnë e të kujdesen edhe më shumë për ty. Ashtu siç sillesh me to, edhe ato do të sillen me ty.

Aty nuk i ke motrat e tua që të hidhërohesh e pas një çasti të pajtohesh, por të gjitha shoqet e tua janë motra, respektoji. Nëse dikush ka xhelozi, sillet keq apo dëgjon të flasin fjalë jo të mira për ty, ti ktheje të keqen me të mirë. Mos bëj padrejtësi, as mos lejo që dikush të bëjë ndaj teje. Bëhu e drejtë me veten dhe me të tjerat. Sjellja jote e mirë do të jetë si aroma brenda shtëpisë, që e largon erën e keqe. 

Dije se në rrugë nuk përfaqëson vetëm veten, por ti je pjesë e një familjeje, të thonë ‘vajza e filanit’. Ruaje prestigjin e familjes! Ti mban mbulesën islame, respektoje dhe me sjelljen tënde hijeshoja dikujt mbulesën sepse ti je ambasadore e vogël e një feje shumë të madhe.

Në jetë ke sfida, fjalën e fundit mos e thuaj të parën, njerëzit nuk mund t’i bësh si vetja, respektoje mendimin ndryshe, kuptoje se njerëzit nuk janë të njëjtë, nuk mund të arrish t’i kënaqësh të gjithë, por me rëndësi është ta njohësh vetveten dhe të vazhdosh drejt synimit tënd.

Bija ime!

Çdo ëndërr apo problem që ke, bëhu si Jusufi, që ia tregoi babait të tij fillimisht. Tash e ke kuptuar që ëndrrat, dëshirat, synimet, problemet me të cilat që ballafaqohesh në jetë së pari shpalosja njerzëve më të afërt në jetë: ata janë prindërit e tu e jo dikush tjetër. 

Aty ke profesorë, kolegë të mi, të cilët ndryshojnë nga ata që të mësuan deri tash. Nëse dëshiron që dikush ta respektojë babanë tënd, respektoji ata, dëgjoji këshillat e tyre dhe kurrë mos të të vijë turp kur është fjala për dijen. Pyeti ata!

Mëso, lexo, studio sepse çdo lëshimi sot do t’ia shohësh pasojat nesër në jetë.

Le të jenë ambiciet e tua të mëdha sepse nesër familja pret prej teje shumë dhe shoqëria ka nevojë për gra si ti.

Bija ime!

Sot, ti vendose të jesh pjesë e një karvani brenda vatrës më të madhe të dijes në këtë vend. Ajo vatër ka si shtyllë dashurinë, nënshtrimin dhe respektin për Zotin e pastaj atdhedashurinë. Këto dy vlera i ruajti dhe po i ruan ende. Ti u bëre pjesë e bankave të burrave, grave, dijetarëve, hoxhallarëve, luftëtarëve, dëshmorëve që ishin pjesë e saj.

Sot ti u ule në bankat e shkollës ku babi yt ishte ulur pra 21 vitesh, për ta ruajtur dhe kultivuar këtë traditë që dalëngadalë po bëhet pjesë e familjes sonë. Bereqeti i kësaj shkolle na përcjell edhe sot. 

Urime viti i ri shkollor në bankat e Medresesë Alaudin, paralelja e femrave.

Të priftë e mbara, qofsh nën përkujdesjen e Atij që të ka krijuar dhe të ka udhëzuar deri tash.

Babi, mami, familja presin që ti çdo ditë të na surprizosh me suksese!

Të dua, babi.

04/09/2017, Gjilan 
*Letra që Rashit Zylfiu i shkroi vajzës së vet, Rumejsa R. Zylfiu, si këshillë udhërrëfyese për jetën e saj.

Check Also

Bebja ime është duke vdekur! *NGJARJE MAHNITËSE*

Bebja ime është duke vdekur! *NGJARJE MAHNITËSE* .. Ne si staf, kemi për qëllim që juve …