Home / Headline / Arkiva e National Geographic: foto “vintage” nga Siria dhe një kushtim frymëzues nga Mark Tuein

Arkiva e National Geographic: foto “vintage” nga Siria dhe një kushtim frymëzues nga Mark Tuein

Për gjashtë vjet, sirianët kanë parë sesi shumë nga lokacionet 6500 vjeçare të vendit të tyre janë bombarduar, grabitur e dëmtuar rëndë nga lufta.

Në të gjithë vendin, luftimet kanë shkatërruar relike antike si metropolin e kohës romake, Palmirën, vendbanimin grek të Dura-Europos që strehonte kishën më të vjetër të krishterë të botës,  dhe qytetin e epokës së Broncit, Mari. Të gjashtë vendndodhjet e përfshira në listën e trashëgimisë botërore të UNESKO-s, mendohet se janë dëmtuar.

Damasku, kryeqyteti sirian është një përjashtim i rrallë. Qyteti antik i romakëve, mongolëve dhe turqve – e që mendohet të jetë qyteti më i vjetër në botë që vazhdon të jetë i banuar, është mbrojtur për shkak se ka qenë nën kontrollin e qeverisë. Damasku ka ruajtur fasadën e jetës normale, ku nëpër rrugë ka edhe shfaqje arti e ku qytetarët shëtisin midis rrugicave dredha-dredha, tregjeve të tekstileve dhe banjove me avull të qytetit të vjetër.

Por, Halepi nuk ia ka dalë mbanë kaq mirë. Në vitin 2014, UNESKO mbajti një konferencë në Paris për të diskutuar shkatërrimin e qytetit – epiqendër e luftës siriane – që dikur ishte një nyjë e rëndësishme tregtare në rrugën e Mëndafshit dhe tepër i njohur për sundimtarët e tij romakë, helenë apo bizantinë (legjenda thotë se Abrahami, rrugës për në Jeruzalem, kaloi përmes qytetit).

Humbja e thesareve më të çmuara historike të Sirisë ka shkaktuar një ndjesi urgjence tek ekspertët për të ruajtur atë që munden nga trashëgimia kulturore e këtij vendi – qoftë kjo edhe në fotografi- me shpresën se dikur ato mund të restaurohen. Përpjekjet po shtohen në të gjithë botën: që nga hartat 3D e deri tek një nismë që u kërkon turistëve nga e gjithë bota të ndërtojnë një bazë të dhënash online me fotografi nga vendet që kanë vizituar në Siri.

Në luftërat e mëparshme, qytetet e rrafshuara janë ngritur nga rrënojat për të rifituar pamjen e mëparshme. Qendra historike e Varshavës u ndërtua pas shkatërrimit të 85 për qind të saj në luftën e dytë botërore, duke përdorur të dhënat e arkivave dhe fotografitë. Vite më pas, ajo u shpall edhe vendndodhje e trashëgimisë botërore.

Më herët në Bejrut, gjatë një takimi të UNESKO-s në Bejrut, u diskutua jo shkatërrimi por rindërtimi i Halepit. Banka Botërore ka vlerësuar se nëse lufta përfundon deri në vitin 2020, do t’i kushtojë vendit 16 miliardë dollarë dhe do të duhen 15 deri në 20 vjet për të rikthyer tërësisht Sirinë në atë që ishte përpara nisjes së luftimeve.

Në Libanin fqinj, bankat dhe firmat konsultuese që kanë përvojën e tyre të konfliktit, kanë nisur përgatitjet për të financuar një përpjekje masive rindërtimi. Politika ndërhyn, sidoqoftë. Në dhjetor, BE njoftoi se do të ndihmojë rindërtimin vetëm nëse opozita përfshihet në tranzicionin politik.

Por, nëse lokacionet e trashëgimisë në Siri njihen për ndonjë gjë, kjo është aftësia e tyre për të duruar. Në vitin 1869, në një libër të tij, “The Innocents Abroad”, shkrimtari amerikan Mark Twain, në përshkrimet e udhëtimit përmes Europës dhe Lindjes së Mesme, ofron një vështrim elokuent të disa pjesëve të famshme të Sirisë. “Damasku ka parë çdo gjë që ka ndodhur ndonjëherë mbi Tokë dhe ai ende është në jetë”, shkroi ai. “Qyteti ka vështruar mbi kockat e thara të mijërave perandorive dhe do të shohë varret e mijëra të tjerave përpara se të vdesë”.

Galeria e fotografive përfshin shkrepje nga numrat e revistës “National Geographic” të dhjetorit 1938, dhjetorit 1946, dhjetorit 1954, shtatorit 1978, korrikut 1996 dhe korrikut 1999.

Check Also

ILAÇI PËR ZEMRËN E NGURTË

Shejh Ibn Uthejmini -Allahu e mëshiroftë- ka thënë: “Vërtetë për zemrën e ngurtë ka ilaç …